Elmas Ademi / RAFI HALILI LUFTËTAR I PAEPUR NË MBROJTJE TË ATDHEUT

21
Oct
2023
Shkruan: Elmaz Ademi

Përgojimi i një njeriu të madh

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

është mënyra me të cilën një njeri

i vogël rreket të arrijë madhështinë.

(Edgar Allan Poe)

REAGIM RRETH LIBRIT
Rafi Halili Luftëtar i paepur në mbrojtje të Atdheut, e autorit Selajdin Fejzullahi, e botuar në shtator të vitit 2023 dhe e përuruar më10 tetor të po atij viti, në sallën “Rafi Halili” të UT-së.

Për Rafi Halilin mund të shkruaj çdo kush dhe çdo gjë. Por, çdo shkrim dhe çdo gjë që thuhet për të, nuk i bën nder Rafi Halilit.
Të shkruash për Rafi Halilin, duhet të jesh një ekspert i mirë, një hulumtues i mirë dhe të kesh aftësi të depërtosh në brendinë e tij, dhe aty ta zbulosh e ta gjesh atë forcë, atë energji, që e shtynte atë njeri që të ecë drejt, të flet drejt e të veproj drejt.
Selajdin Fejzullahi nuk ka qenë as afër Rafi Halilit, e jo më të ketë depërtuar në brendinë e tij.
Nuk e di çka e shtynë Selajdin Fejzullahin të meret me Rafi Halilin?
Si anëtar i familjes ka të drejtë të shkruaj për të, ka të drejtë të flet e të krenohet me të, të shpreh ndjenjat e respektit për të, por duke e vlerësuar drejt në mënyrën më të sinqertë e pa prapavijë. Libri është i stërmbushur më të pavërteta dhe gënjeshtra, të cilat nuk i bëjnë nder Rafi Halilit, po, as edhe vet autorit.
Kjo më shtynë që ta krijoj një bindje të dyshuar, se ata që nuk mundën ta gjunjëzojnë sa ishte gjallë, mundohen të gjejnë shteg arsyetimi.
Pas një përshkrimi të shkurtër të historikut të familjes Halili, fillon të flet për Rafiun.
Në librin, Rafi Halili luftëtar i paepur në mbrojtje të Atdheut, në faqen 12-të shkruan: ,,Pikërisht këtu ( pas demonstratës së vitit 1968 E.A.) fillojnë veprimtaria organizative e lalë Rafiut, bashkë me Gafur Lokun, të dy bashkë vendosin të ngritin Organizatën që do ta emërojnë ,,Kushtrimi Lirisë”, Organizata politiko- ushtarake, fillojnë të organizohen duke ofruar anëtarë në Maqedoni dhe në Kosovë.

Nga Tetova do të anëtarsohen:

*Rafi Halili – Kryetar i organizatës

*Gafur Loku – Sekretar

*Rushit Nesimi

*Elmaz Ademi

*Ajet Ademi

*Shpëtim Pollozhani

*Shefit Ilazi

*Baki Ajvazi (ka një histori të hidhur por e vërtëtë)
Nga fshati Gajre:

*Zeqirja Nuhiu
*Ferik Fuati
*Mislim Aliu
Nga Kosova:
Fatmir Sejdiu (ish kryetar i K.)
Agim Agimi nga Gjilani
Autori i librit, Salajdin Fejzullahi, na jep një argument të pasaktë dhe të pavërtetë sa i përket kohës dhe anëtarëve.
Organizata ,,Kushtrimi i Lirisë” zanafillën e ka diku kah mesi i prillit të vitit 1972 në Prishtinë, e jo në vitin 1968 siç thotë autori.
Themelues të Organizatës kanë qenë: Rafi Halili, Gafur Loku, Elmaz Ademi, Muhamet Saliu dhe Xhevahir Aliu, diçka pak ma vonë bashkangjitet edhe Rushit Nesimi dhe shumë të tjerë. Kurse, Shpëtim Pollozhanin dhe Shefit Ilazin i kemi takuar diku kah mesi i shkurtit të vitit 1973, në burgun e Idrizovës ku ishin duke e mbajtur dënimin.
Deri në atë kohë, nuk jemi njohur mes veti, e jo më të kenë qenë anëtarë të Organizatës. Sa i përket, Fatmir Sejdiut dhe Agim Agimit kanë qenë të një gjenerate me Rafiun në fakultet, natyrisht që kanë biseduar mes vedi, po nuk bëhet fjalë për anëtarësim në Organizatë, pasi organizimi në Kosovë, ishte shumë hapa para se tek ne, në Maqedoni.
Në faqen 53 të librit, tregon një përrallë, sesi Tasim Voka paska punuar në një kazermë ushtarake në Prishtinë. Një ditë del më vonë nga puna dhe e len çelë derën e depos së armëve. Del në qytet e takon Rafiun dhe i tregon se terreni për veprim është gati. Depoja e armëve në kazermën ushtarake të Jugosllavisë e pa kyçur dhe pa roje, çudi ?!!!. Rafiu dhe Gafuri futen fshehurazi, marrin një sënduk me armë automatike, tesha dhe dalin pa therë në këmbë.
Pastaj, sikur të ishte sënduk me çokollata, pa fije problemi me ndihmën e Fatmir Sejdiut, i kanë dërgue në Gjilan?!!!
Përralla me Tasim Vokën vazhdon edhe në faqen 54, 55, me avanturat e tija.
Sa i përket komentimit të letrës që Rafi Halili ja ka dërguar babait të Rexhep Malës, letrën në original e keni të botuar në librin: “Rafi Halili dhe Organizata ,,Kushtrimi I Lirisë” botuar në vitin 2015 nga Instituti i Historisë ,, Ali Hadri” Prishtinë.
Në faqen 89 të librit shkruan: “Për shumicën që nuk e dinë, dhe do t’u duket abstrakte si në viset shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovë, gjithcka ka bërë Aliu për Rafi Halilin dhe familjen e tij, mbase nuk është folur deri në botimin e këtij libri, Ali Ahmeti do ta ndihmoj Rafiun dhe familjen e tij.
Kur takoheshin në evenimente apo përvjetor të ndryshëm, Rafiu i thoshte:
“Kujdes mos shkel mbi amanetin e shokëve të idealit, amanetin e dëshmorëve të tri luftërave, por, amanetin e shumë brezave çoje deri në fund, ky amanet është të bashkohet Shqipëria”.
Ali Ameti e përshëndeste me grusht mbi vetull e ballin lartë dhe i thoshte: “Assesi nuk e harroj dhe amanetin do ta çojmë në vend”. Të gjitha këto ndihma dhe këto premtime të Ali Ametit ndaj Rafiut, autori do t’i mohon duke i përdorë fjalët e Rafiut në fund të faqes 90-të kur shkruan, citoj: ,,Sot, kur nuk e kemi Rafiun në mesin tonë, na vijnë vërdallë në kokë, fjalët që i thoshte, UDB_ja, (DBK) i ka krahët e shtrirë gjithandej, po të shohësh familjet e atdhetarëve, janë mos ta them më keq se në sistemin monist, titist”. Është e vërtetë se një kohë i caktuan Rafiut një rrogë minimale, të cilën Rafiut ja paraqitën si një lloj pensioni. Rafiu, nuk ishte aspak i kënaqur me të, nuk donte ta pranonte, por e bindëm diqysh. Pas një kohe donte ta refuzonte. Më thoshte, “Elmaz, ky nuk është pension”! Unë nuk e di nga vijnë këto para?! Rafiu, nuk i donte paratë.
Rafiu, donte një pension sado i vogël që të ishte ai. Rafiu donte që përmes këtij pensioni ta legjitimon veprimtarinë e tij dhe të vërtetohet sesa pushtet kan pushtetarët (shërbëtorët) tanë. Rafiu, nuk e donte ndihmën vetëm për vete. Ai donte lirinë e popullit, donte mirëqenien e gjithë popullit.
Sa i përket krekosjes së autorit se, nga Afrika është interesuar për ta dërguar Dr. Arben Taravarin te Rafiu, ndoshta ka të drejtë. Nuk është e vërtetë se Arben Taravari, ka qenë disa herë te Rafiu.
Ai ka qenë vetëm një herë edhe atë, jo si mjek por si vizitor i rëndomt.
Ne ia kishim bërë të gjitha analizat dhe incizimin e thellë Rafiut. Kur morëm vesh se do të vjen Arben Taravari, thamë se do të na e lexon edhe incizimin.
Ai erdhi me duart në xhepa, bisedoi me shoqen e Rafiut, dhe i tha: vazhdoni me terapinë që ja kishte caktuar mjeku paraprak.
Më e keqja ishte se na tha se do të vjen të mërkurën, e kur nuk erdhi të mërkurën na tha se do të vij të shtunën.
-Kjo më detyroj që ta bëj një shkrim që është publikuar më 26 .02 .2021 në rjetet sociale ku theksoj, se Rafi Halili ka bërë kontratë me sëmundjen dhe me vdekjen, se as nuk sëmuret e as nuk vdes derisa të vjen Taravari.
Në faqen 134 të librit që është edhe faqja e fundit shkruan:
“Nuk më rrin zemra e as shpirti për fund të shkruaj: Derisa, Rafiu ishte me bagëtinë lart, me atë shëndet të brishtë, por memorien e kishte të fortë. Do e fus në thonjëza se, ka një pikëpyetje të madhe.
“Shokë” të Rafiut edhe kur kishte nevojë për ndihmë morale dhe fizike, unë i thirrja të më ndihmojnë për Rafiun, përgjigjet ishin se botëkuptimi i tyre me të Rafiut ishin ndryshe dhe nuk vinin…
Pas vdekjes nxorën kokën dhe trumbetonin se jemi shokët e Rafiut.
Nuk e di a pati Rafiu shokë në ditët e vështira, kur ai kishte nevojë”…?
A është i vetëdijshëm autori se çka ka shkruar?!
E ka bërë nga mosdija apo nga ndonjë qëllim?!
Nga mosdija nuk besoj, se ka marrë një zotim që të shkruaj për një figurë të lavdishme të historisë.
Nëse ka shkruar nga ndonjë qëllim, atëherë duhet ta shpalosim qëllimin.
I nderuar autor i librit. Në vitin 1972 u arrestuan dhe u dënuan anëtarët e Kryesisë së Organizatës ,,Kushtrimi i Lirisë”, anëtari më i vjetër ka qenë Gafur Loku 23 vjecar, të tjerët kanë qenë krejt më të rinj. U dënuam me vite të tëra burg të rëndë. Por, aq sa zgjati dënimi, ne asnjëherë nuk kemi shkuar në mense për të ngrënë, të ndarë, por gjithmonë bashkë.
Ka pasur me qindra e qindra provokime e tentime nga ana e pushtetit për të na përçarë, nuk ia kanë aritur qëllimit. Edhe sot, pas disa dekadave, po të shkosh në burgun e Idrizovës, do t’ë ndëgjosh nga të burgosurit fjalët: “Në Idrizovë nuk ka pasur grup ma të bashkuar se grupi i të rijve të udhëhequr nga Rafi Halili”.
Pasi kemi dalur nga burgu, jemi munduar të punojmë aq sa na kanë lejuar kushtet.
Në vitin 1982 pushteti jugosllav planifikoi zhdukjen fizike të anëtarëve të Organizatës, por fati nuk tha ashtu. Mbetëm gjallë. Sa ishte Rafiu në burg, gjatë gjithë kohës nga shokë, miq e dashamirë, familjes së Rafiut i kanë shkuar ndihma, të cilat janë të dokumentuara, si janë shfrytëzuar nga familja është punë e tyre.
Në vitin 1992 kur Rafiu doli nga burgu, u tubuam shokë e dashamire, biseduam, biseduam dhe erdhëm në përfundim. Rafiu tash është 20-të vite pas shoqërisë, është e nevojshme të bëjmë diçka që ta afrojmë, që edhe ai të ec në hap me shoqërinë. U mor një vendim që t’i ndërtohet shtëpia. Qindra shokë miq e dashamirë ju përgjigjën aksionit. Mbetet që t’i shfletojmë ato letra edhe njëherë, e të shohim sa i është përgjigjur autori, mësa di, nuk është përgjigjur, po mundemi që ta vërtetojmë.
Pos kësaj Rafiu kishte nevojë për punë. Filloi të praktikonte drugdhendjen, profesion që e mësoi në burg.
Ndihma që mundeshim t’i ofrojmë ishte: të gjitha punimet që i bënte ja paguanim, ja merrnim dhe i afronim dërasa të arrës që ta vazhdonte punën.
Më vonë, Rafiu filloi të merret me bagëti. Bagëtinë i mbante në mal te kolibja. Atje kishte një pjesë toke edhe autori. Kur autori shkonte të punonte tokën, e takonte Rafiun dhe i tregonte përralla, sesi është kacafytur me ariun.
Ne, mirë e dinim se Rafiu bën jetë të vështirë atje, dhe mundoheshim me çdo kusht që ta largonim nga ajo jetë.
Rafiu, aty e ndiente kënaqsinë, prandaj ishte vështirë që ta largojsh prej atje.
Për kët tentim largimi të Rafiut nga jeta e vështirë, kemi një falënderim edhe nga vet autori.
Gjetëm një njeri që do të ia merrte gjithë bagëtinë, sa kishte. Pagesën Rafiut do të ia bëjmë ne.
Kur personi ia merr bagëtinë, Rushiti ia jep parat atij, me qëllim që ai t’ia paguan Rafiut. Kjo bëhet me qëllim që mos ta kupton Rafiu. Kur personi largohet me bagëtinë, autori e falënderon Rushitin, me ç’rast i thotë se:
“Na ke shpëtuar, sepse bagëtia na bënte dëm, na i hanin të mbjellat”.
Kur Rafiu iu dorëzua sëmundjes dhe nuk mundte me lëvizë, sa herë që e takoja autorin i thosha:
“Hyn shihe Lalën, se nuk është mirë. Kishte një justifikim, se nuk mundej ta shihte Lalën në këtë gjendje. Ishte justifikim se nuk fliste me asnjë anëtarë të ngushtë të familjes së Lalës.
Autori i shkretë, nuk e ka kuptuar se, Rafi Halili i takonte plejadës së njerëzve siç thotë populli:
“Trimi i mirë, me shokë shumë”.
Dikur e kishin pyetur ujkun, pse e ke qafën e trashë e prapanicën të hollë. Ujku ishte përgjigjur:
“Qafën e kam të trashë se e shoh vet, kurse prapanicën ma shohin të tjerët”.
Rafiu ishte ujk, që e krijonte historinë vet, ne të tjerët, jemi munduar që ta ndihmojmë, që kjo histori të jetë sa më e begatë dhe sa më e lavdishme.
Më duket se u shpalos edhe qëllimi autorit, sa ma i vetmuar të jetë Rafi Halili, aq ma i pafuqishëm është.
Sa ju përket ,,shokëve” në thonjëza, autori le t’i lypë, do t’i gjen.
Poroj 17 . 10 . 2023

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk