Propaganda nuk rrëzon dot faktet – karvani ecë

27
Mar
2025
Shkruan: Dr. Sadri RAMABAJ

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Për katër vite rresht një lagje e tërë analistësh e politikanësh opozitarë, duke trajtuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, me theks kontributin e kryeminsitrit Albin Kurti në këtë periudhë, parapëlqyen dhe vazhdojnë të parapëlqejnë të operojnë me propagandë në vend të fakteve. Krejt pavetëdijshëm, shndërrohen kështu në kontigjentin e brendshëm të lufëts hibride!

Le të rikujtojmë se lufta hibride zakonisht përfshin kombinimin e propagandës, dezinformimit, presionit ekonomik dhe mjeteve të tjera jo-konvencionale për të dhe lufta kibernetike, për të ndikuar në opinionin publik dhe për të destabilizuar një qeveri ose një shtet.

Në rastin e Kosovës, pretendimet se Qeveria Kurti ka dështuar në politikat e aplikuara në lëmin e zhvillimit ekonomik, ose se ajo po ndjek një agjendë të përafruar me Rusinë, bien ndesh me faktin që Kosova është një nga vendet më pro-perëndimore në rajon, dhe vetë Kurti ka qenë kritik i ashpër ndaj ndikimit rus dhe serb në Ballkan. Një narrativë e tillë mund të jetë e motivuar politikisht, duke pasur për qëllim uljen e legjitimitetit të qeverisë dhe krijimin e konfuzionit në opinionin publik.

Një strategji e tillë është e ngjashme me atë që shpesh përdoret në Serbi dhe vende tjera të rajonit, ku qeverisin autokratët dhe ku kundërshtarët politikë përpiqen të delegjitimojnë njëri-tjetrin duke i lidhur me fuqi të jashtme armiqësore.

Kjo propagandë, megjithatë, nuk ka arritur dot për katër vite rresht e nuk po ia arrin as tashti në prag të promovimit të Qeverisë Kurti 3 ta përmbysin ralitetin.

Albin Kurti brenda këtij harku kohor, veproi si asnjë politikan tjetër shqiptarë në Kosovë, qoftë në periudhën e zhvillimit kulmor autonomist [1974-1981], qoftë në atë pas çlirimit [1999-2020].

Madje, para se të rikthehej në krye të qeverisë, pas revolucionit demokratik të heshtur të 14 shkurtit 2021, ai do të arrinte t’i imponohej si faktorit të brendshëm politik, ashtu edhe atij ndërkombëtar.

Duke imponuar stivimin në sirtarët e historisë të dy projekteve që kishte imponuar agjenda serbe në periudhën 2011-2020: atë që kishte të bënte me një lloj tumirje të humbjes së veriut të Republikës, madje duke e lënë të qeveriset nga strukturat e kamufluara të shërbimeve serbe nën siglën e Listës Serbe; po edhe projektin e dytë, që kishte të bënte me konservimin e Kosovës si si një hapësirë pa identitet shtetëror në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Në rrafshin diplomatik Kurti do të përballej si burrshtetas aty ku zhvillohej beteja politike për ruajtjen e veriut të Kosovës. Madje edhe në moentet kur elementët proserb të diplomacisë europiane [Borrel, Lajçak …], shqeto po vazhdonin ta trajtonin Kosovën si “plaçkë tregu” e “monedhë këmbimi”.

Ky katërvjeçarë qeverisjeje që lamë pas, mund të themi me një krenari të ligjshme se, e shndërroi Kosovën në një Republikë të respektueshme, faktor dhe aktor kombëtar dhe ndërkombëtar të dinjitetshme.

Janë këto katër vite që shenjojnë etablimin e Shtetit dhe shtrirjen e sovranitet cep më cep të Republikës, duke imponuar respektimin e integritetit dhe paprekshmërinë e kufijve.

Mjaftojnë të kujtohen e rikujtohen këto fakte, që propaganda e politikanëve injorantë dhe analistëve intrigantë të rrëzohen për tokë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/03/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk