Drejtuar:
Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB),
Amnesty International
Human Rights Watch,
Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Subjekti:
Denoncim i shkeljeve të rënda
të të drejtave të njeriut dhe përdorimit të terrorit shtetëror nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut ndaj të dënuarve politikë dhe familjarëve të….
Genci Sefa,
Esat Kafexholli,
Sulejman Osmani,
Fejzulla Rushiti dhe
Demë Shehu.
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare!
Ne, të dënuarit politikë të njohur si
“Grupi i Kumanovës”, të cilët aktualisht vuajmë dënimin në burgun e Idrizovës
në Maqedoninë e Veriut, ndjejmë obligim moral dhe ligjor të denoncojmë para jush një akt barbar dhe flagrant të dhunës shtetërore,
i cili përbën shkelje të rëndë të të gjitha normave (standardeve) ndërkombëtare, për të drejtat e njeriut.
Më 25 prill 2025, gjatë një vizite të rregullt familjare në ambientet e burgut të Idrizovës — e lejuar me vendim të brendshëm dy herë në muaj,—forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Maqedonisë së Veriut, të armatosura rëndë, ndërhynë me forcë brutale në sallën e vizitave, pa asnjë paralajmërim dhe në mungesë të çdo justifikimi ligjor.
Në prani të mbi 30 familjarëve,
duke përfshirë gra shtatzëna, fëmijë
të mitur dhe të moshuar, autoritetet policore ushtruan terror psikologjik
dhe dhunë fizike, duke i neutralizuar
të gjithë nën kërcënimin e armëve.
Në mënyrë të veçantë, bashkëluftëtari
ynë Demë Shehu u dhunua dhe u largua forcërisht në prani të fëmijëve të tij, pa dhënë asnjë informacion mbi gjendjen e tij fizike dhe vendndodhjen e tij
deri në këtë moment.
-Ky akt brutal përbën një shkelje të rëndë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neneve 3, 5 dhe që ndalojnë trajtimin çnjerëzor dhe degradues, ndalimin arbitrar dhe cenimin e jetës private dhe familjare.
Poashtu, ky sulm përbën përdorim të forcës së tepruar dhe joligjore ndaj civilëve, për të cilin Maqedonia e Veriut duhet të mbahet përgjegjëse sipas standardeve
të së drejtës ndërkombëtare.
Ne, theksojmë se:
Shkeljet ishin të planifikuara dhe sistematike, duke tejkaluar karakterin
e një incidenti të izoluar; familjarët tanë, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, janë subjekt aktual i traumës psikologjike dhe pasojave të rënda shëndetësore.
Kërkesat tona për ndihmë mjekësore
u refuzuan në mënyrë të qëllimshme.
Autoritetet e burgut nuk kanë dhënë deri më sot asnjë sqarim zyrtar për këtë ndërhyrje të dhunshme dhe të pajustifikuar.
Në këtë kontekst, ne kërkojmë me forcë:
1.
Një hetim të pavarur dhe të paanshëm ndërkombëtar, mbi ngjarjen e datës 25 Prill, 2025 në burgun e Idrizovës.
2.
Ndëshkimin penal dhe disiplinor të të gjithë autoriteteve përgjegjëse, për këtë
akt terrori shtetëror;
3.
Zbatimin e masave urgjente mbrojtëse, për të dënuarit dhe familjarët e tyre;
4.
Ndërhyrjen e organizatave ndërkombëtare, për të monitoruar trajtimin e të burgosurve politikë në Maqedoninë e Veriut;
5. Sanksionimin diplomatik të autoriteteve maqedonase, nëse provat për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut konfirmohen.
Në, jemi dëshmitarë të gjallë të një sistemi që po përdor represion dhe terror për të shtypur zërat kundërshtarë politikë.
Ne, refuzojmë të nënshtrohemi dhe kërkojmë drejtësi!
Në emër të “Grupit të Kumanovës”:
Burgu i Idrizovës, Maqedonia e Veriut
26 Prill, 2025
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!