Profesori në Universitetin “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës e ShBA-së, dialogun Kosovë – Serbi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Serwer në “Edicioni Special” tha se amerikanët e konsiderojnë dialogun si të rëndësishme për marrëdhëniet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se marrëdhëniet Kosovë – ShBA janë shumë të mira, pasi sipas tij, Kosova është një mbështetëse e fortë e Perëndimit në përgjithësi, e ShBA-së në veçanti dhe se dëshiron të jetë anëtare e NATO-s.
“Ju e dini se nuk ka asnjë problem të madh dypalësh, por Shtetet e Bashkuara duan që dialogu me Serbinë të vazhdojë. Nuk shoh që dita e njohjes do të vijë së shpejti, por mendoj se është e rëndësishme që dialogu të bazohet në njohjen si objektivë përfundimtare dhe nëse BE, SHBA dhe Kosova bien dakord që njohja është faza e fundit e dialogut, kjo është një gjë e mirë”, është shprehur Serwer.
Tutje, ai ka folur edhe për qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se nuk ka ndonjë dyshim në të, por sipas tij, ka një histori të keqe mes amerikanëve dhe Albin Kurtit.
“Lidhet pjesërisht me periudhën e tij në opozitë, kur ai drejtoi disa protesta të dhunshme, jo vetëm jashtë parlamentit por edhe brenda, dhe kjo shkaktoi shumë shqetësime në Washington dhe mendoj se një pjesë e këtij shqetësimi vazhdon, por tani mendoj se çështja kryesore është dialogu Beograd- Prishtinë”, është shprehur Serwer , njofton Klankosova.tv.
Sa i përket cështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Serwer tha se qëndrimi i kryeministrit Kurti për këtë temë i shkakton Washingtonit djegie, pasi sipas tij, ata duan ta shohin këtë temë në dialog.
“Për shembull njohja diplomatike, shkëmbimi i ndërsjellë i ambasadorëve, në këtë mënyrë mendoj se asociacioni do të dukej shumë më ndryshe nga këndvështrimi i Kosovës, gjithashtu mendoj se Kosova ka të drejtë të insistojë që për çdo gjë që i jep Serbisë të kërkojë të njëjtën prapa. Pra që Serbia të jetë e përgatitur t’i japë Kosovës ekuivalentin e asaj që merr. Unë e di se Albini është i ashpër në këtë parim”.
“Ku është asociacioni i komunave me shumicë shqiptare brenda Serbisë, ku janë përfaqësuesit, vendet rezervë për shqiptarët në parlamentin serb? dua të them se ka shumë gjëra që mund të diskutohen nëse dëshironi, por për të diskutuar mbi asociacionin unë mendoj se është gabim të thuash jo nuk do ta diskutojmë fare. Edhe nëse ka një problem me Kushtetutën. Kushtetutat mund të ndryshohen”, është shprehur Serwer në “Edicioni Special” .
Ai shtoi se nuk po sugjeron që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, por sipas tij, duke e ditur që asociacioni është gjëja që Serbia e dëshiron më së shumti dhe njohja është gjëja që Kosova e do më së shumti, atëherë, siç tha ai, këto të dyja duhet të diskutohen bashkë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!