Quo vadis Shqipëria ime këtej Drinit!!

18
Oct
2023
Nga: Tritan Kalo

Kumte albanofobe dhe sllavofile edhe pas agresionit serb të 24 shtatorit në veri të Kosovës! Ata këtë kanë bërë prej shekujsh, po NE?
Gazetat proqeveritare me tam-tame shprehen pas Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor: “Tirana për një ditë qëndra e Europës”!
EUFORI boshe për një “organizim artistiko-koreografik” të një takimi me Perëndimorët, që në Preambulën e Bashkimit të tyre flasin për “bashkimin e vëndeve sovrane kristiane”.
Ballkani Perëndimor ka gjurmëzime myslimane dhe shqiptare, dhe në Hartën e zgjerimeve të BE-së pas Rënies së Murit të Berlinit kjo zonë e Europës që artificialisht nga Diplomacia franceze u emërtua “Ballkani Perëndimor” (jemi saktësisht në ish Illiricum Peninsula), është parashikuar t’u bashkëngjitet vëndeve të tjera jo më parë se viti 2032.
U fol për konfliktin Ukrainë-Rusi, Izrael-Palestinë, por jo për agresionin sërb në Veri të Kosovës. U fol për Planin Franko-Gjerman për Kosovën pa hedhur shumë dritë mbi të, por ndërkohë mentori politik i këtij plani Presidenti Francez mu në zemër të Tiranës, deklarohet për “pezullimin e vizave për Kosovën”, qytetarët e së cilës ishte parashikuar të lëviznin lirshëm në Hapësirën Shengen që prej 1 Janarit 2024 (!)
Kosova agresohet nga Serbia, Presidenti sërb e injoron Samitin dhe shkon në Pekin të takoj aleatët e tjerë të tij ruso-kinezë. KM i Dheut Amë nuk bëzan, por vetëm vijon “furçëzimet” ndaj atyre, që kurdoherë kanë qenë albanofobë, dhe të cilët ndër shekuj janë vënë vetëm krahas sllavëve.
Vijnë në Tiranë edhe përfaqësues të pesë vëndeve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Mëvehtësinë e Kosovës, dhe Shqipëria nuk bëzan një fjalë të vetme për këtë gjë, për këtë anormalitet të funksionimit të Politikës së Jashtme të BE-së!
Kosova është Shqipëri e Shqipëria është Kosovë, ndaj dhe fatet tona janë bashkërisht të lidhura. Jemi SHQIPTARË dhe për NE është e shënjtë SHQIPTARIZMA si dhe fatet e shqiptarëve në Trevat Arbërore të 28.11.1912.
Në selinë e Kryeministrisë në Tiranë më 2007 Presidenti i SHBA-së George W. Bush Jr, foli haptazi për shpalljen e Mëvehtësisë së Kosovës, dhe më 16.10.2023 Presidenti i Francës François Macron, shprehet haptazi për anullimin e vizave ndaj qarkullimit të lirë të kosovarëve në Hapësirat Shengen, si i vetmi vënd në EUROPË që nuk mundet të qarkullojë pa viza në këto hapësira.
KM im dhe i juaji njëkohësisht i kërkon BE-së se: “përse u ofron 4500 € në vit qytetarëve të saj, dhe vetëm 138 € qytetarëve të tjerë të vëndeve jo anëtare të BE-së”, kur këto vënde nuk janë taksapagues e kontribuese për Fondet e BE-së.
ËSHTË vetëm Qeveria e Shqipërisë përgjegjëse për zhvillimin e Shqipërisë si dhe mbrothësimin e Shqiptarëve, dhe jo Bashkimi Europian! SHTETBËRJA është përgjegësi vetëm e vetëm e Politikanëve shqiptarë dhe jo e atyre europianë…SHTETBËRJA nuk është “një telajo pikture që bojatiset sipas humorit e muzës” së një Kryeministri.
BOTA PERËNDIMORE nuk rresht për asnjë çast të shprehë kumte albanofobe dhe sllavofile edhe pas agresionit sërb më 24 Shtator 2023 në Banjskë të Veriut të Kosovës! Sanksione ndaj viktimave kosovare dhe shpërblime ndaj agresorëve terroristë serbë dhe NE na duket “bedelllëk” të vihemi në krah dhe në mbështetje të vëllezërve shqiptarë të Kosovës…
Bota Perëndimore kështu ka vepruar ndër shekuj, por NE vetë si shqiptarë a jemi meritorë për SHQIPËRINË dhe për SHQIPTARINË tonë?
Quo vadis Shqipëria ime këtej Drinit!!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk