Reagim ndaj debatit në RTK për figurën e Enver Hoxhës

09
May
2025
Shkruan: Xhemil Zeqiri

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Televizioni i Kosovës, RTK, zhvilloi së fundmi një debat mbi temën “Enver Hoxha i Kosovës dhe Enver Hoxha i Shqipërisë”, i moderuar nga gazetari Korab Lecaj. Në studio ishin të ftuar profesorët Agim Zogaj dhe Begzad Baliu nga Kosova, si dhe profesor Hasan Bello nga Tirana.

Që në hyrje, debati u shoqërua me terma të papërshtatshëm ideologjikë që vinin erë propagandë titiste – një diskurs i ndërtuar për dekada për të përçuar një narrativë armiqësore ndaj periudhës së socializmit shqiptar dhe veçanërisht ndaj Enver Hoxhës. Termat si “Shqipëria komuniste” dhe etiketime të tjera si “reaksionare” ndaj mbështetësve të Enverit janë trashëgimi e aparatit propagandistik të Komitetit Qendror të LKK-së, që pas vitit 1981, e deri në transformimin e saj në LDK, vazhdoi të mbillte urrejtje ndaj çdo mendimi kombëtarist shqiptar.

Profesorët Begzad Baliu dhe Agim Zogaj, në këtë debat, u përpoqën me qartësi dhe argumente të ruajnë seriozitetin dhe balancën. Përballë tyre, fatkeqësisht, qëndroi një pozicion ideologjik i njohur tashmë për qasjen e tij antikombëtare.

Disa të vërteta që nuk mund të fshihen me etiketime ideologjike
Konferenca e Paqes në Paris, 1946 – Britanikët dhe amerikanët refuzonin praninë e delegacionit shqiptar, duke pretenduar se përfaqësimi shqiptar i takonte Titos. Vetëm pas këmbënguljes së Bashkimit Sovjetik, Shqipëria u përfshi dhe Enver Hoxha deklaroi hapur: “Nuk kam ardhur për të lëshuar, por për të kërkuar llogari për padrejtësitë ndaj kombit tim.”

Përplasja në Moskë me Hrushovin, 1961 – Enver Hoxha mbrojti me vendosmëri pavarësinë kombëtare dhe ideologjike të Shqipërisë, duke refuzuar përuljen ndaj Bashkimit Sovjetik dhe duke zgjedhur rrugën e vështirë, por të ndershme, të sovranitetit.

Lenini dhe Shqipëria – Ishte Lenini ai që për herë të parë denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku parashikohej ndarja e Shqipërisë mes Greqisë, Italisë dhe Jugosllavisë. Nuk është çudi që Bajram Curri e quante atë me respekt “Hazreti Lenini”.

Roli i Jusuf Gërvallës dhe Enver Hoxhës – Në Kongresin e 8-të të PPSH-së, Jusuf Gërvalla kërkoi themelimin e një partie komuniste shqiptare në Kosovë. Por Enver Hoxha iu përgjigj: “Jo. Ju duhet të zhvilloni nacionalizmin shqiptar. Ai do të jetë shpëtimi juaj.” Kjo nuk ishte ndarje ideologjike, por një strategji kombëtare e menduar mirë.

Plani sekret i Ushtrisë Shqiptare për Kosovën – Sipas dëshmive të gjeneral Veli Llakës, Enver Hoxha në vitet ‘70 kishte përgatitur një plan konkret për ndihmën ushtarake ndaj Kosovës në rast të krijimit të kushteve ndërkombëtare të favorshme. Plani parashikonte çlirimin e territoreve brenda 6 orësh nëse nuk ndërhynte asnjë fuqi tjetër.

Pas 1990-ës: Shkatërrimi sistematik i gjithçkaje kombëtare
Viti 1989 shënon fillimin e një periudhe tragjike për kombin shqiptar. Nën parullën “Të shkatërrojmë komunizmin”, u dogjën mbi 600 fabrika, u zhdukën kooperativat, u prenë 600,000 rrënjë ullinj dhe u shkatërrua ekonomia shqiptare. Sloganet e rrejshme për “liri” sollën varfëri, zbrazje dhe shpopullim.

Sot jemi më pak se 3 milion shqiptarë në Shqipëri dhe më pak se 6 milion në gjithë hapësirën shqiptare. Sipas çdo logjike demografike dhe zhvillimore, duhet të ishim mbi 13 milion shqiptarë në Ballkan. Por mohimi i trashëgimisë kombëtare dhe përulja ndaj ideologjive të huaja na ka sjellë në këtë gjendje.

Enciklopedia Britanike e vitit 2004 e përmend Enver Hoxhën si “udhëheqësin komunist të Shqipërisë” – pa e quajtur as diktator, as tiran. Sepse historia e drejtë, vonon, por nuk harron.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk