Rama si mercenari i fundit i Italisë Europiane kundër emigrantëve

10
Nov
2023
Shkruan: Dritan Goxhaj


Një shprehje thotë: ‘Djalli ose fshihet në detaje, ose pas detajeve’.
Rama, kryeministri ynë (që mos qoftë), është mjeshtër për të fshehur djallin edhe ne detaje, por edhe pas detajeve.
Pas lajmit se ai tashmë kishte bërë një marëveshje me Italinë për të ndërtuar kamp për mbajtjen e refugjatëve që Italia zë në det, në vend që të japë llogari dhe përgjigje se pse e mori një vendim të tillë, përse e pranoi një kërkesë të tillë, dhe a ka pasur presion nga BE-ja apo nga vetë Italia për këtë gjë, ai ka gjetur mënyrën më origjinale të shmangies së dhënies së llogarisë.
Jo vetëm se kurrë në jetën e tij ai qoftë edhe një herë të vetme nuk ka dhënë llogari dhe as ka mbajtur përgjegjësi për ato që bën e thotë, por gjithnjë në vend të përgjegjësisë ka ngritur në art formën e akuzës retorike për të fshehur djallin, në ose pas detajit.
Edhe në këtë rast doli para gazetarëve dhe, në vend të përgjigjej, kërkoi llogari në formë retorike duke thënë: “Është thënë që do jenë dy kampe. Atëherë po ju them që nuk është e vërtetë, do jetë vetëm një kamp. Kush thotë dy kampe, gënjen”.
Ashtu siç edhe shihet, e nisi me një akuzë retorike në fjalinë e parë. Pastaj, e nis të dytën me një mohim të së parës, por në pjesën e dytë duke tentuar të bëjë gjoja transparentin, ai bën automatikisht legjitimimin e asaj që ka nënshkruar dhe e bën atë fakt të kryer duke ju shmangur totalisht përgjegjësisë.
Dhe kështu, që me fjalinë e parë ata që e dëgjojnë fillojnë mendojnë se kush janë ata që kanë thënë dy kampe dhe, kur dëgjojnë fjalinë e dytë, atëherë ndihen të relaksuar dhe thonë me vete “Shyqyr që është vetëm një kamp të paktën!”. Pra, automatikisht, me këtë mënyrë të shprehuri Rama si mjeshtër i manipulimit publik godet në psiqikën e dëgjuesit direkt, në anën vizive të gjësë, që gjithnjë mendon se e keqja më e vogël është gjithnjë zgjidhja më e mirë.
Dhe, në këtë rast, e keqja më e vogël është që do të kemi vetëm një kamp e jo dy.
Pas kësaj faze e kanë rradhën patronazhistat dhe sahan-lëpirësit e partisë dhe pushtetit, të cilët kanë për detyrë që të elaborojnë vetëm fjalinë e tretë të prestigjatorit manipulues Ed(vin) Rama. Tani ata kanë detyrë të “zbulojnë” dhe “evidentojnë” gënjeshtarët që përmendi Kryeministri.
Po do thoni ju ‘ku është djalli këtu’?!
Pikërisht djalli, që në këtë rast është “marrëveshja” vetë, e cila nuk diskutohet më.
Nuk do të merret më kush me marrëveshjen dhe të kërkojë llogari ose të nisë të protestojë kundër saj, pasi tani njerëzit kanë diçka tjetër për tu marrë, duhet të merren me “ ata që gënjyen” për numrin e kampeve.
Qëllimi i gjithë kësaj marrëveshjeje që Rama ka bërë është që të delegojë jashtë BE-së paraburgimin, të parandalojë emigrantët që të arrijnë kufijtë e jashtëm të BE-së, duke e kthyer Shqipërinë, në këtë rast, në një postë kufitare. Dhe për këtë nder BE-ja mbështet çdo lloj regjimi autoritar e të korruptuar të mundshëm.
Ajo që duket vetëm si një marrëveshje e një shteti anëtar të BE-së në këtë rast është një politikë e BE-së e cila kalon nëpërmjet vendeve anëtare të saj. Me këto lloj marrëveshjesh individuale, në fakt, BE-ja po ndjek atë që konsiderohet si “Modeli australian”, që është kritikuar shumë nga OKB-ja. Ky lloj modeli që pasqyron direkt atë australian nuk fokusohet tek të drejtat e emigrantëve, ashtu si po mundohet ta paraqesë këtë marrëveshje Italia dhe Rama, por synon frenimin me çdo kusht dhe shtyrjen e azil-kërkuesve të mundshëm larg Evropës.
Kush ka dyshim se pas kësaj ndodhet vetë BE-ja, mjafton të shohim vendimin e Komisionit Europian në 2020 që njihet si “ Pakti i ri për emigracionin dhe azilin”. Një nga shtyllat kryesore të politikave kufitare europiane të këtij Pakti është delegimi i këtyre qendrave të ndalimit në shtete të treta me të cilat vendet anëtare të BE-së nënshkruajnë marrëveshje direkte e që, në këtë rast, do bëjnë rojen kufitare të BE-së.
Kështu, vendet kandidate si Shqipëria që dëshirojnë të anëtarësohen në BE duhet të zbatojnë politikat e ndalimit të emigrantëve siç diktohen nga Europa, nëse duan që kandidatura e tyre të konsiderohet.
Kjo gjë nuk është se mbron Ramën nga përgjegjësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë, të cilën nesër të na e prezantojë se e ka bërë për të mirën tonë që të hyjmë në Europë. Kjo është edhe një nga arsyet që opozita nuk angazhohet seriozisht në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje.
Pavarësisht se tani qeveria do të hidhet në sulm me anë të shërbëtorëve puthadorë të pushtetit për ta paraqitur këtë marrëveshje në forma të ndryshme, duke u bazuar mbi terminologji të ndryshme të këtyre qendrave, që shpesh i quajnë ambiente akomodimi, ose platforma zbarkimi, ose çfardo lloj forme tjetër gjuhësore që mund t’i vënë kësaj marëveshje, llogjika bazë mbetet ajo e emigrantit të padëshiruar, lëvizja e të cilit duhet të ndalohet, të përmbahet dhe të mos kthehet në një problem të Europës.
Edhe pse në këtë rast BE-ja dhe vetë qeveria Rama përdorin një gjuhë të të drejtave të njeriut, të përgjegjësisë së përbashkët dhe solidaritetit, e gjitha kjo është thjeshtë retorikë boshe e asgjë më shumë se kaq, pjesë e mashtrimit publik.
Politikat kufitare të kësaj Europës, ku po tentojmë të hyjmë me çdo kusht, janë vdekjeprurëse dhe bazohen në parandalimin dhe frenimin me çdo kusht të emigrantëve.
Edhe pse në letra Europa nuk ka fonde të veçanta për këtë lloj platforme, në realitet fondet do të vijnë nga Fondet e Bashkëpunimit për Zhvillim, Financimi i Ndihmës Para Anëtarësimit, Fondet për Dialogët dhe Proceset e Emigracionit, të cilat kalojnë nëpërmjet Trustit të Emergjencave të BE-së, buxhetet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), si dhe nga Politika Europiane e Lagjes.
Rruga për të arritur deri këtu ka nisur që në vitin 2004 kur Këshilli i BE-së u dakordësua në parim për “Krijimin e kampeve të pritjes për azilkërkuesit”. Pastaj, në 2014, Ministri i Brendshëm i Gjermanisë i hoqi pluhurin planit të 2004-ëd duke propozuar ngritjen e “Qendrave të tranzitit”, të cilat duhet të mbikqyreshin nga UNHCR-ja. Ndërsa në dhjetor të 2016 Ministri i Jashtëm i Austrisë, në atë kohë Sebastian Kuntz, i lutet Europës që të fillonte të aplikonte “Modelin australian”.
Edhe pse në atë kohë BE-ja e kundërshtoi propozimin, ajo kishte kohë që po merrte këshilla nga Australia për çështjen e emigrantëve, ku vetëm një muaj më parë, në nëntor të po atij viti, Australia, edhe pse nuk është një vend anëtar i BE-së, kishte marrë pjesë në Takimin e Parë të Rrjetit të Bashkëpunimit të Rojeve Bregdetare Europiane.
Dhe në 2018 Komisioni Europian e rishikoi idenë e propozuar nga Kuntz dhe propozoi ngritjen e “Platformave të zbarkimit” kryesisht në Afrikën Veriore. Dhe në 2020 kulmoi me publikimin e Komisionit Europian të Paktit të Ri mbi Emigrimin dhe Azilin, i cili mbështetet kryesisht në ndalimin e atyre që përpiqen të hyjnë në Europë në objekte të vendosura jashtë juridiksionit të BE-së të cilin e ka quajtur “ skanim të detyrueshëm para hyrjes”.
Aktualisht, në Ballkan, qendra të tilla si ajo që ka marrë përsipër Rama të hapë në Shqipëri ka në Bosnje- Hercegovinë, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovë. Shqipëria deri tani është i vetmi vend që nuk posedon një të tillë.
Para se Rama ta nënshkruante këtë marëveshje ne ishim “Mohikanët e Fundit”.
Dhe Rama e nënshkroi me Italinë këtë marrëveshje, pasi Italia ka qenë në krye të vendeve të BE-së për realizimin e këtyre qendrave. Ajo e ka filluar këtë që në vitin 2000, duke financuar ngritjen e qendrave të tilla në Libi dhe Tunizi.
Megjithatë, Rama nuk është i pari që ka nënshkruar një marrëveshje të tillë.
Një marrëveshje afërsisht të ngjashme, por që nuk përfshin ngritjen e kampeve në të, ka nënshkruar edhe qeveria socialiste e vitit 2009 me FRONTEX dhe që njihet si “marrëveshje pune” dhe parasheh ndihmën për të lehtësuar punën e FRONTEX-it në ndalimin dhe kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të origjinës.
Pavarësisht se e gjitha kjo është një lojë e kamufluar e BE-së, të paktën, në mos vetë Rama, atëherë ata që po bëjnë dhe do bëjnë apologjetin për Ramën dhe marrëveshjen në veçanti, të na thonë se përse para dy vitesh Rama deklaronte po para gazetarëve se “ Shqipëria nuk do jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre”
(https://lapsi.al/…/qesharake-perbetimi-i-rames-dy-vite…/
).
Çfarë të ketë ndryshuar vallë që pas dy vitesh Kryeministri ynë ndërron qëndrim për 180 gradë?!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk