Reagim i KEK sh.a. lidhur me dezinformimin publik nga gazetari Lirim Mehmetaj
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) reagon me shqetësim dhe indinjatë ndaj dezinformatës së publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj, e cila është shpërndarë më tej nga media e individë të tjerë, duke tentuar për të njollosur padrejtësisht emrin e punonjësit tonë z. Taulant Kurti.
Z. Taulant Kurti është i punësuar në KEK që nga data 18.01.2007 dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka mbajtur pozita profesionale me përgjegjësi të qarta dhe të mirëpërcaktuara, gjithnjë në përputhje me kualifikimet e tij dhe asnjëherë të ketë përfituar avancim në pozita menaxheriale.
Nga viti 2007 deri në vitin 2013, ai ka punuar në Departamentin për Trajnimin Profesional të Personelit. Më pas, nga viti 2013 deri në vitin 2020, ka ushtruar detyrën e Specialistit Financiar për Projekte, ndërsa që nga data 01.04.2020 është në poziten aktuale si Specialist për Çështje Ekonomike në kuadër të Drejtorisë së Operimeve.
KEK sh.a. thekson me përgjegjësi të plotë se asnjë nga këto pozita nuk ka qenë dhe nuk është e ndërlidhur me tregtimin e energjisë elektrike, dhe për rrjedhojë çdo përpjekje për të implikuar z. Taulant Kurti në çështje që bien jashtë fushës së tij të punës është jo vetëm e pavërtetë, por edhe me tendencë për diskreditim personal dhe profesional.
Z. Taulant Kurti është vlerësuar ndër vite për profesionalizmin, integritetin dhe sjelljen e tij korrekte ndaj kolegëve dhe punës në KEK. Korporata e konsideron të papranueshme çdo tentativë për njollosje përmes shpifjeve publike dhe i bën thirrje mediave të veprojnë në përputhje me parimet bazë të gazetarisë së drejtë, të pavarur dhe etike.
Gjithë t‘mirat,
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!