RECENSION PËRKITAZI ME LIBRIN TIM ME POEZI: “BRENGË” POEZI ME NJË AKLAMACION TË THEKSUAR

27
Dec
2024
Shkruan: Adem ABDULLAHU


Lexues i nderuar, ja, sërish vjen përpara jush krijuesi i palodhur – me vjersha mjaft sinjifikative, i cili, në hapësirat tona gjeografike nuk na është i panjohur. Zëri poetik i Syrja Etemit është si gjithnjë skofiar, i butë e melankolik, por herë – herë del edhe rebelues e qortues, kur ngec “sharra në gozhdë”. Te ky krijues me këtë përmbledhje të re që titullohet: “Brengë”, që nga vjersha e parë, që titullohet: “Ndoshta mund të pyesni”, vëhet re një zë i “mbushur plot me humanizëm dhe empati – që shpërfaq vyrtyte të larta të një poeti që bashkëndjen edhe ata individë me fat “të pafat”.
S’do mend që, ky poet duket se kësaj radhe vjen me prurje akoma më të arrira, duke patur parasysh dy përmbledhjet e para të tij dedikuar grupmoshave të njoma dhe të reja, si : “Biografi e shkapërderdhur” dhe “Lindje e madhe”. Duket se kjo më e reja vjen akoma më ekspresive, e shquar me një shprehje më konkrete e sensitive. Kjo ndjeshmëri thuase përshkon gjithë librin në fjalë, por, më me thellësi duket se pikasen ato për atdheun, të cilat tregojnë dhe na bëjnë të kuptojmë se i njëjti është shumë ngushtë i lidhur me fatin e vendlindjes së tij. Rëndom, kjo lirikë, kryesisht prek primesat e arsimit dhe shkollës, atdhedashurisë, sociales, madje, herë-herë përligjet edhe me thekse parodike. E, krejt ky areal poetik, kështu si i tillë, me butësi prek zemrat e fëmijëve, të rinjve e të rejave, bile edhe të moshave tjera. Ky fakt tregon se, me këtë rast, demolohen barrierat moshore.
Nga vjershat tjera standarde letrare, dallohen edhe ato deskriptive, të cilat shprehin dashurinë e fortë të autorit ndaj së bukurës, trashëgimisë së brezave, tradicionales të nakatosur me vlera të çmuara morale e njerëzore, të cilat, disa i cekëm pak më lartë. Nëpërmjet tyre përshkruhet kjo tablo e kohës së tanishme, kundruall asaj të shkuarës – në zonat e Sharrit e Pollogut, por edhe më gjërë, me vendbanimet që frymojnë në këtë nënqiell. Kështu, në këtë kontekst, ai në ciklin poetik: “Me diell nën sjetull“, u këndon, përveç disa figurave të dalluara që kanë lënë gjurmë në kohë e momente të befta në të, siç potencuam, u këndon edhe fshatrave e vendbanimeve të caktuara, duke porositur fëmijët, përkatësisht lexuesit që të duan e të punojnë për vendin e tyre të shtrenjtë, sepse:
Ndoshta më nuk kemi kohë
Përgjigjen ta presim:
Më mirë vonë sesa kurrë
Për njëri – tjetrin “t’ vdesim!”.
Pra, kështu, ky autor, nëpër disa tufa vargjesh “shprush” dhe mban zgjuar tek lexuesi ndjenjën e krenarisë për protagonistët e shquar të kësaj toke, që sakrifikuan për mbarësi e për një botë më të mirë e më humane.
Duke u lidhur gjithnjë e më ngushtë me jetën rurale dhe fatin e këtij brezi, në një rast hasim edhe një vjershë ku autori përçon lartë jehun e kësaj gjenerate, që:
Me ëndje gërsheton
Të vjetrën me të renë
Bashkë të frymojnë
Bashkë t’marrin dhenë…
Përveç ndjenjave që i përmendëm më lartë, frymojnë e shquhen vjershat me tematikë sociale, ku, shprehet dukshëm forca e tij sugjestive prej një poeti të urtë në aparencë, por, shpesh edhe kryengritës, kur i zihet rruga nga njerëz të papërgjegjshëm dhe destruktivë. Kështu thotë poeti në një vjershë:
Të kapemi për dore, me diellin nën sjetull,
Me lulet, me yjet, me ylberin mbi vetull;
Me zemrat e ngrohta që vrullshëm na pulsojnë,
Mesazhe magjike, bashkë të lansojmë.
Gjithnjë duke u thelluar në leximin e përmbledhjes, madje, shpesh te poeti dallojmë edhe rezignimin e thellë kur vie në shprehje “degtisja” apo migrimi i popullatës gjetiu – për një jetë “iluzore” jashtë vendit, kur popullata e tërë merr rrugën e mërgimit( trishtimit), me ç’rast shprazen shtëpi e shkolla, rrugë e mëhallë, madje edhe katunde të tëra, duke lënë shkretë vatrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve. Nga dhimbja e madhe dhe dashuria e sinqertë ndaj vendit, një vjershë mjaft e thekshme i kushtohet këtij fenomeni, kur poeti, përkundër trishtimit ngre zërin për të shprehur një aklamacion optimist, dhe shton besimin: “Se, ky kob i zi/ Një dit’ ka me ikë/Por t’gjithë të durojmë/Vatrat mos me i fikë!”
Në këtë mënyrë, duke u thelluar dhe përfunduar së lexuari përmbledhjen e autorit në fjalë, mund të themi se, ky libër mjaft pretendues – i brumosur me vlerat e një krijimi të bukur artistik, është sugjestiv, si për nga forma e tij origjinale, po ashtu edhe për nga vokacioni shpërthyes e penetrues. E, këto parametra, padyshim, i hasim gati në krejt krijimet poetike të këtij autori mjaft modest dhe shumë të zellshëm, i cili meriton të lexohet, si nga ana e fëmijëve po ashtu edhe nga kategoritë tjera moshore.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk