“QUTEKI BULLGAR” SI METAFORË Е NDËSHKIMIT TË POPULLATËS SHQIPTARE TË SLLATINËS

20
Dec
2024
SHKRUAN: SYRJA ETEMI


“QUTEKI BULLGAR” SI METAFORË Е NDËSHKIMIT TË POPULLATËS SHQIPTARE TË SLLATINËS – NË KOHËN E OKUPACIONIT KU PËRFSHIHEN EDHE SLLAVË VENDASË
Dalin sot maqedonët dhe luajnë rolin e viktimës nga fashistët bullgarë, dhe, se, këta, pra maqedonët e Maqedonisë së Veriut – na paskëshin qenë të reshtuar në anën e koalicionit antifashist. Ja, në vazhdim do të japim dëshmi eklatante të banorëve të zonës, që sot i përkasin komunës së Tearcës:
Me 20 prill 1941, pas kapitullimit të Mbretërisë SKS, ndërmjet Italisë e Bullgarisë -në Vienë bëhet marrëveshja për ndarjen e territoreve të pushtuara. Ndërërmjet dy shteteve aleate të Gjermanisë dmth,Italisë dhe Bullgarisë,në Pollog, kufiri u caktua në këtë trajektore gjeografike: Siriçina me Shemshovën kalojnë në anën e Bullgarisë, Uzurmishti – në anën e Italisë. Vendoset vija kufitare ndërmjet fshatrave: Ratajë e Zhilçë, Neproshten e Leshkë, Otunjë e Varvarë, për të vazhduar në viset malore: Gjuri i Gjinit- në Bjeshkët e Sharrit, ku kanë qenë të etabluar edhe karaullët që i përkisnin territorit bullgar, prej nga italianët shfrytëzonin ujin e pijes, dhe, ku, shpesh ndodhnin përplasje të befta, që rezultonin edhe me shkëmbim zjarri.
Në këtë kontekst vlen të përmendet edhe fakti evident, se, “Pas caktimit të kufirit dhe tërheqjes së gjermanëve, së pari erdhën italianët. Ata e marrin f.Zhilçë dhe vendosen në Stacionin e Xhandarmërisë (policisë) në Leshkë. Pas dhjetë ditëve vijnë bullgarët, kështu që italianët lëshuan vendbanimin dhe stacionin në fjalë,bënë koncesion – në favor të bullgarëve,dhe u përqëndruan në Ratajë dhe Neproshten – si fshatra kufitarë. Ushtria bullgare, së pari vendoset në konaqet e Manastirit të Leshkës që, pas ca ditësh,me Shtabin e vet, të përqëndrohet në Tearcë (Pejçinovë), siç e quanin ata këtë vendbanim, pikërisht në shtëpinë e Mito Gandit, përballë shkollës fillore të këtij vendbanimi. Me shtabin komandonte nënkoloneli Kolev, e, mëpas nënkoloneli Jankov. T’u referohemi pakëz të dhënave që na jep në këtë kontekst, Zdravko Serafimovski-Zevs – autor i monografisë: “Nga Runishta e Otushishta deri te Tearca e sotme” (fq. 169):
“Si rezultat i propagandës së fuqishme bullgare në fund të sh. XIX dhe fillim të sh. XX dhe hapjes së mëhershme të shkollës ekzarkiste në v. 1888, Tearca për bullgarët tanimë llogaritej si fshat bullgarofil. Numri më i madh i kurbetqarëve që, rëndom punonin si bukëpjekës nëpër furrat e Bullgarisë, në masë të madhe determinonin simpatitë e qytetarëve. Kështu, pushtetarët e rinj bullgarë arritën që me aksionet e tyre propagandistike të përfshijnë edhe simpatizantët e banorëve vendasë. Si të tillë në Tearcë, shquheshin: Xare (Xako) Serafimovski dhe Tode Anov nga Otushishta.”
Këtë bashkëpunim me okupatorët bullgarë e shpreh edhe Ilija Petrushevski në monografinë: “Leshok”, 2004,fq.172, i cili, përveç tjerash shkruan: “Shumë maqedonasë nga Leshka, Sllatina,Tearca, Brezna etj. u rekrutuan në radhët e ushtrisë bullgare”. Me këto raporte kolaboracioniste, hiqte dhe pësonte popullata josllave e këtyre vendbanimeve, që, sot i përkasin komunës së Tearcës, e në vaçanti popullata e Sllatinës, pasi që ky vendbanim rrethohej të katër anët me popullatë sllave: Leshkë, Ratajë e Zhillçë, Tearcë e Breznë. Por, gati se të njëjtin fat e pësonte edhe popullata shqiptare e Tearcës, Dobroshtit e k.m.r.
Kështu, në pazarllëqet e pushtuesve nazifashistë, kur Sllatina bie ndër juridiksionin bullgar, kufiri famëkeq i të cilit do të piketohet, siç përmendëm: ndërmjet Leshkës dhe Neproshtenit, në këtë kufi artificial vriten shqiptarët sllatinasë: Qamil Etemi dhe Xhemali Xhelili, kurse më vonë, edhe Musli Shaqiri. Këta dy të parët varrosen nja 200 m. në jug të Stacionit (të dikurshëm) të Xhandarmërisë – në Leshkë, në prezencë të tetë familjarëve të tyre dhe, nën mbikqyrjen rigoroze të ushtarëve bullgarë, duke mos lejuar në asnjë mënyrë zhvillimin e kurrnjëfarë ceremonie fetare varrimi. Musli Shaqiri vritet nga sllavët e Neproshtenit, më 19.11.194?
Për këtë shkak, bijtë më të mirë të fshatit në fjalë, si: Elmaz e Sejdi Misimi, Refet Islami, Abaz Etemi, Nazmi Iljazi, Xhelil Xhelili, Aqif Saliu, Abdulla e Aliriza Qerimi, Zejnulla Beadini, Sali Kasami, Rexhep Limani – Etemi etj., do të zhvillojnë një veprimtari patriotike për t’u çliruar nga zgjedha sllave. Pas dëbimit të okupatorit, ku morrën pjesë edhe shqiptarët, duke luftuar përkrah popujve tjerë e, duke menduar se do të realizojnë ëndrrën e tyre për bashkim kombëtar të shqiptarëve,në fakt ndodhi e kundërta: jo që kjo ëndërr nuk u realizua, por mbi ta fillon të ushtrohet një dhunë edhe më e përshkallëzuar nga monstrumi partizano-komunist, terror nga i cili përfshihen edhe sllatinasët. Pikërisht në përfundim të luftës, më konkretisht në vitet 1944-45 ndaj shqiptarëve do të ushtrohet një reprezalie e paparë nga partizanët, të cilët deri dje, siç cekëm më lartë, kishin qenë çetnikë e të ndihmuar nga sllavët vendasë.
Në vazhdën e këtij kalvari, janë edhe pushkatimet (pa gjyq) të shqiptarëve, në fshatrat me popullatë dominante shqiptare, sidomos në Tearcë, ku vriten 7 shqiptarë nga po ky fshat: Zejnulla Muaremi, Shaban Shabani, Jahja Limani, Munip Aliu, Hasan Selmani, Adem Misimi dhe Izair Ismaili. (Në Tearcë ka qenë edhe Komanda e forcave “hibride” partizano-komuniste, të ndihmuara edhe nga disa shqiptarë të vendit.
Përderi sa në Tearcë u vranë mizorisht fshatarët që i përmendëm, në Sllatinë, në të njëjtën ditë, në mes të fshatit (Te Xhamia) do të rreshtohen për pushkatim sllatinasët: Islam Ramadani, Llokman Dalifi, Ferat Sadiku, Sali e Raif Shemsedini (vëllezër), Sulejman e Abaz Etemi (babë e bir), Ramiz Xhelili, Abdulla e Aliriza Qerimi (vëllezër), Murat dhe Aziz Idrizi (babë e bir), kur, në momentin e fundit do të vijë një urdhër (një person hypur në kalë thuhet se ka qenë femër duke dhënë shenjë) të ndalin ekzekutimin, e, kështu të gjithë këta burra do të shpëtojnë nga vdekja e sigurt. Disa nga këto burra do të veçohen nga rreshti, e do të burgosen në burgun e Monopollit, si:
Musli Abdullahi. Në këtë kontekst vlen të përmendet Monopoli, golgotën e të cilit e përjetuan edhe sllatinasët: Ramiz Xhelili, Abaz Etemi, Shefit Latifi, Musli Abdullahi dhe Refet Islami. Nga e gjithë kjo katrahurë e pllakosur në këtë zonë dhe ndaj kësaj popullate rezidente, ende edhe sot e kësaj dite përdoret shprehja frazeologjike: “Du hash qutek bullgari”, me rastin kërcënimit, kanosjes, apo të ushtrimit të dhunës ndaj ndonjë personi “rebel”.
Përkundër gjithë këtyre represaljeve e torturave, popullata e kësaj ane nuk do të prajë së vepruari edhe pas instalimit të shtetit komunist që zgjati një gjysmë shekulli.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk