R e f l e k s e KODI I MASHTRIMIT – TRADHTI NDAJ KOMBIT

25
Jun
2024
Shkruan: Akademik Abulla Mehmeti

·
R e f l e k s e
Sikurse në periudhat e mëhershme të historisë, prijësit shqiptarë gati gjithmonë kanë qenë të etshëm për pushtet, famë personale dhe përfitime materiale (edhe nga pushtete e huaja dhe armiqtë e tyre). Kjo mund të shpjegohet nga fakti se shqiptarët kanë qenë drejtuesit kryesorë të perandorive më të mëdha që njeh historia e njerëzimit, nga edhe e kanë trashëguar këtë ves të lig, më herët si sundues, e më pas si përkrahës dhe admirues të sunduesve të huaj.
Këtë ves shkatërrues të vetes së tyre, prijësit shqiptarë e kanë ruajtur deri në ditët e sotme, me tipare më të theksuara janë drejtuesit e politikës dhe pushtetit në Maqedoninë Veriore, nga pavarësimi i këtij shteti deri në ditët e sotme.
Nuk mund të nxjerrim përfundime të sakta, nëse këto veprime lidhen vetëm me ndikimin e faktorëve të jashtëm, nga pushteti vendës apo nga shërbimet e huaja sekrete, përderisa nuk i analizojmë prirjet individuale të krerëve udhëheqës të partive politike të shqiptarëve, përderisa ata që janë në pushtet hapur janë të interesuar të mbeten gjithmonë në pushtet, pavarësisht nga kushtet e rrethanat, nëse kjo u lejohet. Ndërsa, gati gjithmonë drejtuesit e partive të opozitës janë të gatshëm ta pranojnë çfarëdo kushti e kompromisi me pushtetin vendës, vetëm që ta zënë e vendin e pushtetarëve të mëparshëm, të pozitës, pavarësisht nga pasojat që mund të sjellin me këto veprime për interesat e përgjithshme të shqiptarëve në këtë shtet.
Kështu kanë vepruar në të kaluarën drejtuesit e partive shqiptare, për ta zënë vendin e njëri-tjetrit në pushtet, që nga partitë e para politike; ata të PDSH-së vendin e pushtetarëve të PPD-së, ata të BDI-së vendin e atyre të PPD-së dhe PDSH-së, sikurse tani këta të koalicionit VLEN për ta zënë vendin e pushtetarëve të BDI-së dhe koalicionit të tyre.
Kjo etje për pushtet, famë personale dhe përfitime materiale, sigurisht që ua ka errësuar sytë dhe mendjen gjithmonë prijësve të politikës shqiptare, pa mbajtur llogari se cili është interesi kolektiv i shqiptarëve në këtë shtet dhe cilat janë mundësitë e këtyre subjekteve politike dhe drejtuesve të tyre për t’i mbajtur premtimet e veta nga fushatat parazgjedhore dhe për t’i mbrojtur interesat kolektive të shqiptarëve.
Këtë të vërtetë mund ta kuptojë lehtësisht secili qytetar i rëndomtë, pa bërë analiza të hollësishme profesionale dhe institucionale, përderisa asnjë drejtues i partive politike dhe pushtetar shqiptar deri më sot nuk ka mbetur i paprekur nga ky ves i lig, i veshjes me pushtet më pas i pasurimit të paligjshëm me përmasa të mëdha.
Përkundër kësaj, asnjëri nga këta politikanë dhe pushtetarë deri më sot nuk ka dhënë llogari se si ka arritur të pasurohet në këto rrethana, kur shumica e banorëve shqiptarëve vendës janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për mungesë sigurie, nga papunësia dhe kushtet tejet të rënda për mbijetesë dhe jetë normale.
Shndërrimi në multimilionerë i politikanëve vendës, përmes politikës dhe pushtetit, sigurisht se nënkupton heshtjen e tyre përpara katastrofës edhe fatkeqësisë kolektive të shqiptarëve, popullit të tyre të cilin këta politikanë e pushtetarëve pretendojnë se e kanë përfaqësuar dje dhe vazhdojnë ta përfaqësojnë sot.
Ky tip i njerëzve të pafytyrë, pa moral dhe dinjitet njerëzor, sipas përvojës historike, gjithmonë kanë përfunduar me turp dhe kam mbetur faqja më e zezës e këtij kombi gjatë historisë. Pse mendojnë se mund të bëjnë përjashtim këta politikanë dhe pushtetarë të sotëm, përderisa jetojnë me sy e mendje të errësuar, sot në mbrojtjen e pushtetit dhe në hijen e luksit që bëjnë ata, familjet e tyre dhe klanet mafioze përreth tyre.
Sigurisht se, në radhët e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarëve të këtij vendi ka edhe të tillë që janë kujdesur të mos e përlyejnë punën dhe figurën e tyre me vepra të këtilla të liga. Ka tepër pak prej tyre, por populli i njeh mirë dhe i nderon ata, për aq sa kanë ditur e sa kanë mundur të bëjnë për të mirën e përgjithshme të shqiptarëve të këtij vendi.
Mësimi që kemi arritur ta marrim nga e kaluara historike është tepër i qartë: askush dhe asnjëherë nuk ka mundur të vishet me pushtet e të pasurohet nën regjimet e huaja, pa e mbajtur në ballë vulën e tradhtisë, për shitjen e interesave kombëtare për interesa personale, pushtet, famë dhe pasuri!
(25. 6. 2024)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/06/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk