Një parashikim i saktë për “Reformën në Drejtësi” që nga 4 Gushti i vitit 2015.
-Gazeta SOT, datë 4 Gusht 2015-
Qeveria e Rilindjes, reformën më të rëndësishme të kabinetit të saj, jo vetëm e spostoi për në fillim të vitit të tretë të qeverisjes, por për ironi të kohës e la pikërisht në “provimin e vjeshtës”, duke na thënë në heshtje se ajo, edhe nëse e kalon “klasën”, do të mbetet në kujtesën e qytetarëve si “Reforma vjeshtuke”. Dhe në kujtesën e këtyre të fundit, “vjeshtukët” nuk kanë dalë asnjë herë të hajrit!
Prej disa vitesh, qytetarët, kur debatojnë me njëri-tjetrin për tre pushtetet, të cilët përbëjnë ngrehinën zyrtare të shtetit: “Legjislativi”, “Ekzekutivi” dhe “Drejtësia”, i materializojnë ato me numërimin e gishtave të dorës. Mirëpo kur nisin e i numërojnë, duke filluar nga gishti i madh, “Drejtësia”, që vjen në renditje si pushtet i tretë në radhë, korespondon me gishtin e mesit, atë të gjatin. Kjo i nervozon qytetarët, sepse ky gisht përdoret edhe për gjeste të tjera. Atëherë e nisin numërimin nga gishti i vogël i dorës, por rezultati është po ai. Në numrin tre ku gjendet “Drejtësia”, përsëri kapardiset gishti i mesit, ai më i gjati… Si i bëhet hallit? Të ndërrosh renditjen e “Drejtësisë” nuk lejohet, sepse atë renditje e përcakton Kushtetuta. Por edhe të presësh gishtin e mesit nuk është e mundur, sepse ai na duhet jo vetëm për “veprime” të turpshme, por edhe për veprime serioze e të dobishme.
. . .
A do të realizohet Reforma në Drejtësi? Ligjërisht po! Kjo do të ndodhë se s’bën në vjeshtë. Tani për vjeshtë mos merrni vetëm shtatorin. Vjeshta ka tre muaj: Shtatorin, Tetorin dhe Nëntorin. Madje, kur ajo vjen përsëmbari, ja zhvat ca ditë edhe dhjetorit. Pra me të shkruara, me të nënshkruara, me të fjalosura e më të vulosura, reforma do të jetë gati e shumta e shumta për vitin e ri, pamjen e së cilës ka mundësi ta shohim si një kartolinë për qytetarët nëpër sportelet e postave e gjer tek pema e vitit të ri që kapardiset në sheshin e qytetit.
Por kartolina e pritshme e “Reformës së Drejtësisë”, shoqëruar edhe me gjysëm gjeli, apo gjel të plotë, nuk do të arrijë të realizojë drejtësinë e premtuar. Është e sigurtë se kjo reformë, sidoqë po lëçitet për muaj e vite pa ndërprerje, nuk do të arrijë të shërojë drejtësinë tone, e cila është mbërthyer nga të gjitha llojet e sëmundjeve, shërimi i të cilave për kushtet konkrete është i pamundur. Kur themi “kushtet konkrete”, kemi parasysh së pari sistemin shoqëror që e ka ngjizur këtë drejtësi dhe së dyti, reformatorët e mundshëm të cilët, edhe po të kishin aftësitë e duhura reformuese, nuk mund të dalin nga suaza e sistemit, të cilit i shërbejnë si përfaqësues por njëherësh dhe “skllevër” të tij.
Reforma në Drejtësi, nuk është një reformë teknike, e cila mund të realizohet nga një ekip i aftë, i përkushtuar e i motivuar, siç ndodh në fushën e tekno-shkencës, por është një reformë më së pari politike, sepse lidhet me njërin nga pushtetet e shtetit dhe të sistemit që po aplikojmë. Dhe sistemi aktual, pavarësisht nga pelerina mashtruese “demokratike”, është një sistem në shërbim të të pasurve, borgjezëve dhe mercenarëve të tyre dhe kurrsesi në shërbim të punëtorit, fshatarit, intelektualit të thjeshtë e shtresave të varfëra të qytetit e të fshatit, të cilët përbëjnë shumicën e popullit të çdo vendi. Sloganët “liri”, “demokraci”, “shtet ligjor”, “shtet i së drejtës”, “shanse të barabarta”, etj. etj., që janë artikuluar gjatë këtyre njëzet e pesë viteve të sistemit në fjalë, janë bërë aq bajate tek qytetarët, sa askush nuk mban shpresë së mund t’i hasë në rrugën e tij të mundimshme për jetesë. Padrejtësia e këtij sistemi nis që nga të “shkruarat” në Kushtetutë, në ligje, në rregulloret e institucioneve dhe në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Lexoni ligjet që shkruajnë e zeza në të bardhë, ku midis të tjerave thuhet p.sh. se: Deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë, qoftë edhe duke stisur e shpifur, ndërkohë që qytetari përfundon në qeli edhe për ofezën më të vogël ndaj kryeplakut të fshatit; Se deputeti, ofiqari e pasunari mund ta konvertojnë arrestin apo dënimin me burg, me një shumë të caktuar të hollash, që qytetarit i mungojnë; Se nëpunësi i lartë i shtetit mund të mos shkojë fare në seancat gjyqësore në gjykim të tij, por dërgon avokatin, ndërsa qytetari, në mungesë të parave, nuk merr dot as avokat, përveçse atë që i cakton gjykata; Se në seancat gjyqësore të gjykatave tona, mund të mos vijë avokati mbrojtës, mund të marrë raport mjekësor gjykatësi apo prokurori, mund të mos paraqitet as i pandehuri, i cili “është pa qejf”, apo se nuk i pëlqen gjykatësi, dhe për pasojë seancat bëhen tërkuzë, duke rritur numrin e dosjeve të pagjykuara; Se mund të kesh bërë edhe krime, gjer në vrasje, por po arrite të zotërosh një mandat deputeti apo kryetari bashkie a komune, i bën dredha burgut, çka nuk ndodh me qytetarin, i cili nuk ka “imunitet”; Se duke qenë ofiqar, zyrtar e pasunar, ke të gjitha mundësitë ta zvarritësh gjykimin deri sa të sosen “procedurat” e të dalësh pa lagur, gjë që nuk funksionon për qytetarin, i cili edhe pas dhjetë vitesh detyrohet të shkojë në burg për një faturë mjerane të papaguar qysh para dhjetë vitesh, etj., etj.
Të gjitha këto “gjalma” të thurura me kujdes e me vetëdije në interes të sistemit, nuk mund të zgjidhen po nga përfaqësuesit e tij. Të shpresosh se të gjithë këta përfaqësues të sistemit borgjez, do të mendojnë të bëjnë ligje e reforma ligjore në interes të punëtorit, fshatarit, qytetarit të thjeshtë e të varfër, pa rregulluar e kopsitur çështjet që lidhen me imunitetin e tyre juridik, shoqëror e pasuror, është një iluzion i humbur.
“Reforma në Drejtësi”, siç cekëm në krye, do të hartohet, firmoset e vuloset, por ajo do të jetë si një buzëkuq, i cili në takimin e parë me temperaturën e nxehtë të terrenit, do të shkrijë duke llangosur trupin e shtrembër të drejtësisë borgjeze. Edhe kjo reformë, ashtu si në të gjitha rastet e reformave të tjera që lidhen me interesat e kastës drejtuese në politikë e në qeverisje, pas një zvarritje “shembullore”, do të përfundojë në reformë kompromisi. Ky kompromis do të jetë në kurriz të drejtësisë dhe të qytetarëve që ëndërrojnë më kot se ajo do të “Rilindë”!
Në mbyllje të shkrimit, po i servirim lexuesit një episod të vogël, në formën e anekdotës, që lidhet me problemin tonë: “Djali thirri doktorin të vizitonte babain, të cilin e kishte shumë sëmurë. Pas vizitës, djali pyet: – Doktor, çfarë ka babai? Doktori, pasi hoqi stetoskopin nga veshët, i thotë djalit:
-Babai juaj vuan nga astma, ka infeksion në zorrën e trashë, ulçer në stomak, vuan nga reumatizma në kocka, ka luhatje tensioni, si dhe kancer në prostatë…
-Po, këtë të fundit të kishe thënë doktor, pse i re rrotull e rrotull!”
Drejtësia në sistemin borgjez nuk mund të shërohet e të bëhet e drejtë, sepse midis morisë së sëmundjeve, ka dhe atë të kancerit malinj, i cili nuk mund të ketë shërim. Sistemi borgjez është i ngritur i gjithi mbi themelet e padrejtësisë dhe të krimit. Si i tillë e ka të pamundur të bëjë drejtësi. Kanceri i padrejtësisë i këtij sistemi është i pashërueshëm. Atë mund ta eliminosh, vetëm kur ta shkulësh prej vendit së bashku me trupin që e mbart!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!