Share
Strategjia amerikane për të ndarë Rusinë dhe Kinën ka disa paralele me atë të BE-së për të shkëputur Serbinë nga influenca ruse, pavarësisht se duken në shikim të paër se kanë dallime thelbësore. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me përpjekje për të ndarë aleanca që perceptohet se ishin dhe janë të rrezikshme për interesat e Perëndimit. Megjithatë, ka faktorë që e bëjnë secilin rast unik.
Qasja strategjike e SHBA-ja ndaj Kinës dhe Rusisë, ashtu si edhe ajo e BE-ja ndaj Serbisë, synojnë të ofrojnë alternativa ekonomike, politike dhe diplomatike për të zbutur varësinë nga Moska. Në këtë rrafsh si SHBA edhe BE përdorin mjete ekonomike dhe diplomatike për të arritur qëllimet e tyre, qoftë përmes investimeve, marrëveshjeve tregtare, apo integrimit në organizata ndërkombëtare.
Në të dy rastet, Rusia është një faktor kyç që nuk e pranon lehtë humbjen e aleatëve të saj dhe reagon me presion politik, ekonomik dhe ushtarak.
Në këtë paralele, megjithatë, ka edhe diferenca të thella.
Rusia dhe Kina, pavarësisht partneritetit të tyre të fortë, kanë dallime historike dhe interesa që nuk përputhen gjithmonë. Ndërsa Serbia ka një lidhje emocionale dhe historike më të thellë me Rusinë, e cila e bën më të vështirë shkëputjen e saj nga Moska.
BE-ja ka premtuar Serbisë anëtarësim, por procesi ka qenë i ngadalshëm dhe shpesh zhgënjyes. Ndërkohë, SHBA ka vështirësi të shkëpusë Kinën nga Rusia sepse Moska dhe Pekini e shohin Perëndimin si një kërcënim të përbashkët.
Rusia dhe Kina janë të dyja superfuqi të mëdha dhe mund t’i rezistojnë më lehtë presionit amerikan. Në rastin e Rusisë kjo rezistencë u reflektua qartë në përballjen e lufëts për tri vjet rresht në Ukrainë dhe këmbëngulja për të mos hequr dorë nga objektivi strategjik i krijimit të Botës Ruse.
Ndërkaq Serbia, edhe pse me lidhje të forta me Rusinë, është më e varur nga BE-ja ekonomikisht dhe politikisht. Prandaj ky investim, në që të dy rastet, duket të jetë i gabuar.
Në rastin e SHBA-së përpjekja për të ndarë Rusinë nga Kina është shumë e vështirë dhe ka pak gjasa të ketë sukses në afat të shkurtër. Të dy vendet kanë një interes strategjik për t’u përballur me Perëndimin së bashku.
Ndërkaq në rastin e BE-së dhe Serbisë përpjekja e BE-së për ta tërhequr Serbinë në shikim të parë dukej më realiste, por ngecja e procesit të anëtarësimit dhe hezitimi i Brukselit, jo thjesht vtëm në raport me Serbinë, por me të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë për aderim në BE, e kanë bërë të pasigurt suksesin.
Në të dyja rastet, strategjia rezulton të jetë e gabuar.
Qasja e Trumpit në raport me Rusinë na kujton hapjen e Presidentit Richard Nixon në Kinë në vitin 1972, ku Uashingtoni shfrytëzoi ndarjen kino-sovjetike për të frenuar Moskën. Megjithatë, këtë herë, rolet janë të kundërta, pasi Shtetet e Bashkuara kërkojnë të angazhojnë Rusinë në një përpjekje për të dobësuar pozicionin strategjik të Kinës. Administrata parashikon angazhimin diplomatik, heqjen e sanksioneve të zgjedhura dhe uljen e mundshme të tensioneve mbi Ukrainën si mekanizma për ta rikthyer Rusinë në një marrëdhënie më të ekuilibruar me Perëndimin.1
Premisat e kësaj strategjie bazohen në stimuj të pastër transaksional, që nuk nuk mund të funksionojnë. Partneriteti i Rusisë sovjetike me Kinën komuniste atbotë kishte një shtrat të përbashkët ideologjik. Ky partneritet Rusi-Kinë ka vite, me theks nga përfundimi i Luftës së Ftohtë e tutje, është ndërtuar mbi kundërshtimin e përbashkët ndaj dominimit perëndimor.
“Të dy vendet përfitojnë nga bashkëpunimi ekonomik, stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe koordinimi diplomatik në institucionet shumëpalëshe si BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait.”2
Alenca BRICS de fakto udhëhiqet nga presidenti Putin, që konsiderohet si inicuesi dhe arkitekti i botës shumëpolare. Rendi i Ri Botëror në themel ka pikërisht këtë objektiv – krijimin e një bote shumëpolare. BRICS-it i mungon fuqia ushtarake që kanë SHBA-të, por atij nuk I mungon fuqia ekonomike, që me kalimin e kohës mund të jetë garancë e mirë për ngritjen edhe të krahut ushtarak. Shih për këtë, gjasat që Rusia të braktisë BRICS-in e sidomos partneritetin me Kinën, duken tjet jo realiste.
Deklaratat e fundit të Presidentit Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa dhe ndryshimet në rendin botëror kanë ngjallur diskutime të shumta mbi pasojat e mundshme për sigurinë ndërkombëtare dhe marrëdhëniet transatlantike.
Sipas burimeve diplomatike, Presidenti Trump ka propozuar një reduktim prej rreth 20,000 trupash amerikane në Evropë, që përbën afërsisht 20% të pranisë aktuale ushtarake amerikane në kontinent. Ky veprim synon rishikimin e angazhimit të SHBA-së në mbrojtjen e Evropës dhe kërkon që vendet evropiane të kontribuojnë më shumë financiarisht për mbulimin e kostove të trupave të mbetura, duke argumentuar se këto forca shërbejnë si parandalues dhe se kostot nuk mund të përballohen vetëm nga taksapaguesit amerikanë.
Megjithatë, disa liderë evropianë kanë shprehur besimin se SHBA-ja nuk ka plane konkrete për tërheqjen e tërsishme të trupave ushtarake. Presidenti polak, Andrzej Duda, pas një takimi me të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, deklaroi se “nuk ka absolutisht asnjë synim amerikan për të reduktuar aktivitetin në pjesën tonë të Evropës, veçanërisht në aspektin e sigurisë, ose për të ulur numrin e trupave amerikane”.3
Kjo ishte përgjegjia që i është dhënë alarmit të ngritur nga e përditshmja gjermane në shkrimin e saj me titullin: “Në rast të një marrëveshjeje mes Trump dhe Putin: Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane”.4
Deklarata të ngjashme u publikuan ndërkohë edhe nga komanda e NATO-s dhe zyrtarë amerikan në raport me Ballkanin.
Së fundmi, janë shfaqur raportime që sugjerojnë mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Ballkani, veçanërisht nga Kosova. Këto raportime në mediat e zotëruara nga oligarkët në Kosovë janë afishuar me shpejtësi drite!
Këto shqetësime u ngritën pas negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite, ku u spekulua se Rusia mund të kërkojë tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.
Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s kanë mohuar këto pretendime. Një zyrtar i Misionit të SHBA-së në NATO deklaroi se nuk ka pasur asnjë diskutim për reduktimin apo tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Po ashtu, një zyrtar i NATO-s theksoi se angazhimi i SHBA-së ndaj Aleancës dhe prania e trupave amerikane në Evropë mbeten të fuqishme, dhe se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në selitjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Aktualisht, SHBA-ja ka mbi 600 trupa të stacionuara në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Italia gjithashtu kontribuon me mbi 1,200 trupa në këtë mision.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e rajonit, duke rritur pasigurinë dhe inkrajuar Serbinë për veprime ushtarake në favor të politikave ekspansioniste tashmë të promovuara që ndërlidhen me objektivin për krijimin e Botës Serbe.
Në përgjithësi, pavarësisht spekulimeve, deklaratat zyrtare nga SHBA-të dhe NATO-ja konfirmojnë vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!