PROF. PASKAL MILO, NË MBROJTJE TË TRADHËTARIT LLAZAR FUNDO

18
Apr
2024
Shkruan: Fitim ÇAUSHI


ÇUDITËRISHT, prof. Paskal Milo vitet e fundit ka filluar një kthesë spekulative, ku veçanërisht i puqet ylli me Fevziun, I cili shkruan: “Enver Hoxha e dinte se Fundo kishte ndikim te misionet britanike, se ishte bashkuar me Kryezinjtë në luftë kundër gjermanëve, se nuk kishte asnjë lidhje me kolaboracionistët, por ai nuk mund t’ia falte kurrë Fundos biografinë si militant komunist…” (Blendi Fevziu, “Enver Hoxha…” Tiranë 2011, f. 78)
Për këtë trillium të Fevziut, prof. Paskal Milo është i ndërgjegjshëm, por, në emisionin televiziv të datës 11 prill, në TVSH, Milo i ngre himn agjentit të britanikëve dhe shovinizmit grek, sikurse ishte Llazar Fundo, duke e quajtur “militant komunist të Kominternit”, se ai “na qenkej më i zoti se edhe Enver Hoxha” etj. etj. (!), dhe se trembej se ai muind t’i zinte vendin”, duke e personalizuar politikën parimore dhe atdhetare të Enver Hoxhës.
Këtë kthesë, që e prezantzon Prof. Paskal Milon si një studiues portativ, i sipërfaqshëm, pa vërtetësi historike, krejtësisht tendencioz në shërbim të një mizantropi si Blendi Feziu, po e ballafaqojmë me kujtimet e patriotit NIKOLLA LAKOS, dokument që ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit dhe në Arkivin e Institutit të Historisë, i titulluar: ”Takimi me Presidentin Uillson dhe pabesia e Llazar Fudos”, takim ky i bërë gjatë Konferencës së Paqes në Paris, më 1918, në një moment tepër të vështirë për fatet e Shqipërisë, që e nxjerrin prof. Paskal Milon, më renegat se vet Llazar Fundo. Po citoj:
“Përgatita një memorandum mbi Shqipërinë, një hartë ethnografike të Shqipërisë, një hartë ethnografike të qarkut të Korçës, një hartë të Çamërisë, fshat më fshat dhe u paraqita te Uillsoni…Ai kërkoi nga mua dhe informata të tjera dhe i dëgjonte me vërejtje të madhe… Pas një orë e 15 minuta më dha dorën dhe më tha: “Një kopje të Memorandumit dhe nga një prej secilës të këtyre hartave t’ia shpiesh delegacionit amerikan”…Të nesërmen u nisa për te delegacioni amerikan. Atë ditë e kisha ftuar Llazar Fundon të hante drekë me mua…Sa dola te porta u duk Llazari: ”Hajde dhe ti me mua”,- i thashë Llazarit…. Llazari kish mbaruar gjimnazin e Korçës dhe ardhi në Paris ku u shkrojt në drejtësi. I ati e kish rekomanduar në mua dhe mua m’i dërgonte të hollat që i duheshin për shpenzime… Dukej djalë i shtruar, i squar, i sjellshëm dhe studios. Aso kohe qe kundër pleqve dhe thesh: ”Këta pleqtë tanë duhen prerë nga këmbët, se të jenë shqiptarë dhe të kërkojnë Greqinë”! Me të këtillë fjalë ma ngrohu zemrën sa e desha si djalin t’em…Llazar Fundo në shtëpinë time kishte liri të madhe… Së bashku me këtë, u paraqitmë në Legacionin amerikan… Pas 5 minutash dolli kryedelegati, i cili më priti me buzëqeshje…ikmë. Kur arrimë poshtë te porta e udhës, Llazar Fundo më tha:
– Unë të qeshë zotuar të vinja të hanja drekë sot në shtëpinë tënde, por kisha harruar se kesha rendez-vous me një çupë.
– Me çupën mos e prish pa drekën e hamë dhe nesër…
Të nesërmen më thirëm urgjentisht në delegacionin amerikan, pas 5 minutave doli kryedelegati me turinj lëshuar, dhe me një zë të egër më thotë:
– Në hartat ethonografike tuajat shikoj, se disa fshatra të banuara nga grekët, janë prezantuar sikur banohen prej shqiptarësh.
– Zoti kryedelegat, nuk ka as gjysëm fshati që të jetë i banuar prej grekësh…
– Ka plot, ja një: ”Gardhiqi”…
Prapa kryedelegatit është një bibliotekë…këndova mbi kurrizin e një libri: “DOZZON-MANUEL DE LA LANGUE CHKIPE”: Këtë libër e kesha në bibliotekën t’ime…Dozon ka qenë konsull i Francës në Janinë në kohën e Ali Pashë Tepelenës… I them kryedelegatit të mundohet të marrë nga biblioteka librin e Dozon-it dhe t’a hapë në fjala: ”Gardhiqi”, dhe do të bindet për këto që i them.
Kryedelegati e mori librin me nervorizëm dhe këndon këto: ”Gardhiqi”, fshat shqiptar në Epir: rrjedh nga fjala “gardh” (hae), “gardhi” (la hae), nën këtë emër ka edhe lokalitete të tjera në Epir.
– Zoti kryedelegat, në Shqipëri ka fshatra me emëra grekë, sllavë, rumunë a turk, po banorët janë kurdoherë shqiptarë… Në Shqipëri të Jugut kemi një qytet të vogël që quhet “Konispol”, emër thjesht greqisht, po banorët janë të gjithë Shqiptarë dhe myslianë, të cilët kurrë nuk do të deshën të bëhen grekë… Që të jini më të drejtë ju amerikanët jepini edhe juve grekëve Philadhelphinë t’uaj se edhe ajo e ka emrin grek.
– Philadhelpia qenka emër grek, po çdo me thënë?
– “Miku i vëllezërisë”.
Kryedelegati…më përcolli gjer në krye të shkallës, ku më priste një kapiten amerikan, i cili, duke zbritur më tha:
– Ay djaloshi që erdhi me ju dje në mëngjes, vajti te kryedelegati, dje pas darke, erdhi me dy delegatë Vorioepiriotë…ata ja bënë mëndjen çarçaf, po shyqyr që pate përgjigje të sakta me prova të vërteta…
Tradhëtia e Llazar Fundos më çuditi kaq shumë dhe më zëmëroi pa masë, sa u betova që lipsej medoemos të mësoj moralin e vërtet të tij…”(AIH – A-IV-159, N.Lako, “Kujtimet e mija”).
Për të mësuar për veprimtarinë e Llazar Fundos, patrioti Nikolla Lako, paguan 600 franga policinë e Parisit, e cila hetoi në Korçë dhe Paris, Nikolla Lako shkruan: “Nga raporti që më dërgoi Policia Private, merret vesh që Llazar Fundoja bënte një jetë të ç’rregullt, prishte shumë të holla, bënte vizita të shpeshta në Legacjonin Englez, në Legacionin Italian dhe në Legacionin Grek…Kishte gjashtë të dashura…Kështu mori fund tradhëtia që i bëri Shqipërisë Llazar Fundoja me Vorioepiriotët që i shpuri delegacionit amerikan që t’i provojë se “Gardhiqi” është grek…”(AIH – A-IV-159, N.Lako, “Kujtimet e mija”).
Babai i Fundos i shkruante Nikolla Lakos: ”Jemi bërë merak mos është i sëmurë…si bën për para se s’më ka kërkuar”(AIH – A-IV-159, N.Lako, “Kujtimet e mija”).
Nikolla Lako i përgjigjet: ”Mos u bëj merak se nuk është i sëmurë, sa për para mos u bëj merak, se ti e njeh mirë, është finok i madh, ka ditur ta gjejë mademin”.( AIH – A-IV-159, N. Lako, “Kujtimet e mija”)
Nikolla Lako dëshmon tradhëtinë kombëtare të Llazar Fundos qysh në vitin 1920, kur Enver Hoxha ishte vetëm 12 vjeç! Tradhëtia e tij do të vazhdonte edhe në vitin 1938, kur Fundo do të dënohet nga shqiptarët e Parisit, si anëtarë të Kominternit, më 25 shkurt 1938.
Ali Kelmendi i shkruante Fan Nolit: ”Cili jeni ju, e di fare mirë populli shqiptar, gjithashtu njihet edhe Llazar Fundo, që e ka ndrrue fen’ nj’a 4 a 5 herë; gjithmonë ka ec andej, kah ka frye era e ditës”.(Fan S. Noli vepra VI, “Dudaj”, Tiranë 2007. f. 441).
Një muaj më vonë, më 16 mars 1938, Ali Kelmendi informon Nolin: ”Llazar Fundo u demaskua si tradhtor e si kështu u dëbue nga fronti. Tash jeton nëpër rrugat e Parisit taman ashtu si e ka pas pseudonimin dikur…zagar. nji gja fatale kjo, por edhe nji përfundim logjik për një tip qi dikur, tue qenë fëmi, ishte rekrutue në batalionin e Andartëve, pra siç dihet, nuk ka tradhëtue për të parën herë”. (Fan Noli, vepra VI, “Dudaj”, T. 2007, f. 444).
Nga rrjedh gjithë kjo debulesë e Paskal Milos, për një “zagar” si Llazar Fundo…?! Vallë nuk i ka lexuar dokumentet prof. Paskal Milo që shkruan me konsiderata të larta për një tradhëtar të neveritshëm kundër interesave të Shqipërisë qysh në vitin 1920?! Mos vallë ka influencuar te prof. Milo geni i përbashkët i Gërqisë: Llazar Fundo – Paskal Milo? Si mund të shkruajë ky professor historie, dhe si mund të flasë për historinë e Shqipërisë pa i shterruar burimet e shkruara?!
Llazar Fundo erdhi me vonesë në periudhën e Luftës Antifashiste në Shqipëri, sepse ishte i dënuar si agjent qysh në Francë. Duke qenë agjent i britanikëve, ai erdhi në Shqipëri me vonesë, kur e urdhëruan britanikët, sikurse urdhëruan edhe Sejfulla Malshova dhe disa të tjerë. Llazar Fundo nuk erdhi për të luftuar për çlirimin e vendit, por për ta përçarë unitetin e Frontitit Nacionalçlirimtar.
Për ta përforcuar reabilitimin e një tradhëtari të neveritshëm, Fevziu citon pjesë nga letra e Enver Hoxhës, nisur për Divizionin e Veriut më datë 21 shtator 1944: “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. Ti kërkohet të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva?!…Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë shpjegim për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij”! (Bledi Fevziu, “Enver Hoxha”… f. 77).
Në këto tjerrje, pa dashur del konseguenca e Enver Hoxhës në rrugën e tij për të garantuar fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kundër agjentëve të britanikëve, të cilët planifikonin pushtimin e Shqipërisë pas luftës nëpërmjet agjentëve të tyre brënda në Shqipëri. Jo më kot gjeneralët gjerman e justifikonin okupacionin e tyre për “të na mbrojtur nga pushtimi britank” dhe këtë e di mirë pseudoprofesori Milo, që po hedh poshtë veprën e tij!
Në një raport të shërbimit të fshehtë amerikan, në shtator 1944, shkruhet: ”Udhëheqësit nacionalistë ende shpresojnë, se britanikët do t’i çarmatosin komunistët dhe do të thërrasin gardën e vjetër për të qeverisur Shqipërinë”.( Ë.Bland-J.Price, “The Tangle Ëeb”, Londër 1986, f. 88. Dokumenti arkival: A. 226/297/L50417).
Sikundër shihet, ky objektiv strategjik i britanikëve ishte kundër udhëheqjes së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, ata do të përkraheshin aq sa të mposhtej ushtria naziste, pastaj do t’i shfarosnin komunistët dhe antifshistët shqiptarë, sikurse vepruan në Greqi pas Varkizës.
Këmbëngulja e Enver Hoxhës, të hetohet Fundo, përse ka shkuar në Kosovë, ishte plotësisht e drejtë, ajo bazohet mbi të dhënat paraprake që kanë dhënë kuadrot dhe drejtuesit e Luftës në bazë për veprimtarinë tradhëtare dhe përçarëse të Fundos. Ai shkoi atje me porosi të anglezëve, për të ndikuar në shpërbërjen e lëvizjes çlirimtare, çka do t’i sillte Titos mundësinë të terorrizonte popullin e Kosovës si një popull të lidhur me fashizmin dhe shkëputej përfundimisht shprsa për tu çliruar nga Serbia dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë.
Edhe prof. Milo e quan Fundon “komunist të orëve të para”, por nuk jep asnjë dokument për aktivitetin komunist të tij, as për tradhëtinë e tij, për të cilën ka plot dokumente të shkruara në Historinë e Partisë Komuniste Shqiptare dhe në arkiva. Prof. Milo dhe renegatë të tjerë, spekullojnë me fragmente nga kujtimet e ndonjë “intelektuali”, për të dëshmuar “militantizmin” e Fundos, sikundër me ato të Vedat Kokonës, 30 vjet më vonë, pasi ishte rrëzuar pushteti popullor: “Ai ishte krejt ndryshe, jo vetëm nga pamja e hijshme, por edhe nga sjellja dhe kultura e gjerë që kishte… Rrallë kam takuar shqiptarë me kulturë të rrallë si ai”. (B.Fevziu “Enver Hoxha”… f.78).
Drejtimi i luftës kundër fashizmit, në çdo vend të Europës kërkonte revolucionarë, dhe jo “pamje të hijshme” dhe lustër kulturore, sikundër sensibilizohen mercenarë dhe profesorë pa shtyllë kurrizore sot, sepse nisen nga ana e jashtme e Fundos, për ta paraqitur, jo si konflikt politik, por si konflikt personal midis Enver Hoxhës dhe Fundos!
Prof. Milo i shmanget brendisë revolucionare dhe vendosmërisë së një drejtuesi për të mbrojtur interesat e Atdheut, duke bërë akrobaci fjalësh me “zotësinë e Llazar Fundos, me gjoja kulturën”, e tij, por, nuk na thotë konkrertisht se ku i ka pasur Fundo veprat në shërbim të Shqipërisë dhe cila ka qenë kultura që i la ai fondit të artë të kulturës kombëtare?
Përse këta kalemxhinj duan doemos të na bindin, se ishte Enver Hoxha që i eliminoi kundërshtarët për të mbajtur piramidën e partisë gjatë luftës, dhe nuk ishin pikërisht Fundot me shokë, që synonin majën e kësaj piramide, duke rrezikuar me qëndrimet e tyre trockiste dhe nënshtruese ndaj interesave të të huajve, sakrificat e popullit shqiptar! Ja, në çfarë llumi ka rënë prof. Paskal Milo!
Ka plot dokumente në arkiva për tradhëtinë e Llazar Fundos në shërbim të andartëve grekë, dhe për këtë tradhëti, ai dhe të tjerë morën dënimin e merituar. Enver Hoxha nuk organizonte “eliminime” për të mbetur i vetëm në krye të Partisë, apo se i druhej «konkurencës” së agjetëve të huaj; dënimet ndaj elementëve armiq Enveri i vendoste kolegjialisht me shokët e udhëheqjes; a kishte të drejtë Enver Hoxha të vinte në dyshim raportimet e shokëve gjatë luftës?! A kishte të drejtë Enver Hoxha t’i injoronte këto raporte, se ja do “detyra” prof. Milos e kompani, tani pas 80 vjetësh, që hedh helmin kundër Enver Hoxhls, me « zotësinë » e rrallë të LLazar Fundos?! A kishte mundësi Enver Hoxha, në kushtet e Luftës, të bënte hetime mbi devijimet e këtyre personave për të përcaktuar saktë shkallën e gabimit apo fajit të tyre?! Sa poshtë kini rënë, o prof. Paskal Milo(!): E filluat regresin me ortakllëkun me Uran Butkën, e thelluat tradhëtinë me falsifikimin e letrës së 1 tetorit 1943 të Enver Hoxhës, e menderose me vlerësimin e Ahmet Zogut si dorë e fotrtë e shtetit shqiptar, përkundër Fan Nolit që na qenkesh “liberal jo për drejtim” etj, etj. A bie në këtë rrukullimë një intelektual i formuar?!
Tiranë 18 prill 2024

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk