-Gazeta SOT, datë 21 Nëntor 2023-
Me 17 Nëntor 2023 u kremtua 79 vjetori i çlirimit të Kryeqytetit. Ceremonia zyrtare e këtij kremtimi, ishte pothuajse me të njëjtën “regji” si vitet e tjera: Përfaqësuesit e pushtetit qendror e vendor, shoqëruar nga përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të LANÇ, asaj të Dëshmorëve të Atdheut, dhe politikanë të “krahut të mëngjër”, bëjnë homazhe e vendosin kurora me lule, pranë Monumentit të Partizanit në Kryeqytet. Në vijim fjalimet dhe përshëndetjet e rastit, midis të cilave ai i Kryetarit të Bashkisë, ishte paksa më i gjatë, dhe i lidhur fort me arritjet e Bashkisë së tij, e cila e ka kthyer Tiranën “në Kryeqytetin Europian të Rinisë dhe Sporteve”! Ashtu si përherë, në ceremonitë shtetërore për eventet e LANÇ, konstatohej mungesa e përfaqësuesve të PKSH, trashëguese e Partisë Komuniste Shqiptare, themeluar më 8 Nëntor 1941 nga Enver Hoxha me shokë, e cila organizoi dhe udhëhoqi me lavdi Luftën Çlirimtare, gjer në fitoren e Lirisë në 29 Nëntorin histoirk të vitit 1944.
Përfaqësuesit e PKSH, ndonëse janë të ligjëruar politikisht dhe juridikisht, nuk pranohen në këto ceremoni, sepse ata, si për inat të pushtetarëve me ngjyra të dukshme neoballiste, kërkojnë të vijnë në këto ceremoni me portretin e Shqiptarit të Madh, Enver Hoxha, i cili ishte drejtuesi i lavdishëm i dy epokave famëmadhe të shqiptarëve, Epokës së LANÇ dhe asaj të Ndërtimit Socialist. Është pikërisht kjo pengesë zyrtare, përforcuar nga rojet e gardës së shtetit, që komunistët, ndonëse kanë ardhur të parët pranë Monumentit të Partizanit, “Kampin e tyre festiv” detyrohen ta ngrenë disa metra larg tij. Megjithatë, edhe pse disa metra larg nga ceremonia zyrtare, “Ekspozita e tyre festive”, zbukuruar me pamje nga Lufta për Çlirimin e Kryeqytetit, shoqëruar me portretet e partizanëve fitimtarë, midis të cilëve ngrihet madhërisht foto e Komandantit të tyre Legjendar, Enver Hoxha, e sfumojnë plotësisht “dekorimin” qeveritar të mjediseve ku zhvillohet ceremonia.
Por ato, që na tërhoqën vëmendjen gjatë këtij manifestimi, ishte fjalimi i Kryetarit të Tiranës, Erjon Veliaj, dhe kundërpërgjigja “hakërrimë” në rrjetet sociale e Drejtorit të “Institutit të Krimeve të Komunizmit”, ballistit Çelo Hoxha. Nga ato që thonë, të dy personazhet në fjalë, duken si dy kundërshtarë të thekur, por nga bëmat që realizojnë, që të dy janë në të njëjtin “front”, në frontin e zvogëlimit deri në shuarje të LANÇ dhe personazheve historikë të saj.
Çelo ballisti, sapo dëgjoi për ceremoninë festive kushtuar çlirimit të Kryeqytetit, “sulet” në skenë dhe nëpërmjet statuseve në rrjetet sociale, lëshon akuzën e tij të zakonshme për Luftëtarët e Lirisë, duke thënë se “Komunistët, para se të hynin në Tiranë në nëntor të vitit 1944, bënë spastrimin e figurave të njohura në radhet e intelektualëve antikomunistë, ish ushtarakëve dhe njerëzve të biznesit”. Madje, na jep edhe një shifër të përafërt të viktimave, rreth 100 të tilla. “Dhjetra trupa të viktimave, – kumton Çelo-ja, – u gjendën më vonë në bodrumet e Hotel Bristolit, në qendër të Tiranës”.
Po kush ishin këta intelektualë antikomunistë, ish ushtarakë dhe bisnesmenë të atyre ditëve që çirohej Kryeqyteti? Nëse Çelo-ja do të na thotë emrat e atyre, që u gjendën të vrarë në bodrumet e Hotel Bristolit, do të dalë fakti që këta intelektualë, ish ushtarakë, apo bisnemenë, nuk ishin gjë tjetër, veçse bashkëpunëtorë e kuislingë të pushtuesit gjerman. Në harkun e 19 ditëve, aq sa zgjati lufta për çlirimin e Kryeqytetit, nga forcat gjermano – balliste, u
vranë e u plagosën mbi 3000 ushtarë e oficera të pushtuesve gjermanë, dhe u zunë robër mbi 300 të tjerë. Është e vërtetë se ato ditë, përveç sa më sipër, forcat çlirimtare partizane, spastruan apo arrestuan mbi 500 kuislingë e tradhëtarë. Kjo e fundit ndodhi sepse partizanët , jo natën, por as dhe ditën, nuk arritën të njohin këta kuislingë e tradhëtarë, që gjendeshin në radhët e forcave gjermane, me uniformë e armatim si “sivëllezërit” e tyre nazistë. Nëse kufomat e “dhjetra të vrarëve”, që na kumton ballisti Çelo, do të ishin gjendur diku nga rrethinat e Kryeqytetit, çështja edhe mund të hante diskutim. Po ato u gjetën në qendër të Tiranës, dhe madje në Hotel Bristol, një nga çerdhët perverse të pushtuesve.
Sigurisht, me shpifjet monstruoze të Çelos dhe shokëve të tij kundër LANÇ, tashmë jemi argasur, por fjalimi me përdredha i Kryetarit të Tiranës, Erjon Veliajt, në ditën e Çlirimit të Kryeqytetit, aty pranë Monumentit të Partizanit, ishte sa mjeran, aq dhe hipokrit. Gjatë fjalimit në fjalë, ai lëshoi dhe një thirrje, në të cilën tha:
“Sot, gjithashtu është një moment për të reflkektuar. Ne duhet të kuptojmë pse kombi ynë vazhdon i përçarë? Pse duhet të bëjmë homazhe veç e veç? Pse nuk mblidhemi dot të respektojmë dhe të nderojmë ata njerëz”? (të rënët e LANÇ – shënimi im). “Çfarë është ky mallkim që nuk na ndahet? Pas 79 vjetësh, ne vazhdojmë akoma të përçarë!”
Me këtë frazën e fundit, Veliaj gënjen me “okë”. Nga 79 vjet duhet të zbresë 33 vjet të sistemit “made-in Veliaj”. 46 vite të tjera që mbeten, janë të periudhës Socialiste, periudhë e cila, midis të tjerave, dallonte për unitetin e çelniktë të popullit, rreth pushtetit të tij. Sigurisht ishte dhe një pakicë që, nuk ishin në unitet të vërtetë me popullin. Këta ishin skota e tradhëtarëve, skotë e cila nuk mund të jetë pjesë e shëndoshë e popullit, por sëmundje malinj e tij.
Këtë të vërtetë, e din fare mirë edhe Kryetar Veliaj, së bashku me Kryetarin e madh të tij, Kryeministrin. Por kjo “dyshe”, pasuar edhe nga sejmenët e tyre, në vend që “të mallkuarëve historikë” t’u tregojnë cakun, të cilin nuk mund ta kapërcejnë, i ledhatojnë e madje i vënë edhe në pozicione kontraverse, siç është posti i Drejtorit të Institutit të Krimeve të Komunizmit. Kryetar Veliaj, ankohet se “pse jemi të përçarë, pse nuk mblidhemi tok të respektojmë e nderojmë eventet e LANÇ dhe të rënët e kësaj lufte, por bëjmë homazhe veç e veç!” – një frazë hipokrite, e cila i duhet “matrioshkës së vogël socialiste” për para-propagandën e zgjedhjeve të ardhshme. Themi hipokrite, sepse po të ishte thirrje e sinqertë, duhej që fillimisht t’u drejtohej për homazhe të përbashkëta përfaqësuesve të PKSH, që i kishte jo më larg se 20 metra nga Monumenti ku bëheshin homazhet zyrtare. Por, kur ky “matrioshkë” socialiste, nuk fton, ose më saktë nuk lejon komunistët, autorët kryesorë të LANÇ, të marrin pjesë në ceremonitë zyrtare, atëhere kujt i drejtohet me thirrjen e tij fallso?!
Sigurisht “Thirrja” e Kryebashkiakut të Tiranës, ashtu si dhe thirrjet e Kryetarit të tij të madh në pozitë dhe në gjatësi, nuk janë për komunistët dhe shqiptarët e vërtetë, që eventet historike të LANÇ, i kanë “gurë kilometrikë” në rrugën e tyre të përparimit e të zhvillimit. Thirrjet e kësaj “dysheje” pseodosocialiste e neoballiste, dhe të atyre që i pasojnë, janë për Berishën, Metën, Çelot, Alimadhët etj., me të cilët kanë bërë krushqi matrapazësh, për të mbajtur e ndarë bashkërisht miradinat e pushtetit të pamerituar.
“Çfarë është ky mallkim që nuk na ndahet, dhe na pengon të bëhemi tok në nderimin bashkërisht të të rënëve të Luftës Nacional Çlirimtare”,- lëshon thirrjen “dëshpëruese” Kryetar Veliaj, pa arritur të japë përgjigje. Jo se nuk e din përgjigjen, por nuk mund ta thotë.
Përgjigja e kësaj pyetje “dëshpëruese” është tepër e thjeshtë:
Mallkimi që na mban të përçarë si popull dhe si komb, jeni pikërisht ju politikanët dhe pushtetarët e 33 viteve të sistemit pseudemokratik borgjez. Me politikat dhe veprimet tuaja antipopullore dhe antikombëtare, po e çoni Shqipërinë drejt greminës. Sigurisht ju keni mbështetjen e ndërkombatërëve dhe të antishqiptarëve, që ju sigurojnë mbajtjen e pushtetit të pamerituar. Por kjo nuk do të vijojë përjetë.
Një ditë do të përballeni me popullin, dhe atëherë do të jetë fundi juaj fizik e moral.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!