Reportazh: Përshevca, nazemadhja e përkëdhelur e Pollogut dhe Sharrit

30
Nov
2024
Shkruan: Syrja Etemi


Në anën e majtë të përkëdhelin dhe relaksojnë hijet e freskëta të blinjve të Kllogjës fqinje, të cilët e mëkojnë me një aromë të merme që të kënaq, si i thonë: loçkën e zemrës. Përballë Sharrit të stërmoçëm shtrihen fushat e bereqetshme, ku bashkëjetojnë të pleksura me njëra- tjetrën arat e Përshevcës me arat e fshatrave fqinj: Tearcës, Gllogjës e Jegunovcës. Po kështu – në një simbiozë të gërshetuar e bëjnë jetën edhe përshevcasit me banorët fqinj. Këtu dallimet janë vetëm në aspektin nominal, dhe, se, vështirë është të dallosh qoftë infrastrukturën, qoftë atarin dhe pronat, qoftë mentalitetin apo mendësinë e banorëve të këtyre vendbanimeve.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Kjo është Përshevca, për të cilën, kësaj radhe vendosa të bëj edhe një shkrim për publikim. Sa më shumë dua të shkruaj, aq më tepër më duket se shumë pak po them e rrëfej. Por, edhe kjo që e them, më duket se nuk jam në gjendje ta them si duhet. Ndoshta atë më të përshtatshmen dhe më të goditurën do të kishin mundur ta thonë vet banorët e këtij vendbanimi. Por, sido që të jetë, unë do të evidentoj atë për të cilën unë pandehi se është më e nevojshme dhe e dëshirueshme. E, nga ky reflektim, s’ka se si të mos lind edhe poezia për Përshevcën…

NË ÇDO CEP E GJEN NJË RRASHTË
Përshevcë e re, Përshevcë e lashtë,

Në çdo pëllëmbë e gjen një rrashtë.

Po gjen gjurmë të të parëve,

Imarete të pashallarëve.

Me begler’ e agallarë,

Në k’to troje – e paparë.

Mehmet Begi, Abdurahmani,

Që gjer n’Stamboll u shkoi zani.

U shkoi nami në Saraje,

Sot je bë beden kalaje.

… Gjendet dymbëdhjetë km. në verilindje të Tetovës, në një lartësi mbidetare prej 560 m. Në Dokumentet Turke të vitit 1468 përmendet si Pershovci, edhe atë – në dy raste: njëri me 20 familje, kurse tjetri me 47 familje (ndoshta këtu kemi të bëjmë edhe me fshatin Përshevcë të rrethit të Gostivarit). Në vitin 1900 ka pasur 30 shtëpi, kurse sipas Statistikës së vitit 2002 ka 2516 banorë. Fiset që përbëjnë këtë fshat janë: Llauçe, Përçe, Karabeqire, Pire, Xingo, Tole, Halabake, Troke, Rade, Krume, Gjoke, Begishe. Në mesjetë, në afërsi të këtij fshati kanë ekzistuar disa vendbanime, nga të cilët mendohet se gjatë periudhave të ndryshme historike, banorë nga këto lokalitete janë shpërngulur dhe përqëndruar në Përshevcë, por edhe në vendbanimet përreth, si në Otushishtë, Gllogjë e Podbreg. Shpërngulje të tilla, sidomos ka pasur nga vendbanimet mesjetare, si që janë: Meli* (Mellova) e Vërbica, për të cilët kemi bërë fjalë.

*Meli – Është i shënuar edhe Mil. Tani ky fshat nuk ekziston. Sipas të dhënave të disa autorëve dhe indikatorëve suplementarë, ky vendbanim na del edhe diku në afërsi të Tetovës.

Në gramotën e pronës (ktitorska gramota) janë të shënuar, përveç tjerash edhe objekte ekonomike shoqërore, si dhe të ardhura tjera që i kishte ekonomia kishtare. Pikërisht, manastiri ka poseduar edhe mullinj në Htetovë, Hrashtan, Mllaçicë (Mllaçice), Kërpenë (Krpena), Zhelinë (Zhelino) dhe në Vrutok, si dhe mullinin e Dhimitër Çalapisë ( Dimitar Çalapija), pronarin feudal të Melit, që, me siguri duhet të jetë vendbanimi tani i braktisur: Mell(ovë), mbi fshatrat Tearcë – Otushishtë dhe Përshevcë – Gllogjë, në anën e majtë të lumit Lumbardh, të cilit lum t’ia recitojmë një vjershë që ia kam shkruar me rastin e vizitës që ia kam bërë një ditë prilli:

LUMBARDHI GJARPËRUSH
N`zemër t`Sharrit Ti buron,
N`majë kreshtash plot me borë;
N`shpat e kodra gurgullon,
Lumbardh’i hijshëm – madhështor.

Përkon lugje e plot pllaja,
Stolis shtatin pitoresk;
T` bëjnë hije plot dushkaja-
Ti u jep fllad e fresk.

Si nuk lodhesh dimër-verë
Duke rrjedhë me nxitim?
Gurgullima si s`t`u shterë
Duke ecur pa pushim?!

Ti me ëndje gjarpëron
Pollogut të gjërë-det.
Arat e gjëra i freskon
Dhe u jep buk` e jetë…

Qofsh për jetë, Lumbardh’i shenjtë!
Që dhuron bukë e jetë.
Unë të fali vargun e shtrenjtë,
Ti vazhdo rrjedhën e qetë!…
Përshevca në dritën e dokumenteve sllave
Si për çdo fshat tjetër, edhe për fshatin Përshevcë jam munduar të qëmtoj dokumente e dokumente, shkrime e gojëdhëna, të cilat do t’i shtroj para lexuesit, pa mos pretenduar të thellohem në interpretimin e tyre, sepse një angazhim të tillë do t’ua lë në hise historianëve, etnografëve, folkloristëve, por, pse jo edhe të gjithë atyre që për pasion e kanë shkrimin, sepse, siç thotë një mençuri: Më shumë mund të bëjë ai që s’di shumë, por don, sesa ai që di e nuk don. Edhe pse mund të ketë raste për ndonjë keqkuptim rreth shpalosjeve dhe citimeve të shumë dokumenteve me proviniencë sllave, duhet kuptuar që, këtë e bëj sepse, deri më tani, përveç defterëve osmanë (edhe këto – të përkthyera në sllavisht), dëshmi apo dokumenta të shkruar në gjuhën shqipe, akoma nuk kam gjetur.

Siç përmenda më lartë arsyetimin për mirëkuptim, Përshevcën do të mundohem ta “shkëpusë” nga disa dokumente që i kam në duar. Së pari do të filloj nga Defterët osmanë të sh. XV (v. 1468), ku Përshevca përmendet në disa vende.

Në vazhdim t’i referohemi librit studimor të autorit Jovan Trifunoski: “POLLOGU (Studime antropogjeografike) të botuar në Beograd,1976, apo në origjinal: POLLOG (Antropogeografska prouçavanja), në të cilin në faqen 316 – 318, ku, përveç tjerash shkruan për këto çështje: Pozita gjeografike; Hidrografia; Mikrotoponimet ( në vitin 1947 – 48); dhe: Popullata dhe fiset. Duke u bazuar në disa të dhëna nga ky libër, unë do të paraqes këto shënime të viteve që përmenda:

“Përshevca ka një atar të shtrirë në rrafshin rrëzë Sharrit. Emërimet për vendet janë: Makarja, Rasitovca, Llapuf, Vrbica, Llazinje, Tumba, Ograde, Redreka, Juria, Bistrica. Në perëndim të fshatit ngriten shpatiet e Sharrit. Toka e kësaj ane i takon fshatrave përreth: Tearcës, Breznës dhe Jelloshnikut.

Përshevca është fshat i tipit të grumbulluar. Ndahet në dy mëhallë: Mëhalla e Epër dhe Mëhalla e Poshtme. Mëhallat i ndan rruga që çon deri në Vratnicë. Përreth rrugës gjendet xhamia dhe varrezat e fshatit. Xhaminë e ka ndërtuar një banor nga Xhakmanët, i cili jeton në fshatin fqinj Tearcë. Mëhalla e Poshtme ka tokë më të mirë, prandaj është edhe më e populluar. Gjithsejt ka 14 fise dhe me 141 shtëpi (viti 1947).

Në burimet e shkruara Përshevca përmendet më 1461 apo 1462. Shkrimi ka të bëjë me një aktgjykim të kadiut të Tetovës. Në të përmendet Turku, Musa bin Jonuz, i cili ka qenë nga ky vendbanim.

Të gjithë banorët e e mëhallave janë të grupuara kësisoj: 1. Mëhalla: Hoxhallarë (16 shtëpi), që emrin e merr nga i pari, i cili quhet A h m e t, duke filluar: Harun, që është gjall (30 vj.) — Rexhep —Mahmut—Ahmet. 2. Tolallarë (10 shtëpi). Në mëhallën e Poshtme: 1. Hamzallarë ( 24 shtëpi), që i takojnë fisit të madh Krasniq, të cilët këtu kanë ardhur nga Dibra. Fisin i pari e ka themeluar Hamza përpara 150 vitesh, edhe atë: Rasimi, që është gjallë ( 57 vjeç) — Sali — Bafqar — Fariz — Hamza. 2. Karabeqire (13 shtëpi); 3. Përçallar (13 shtëpi), që në Përshevcë kanë ardhur nga Jazhinca, kurse përkah rrënjët janë – të fisit Krasniq. Emrin e kanë marrë kështu, sipas të parit të tyre që janë marrë me blegtori të imët, përkatësisht – me ruajtjen e dhive, “prç” – sll. do të thotë sqap; 4. Matli (15 shtëpi), emri i fisit tregon se rrënjët i kanë nga Mati; 5. Kiçik (14 shtëpi); 6. Begollarë (12 shtëpi) – nga Dibra apo nga Peshkopeja). Në Përshevcë më së pari vjen Vesel Begu, i cili ka patur dy djem: Limanin dhe Isenin. Vesel Begu është paraardhës nga i treti brez (Iseni, i cili është gjallë – 60 vjeç —Esati — Iseni —Vesel Begu); 7. Radellarë ( 4 shtëpi), emri i vjetër – Tole. Janë të shpërngulur nga Radusha ku kanë edhe kushërinj, kurse rrënjët e mëhershme – nga fisi Berishë; 8. Ramënet (5 shtëpi), të cilin fis e themelon Ramëni. Një familje e të cilit jeton edhe në Përlibisht; 9. Amet ( 1 shtëpi) – ardhacaku më i ri , që vijnë nga Dobroshti. Ky fis atje i ka takuar fisit Bojdan. Për një kohë ky fis ka jetuar në Glloboçicë të Kaçanikut. Nga Dobroshti në Përshevcë vjen Ameti, babai i banorëve të sotshëm; 10. Nallbant (1 shtëpi), i pari i të cilit fis ka qenë nallban.

Romët: Xhemajli (6 shtëpi) që i kanë takuar fesë myslimane. Jetojnë si kovaçë. Shtëpitë i kanë në Mëhallën e Epërme. Janë të ardhur nga Tetova”.

Vendemërimet karakteristike të Përshevcës
Në vazhdim, do të paraqesim vetëm materialet toponomistike që posedon ky fshat duke u bazuar në të dhënat që na i japin banorët rezidentë të këtij vendbanimi (të cilët i kemi paraqitur mëposhtë):

AR’E KUPEJS – Vend në fushë ku dikur kanë mrizuar kopetë e dhenve.

AR’ E LiEPRIT – Vend me ara pjellore në Pollog, ndër Udh’.

AR’ E TREKALAÇIT – Vend me tokë pjellore në fushë të Pollogut.

AR’ E KEÇiEZIT – Vend me ara në fushë.

ARËT E GJATA – Ara shumë të gjata në Pollog.

AR’ E LATIFIT – Arë në Pollog, pronë e Latifit.

ARA TE GJURZIT – Vend me ara afër Gjurzive.

AR’ E VuËGËL – Ara në Pollog, por jo shumë të mëdhaja.

AR’ E ZuËRBËS – Vend me ara në fushë (Ndër xhade)

BAFÇET E ÇAUSHIT – Vend në Sharr në të majtë të lumit Lumbardh. (Dikur në këtë vend ka patur ara, kurse sot ka bahçe).

ÇAUKE – Vend që gjendet mbi katund. Aty është Mullin’ i Nezirit. Këtu është edhe lumi i cili ndahet në tre pjesë për nevojat e vendbanimeve të afërta.

ÇAUSHICË (Çaushejc) – Vend në Sharr në të majtë të lumit Bistricë, i pasur me kullota të gjëra. Ka lule barishte të ndryshme, është i pasur me boronicë (qarshejka – në të folmen e banorëve vendasë).

JESHILI – Vend me ara – ndër Udhë. Është afër fabrikës së Griellës.

JURIA – Vend në të djathtë të rrugës: Tetovë – Ferizaj dhe në të majtë të rrugës: Laku -Jegunovcë, te Pishina (bazeni i ujit për në Jegunovcë).

KAZËNËT – Vend me shumë rrypira në Sharr.

KAZËNËT E VOJL (VOJXHËL) – Vend me thellësira të shumta në Sharr.

KALLDRËMi – Udhë me gurëz në territorin e këtij vendbanimi, ku fshatarët dikur u mblidheshin dhe “foleshin argjat”.

LALAVEJCA – Vend që gjendet Ndër Vrezhnë* – ndër fshatin.

LIVADH’I ZEQIRIT – Vend me kullota në Sharr.

LLAPUV-Vend me ara në Pollog mbi hekurudhën.

LLAZIJA – Vend në të majtë të rrugës: Tetovë-Ferizaj. Shpesh paraqiten gjarpërinj e bolla.

MAJ URMËNI – Vend në të djathtë të rrugës: Tetovë – Ferizaj dhe në të majtë të Lakut: Përshevcë – Jegunovcë.

MAKARAJA – Vend me ara në Pollog. Ndahet në: Makaraja e Epër, Makaraja e Ndërmjetme dhe Makaraja e Poshtme. Kufizohet me Podbregin.

MELLuAVA – Vend në një tarracë të zgjëruar lumore në luginën e Lumbardhit në Sharr. (Sipas Dokumenteve Turke, më 1468 ka ekzistuar vendbanim i quajtur Mel – me 52 familje).

MOLE – Mellova

OGRADE – Vend në veri të fshatit me bahçe dhe livadhe. Ka shtëpi banimi.

ORMËNI – Juria e Përshevcës.

PESHTERA – Vend në veri të fshatit në kodrina të Sharrit, Maj Çauke.

PREKAÇE – Vend me kullosa. Maj Llazije.

RASTuAVCA – Vend me tokë pjellore në Pollog.

RiEK’E ÇAUSHEJCËS – Krahu i majtë i përrockës që derdhet në Lumbardh.

STËNET E HAXHI ISËS – Dikur në këtë vend qehaja i quajtur Isë ka ruajtur bagëti.

STËN’ I HAXHI JAKUPIT – Stan në Sharr në atarin e Përshevcës.

STËNI LATIFIT – Stan në Sharr, pronë e Latifit (i ri).

STËNI QAMILIT (Qamil Qehas) – Stan në Sharr në atarin e Përshevcës,

TAUMA – Vend (pak si kubeli) me livadhe, përball Llazijës.

TE ÇËMËT – Vend në Sharr i pasur me dru çami (bredhi).

TE ÇINARI – Vendi te qendra e fshatit (Te Xhameja).

TE LiEKI – Vend në fushë, në të djathtë të udhës për në Jegunovcë.

TE MULLEJNI – Vend në krye të varrezave të fshatit.

TE THËNËT – Vend me tokë lavërtare, afër rezervoarit, dikur ka patur shumë thana.

TE VuARET TE XHAMEJA – Në qendër të fshatit ku gjendet edhe xhamia.

TE VuARI PREJFTIT – Vend me livadhe dhe me ara pjellore, afër transformatorit.

TREBAKE – Ara pjellore mbi hekurudhë.

VËRBICA – Vend me livadhe dhe ara në fushë, Ndër Urmë.

VREZHN/A – Vend në fushë *.

XUKA – Ara pjellore, mbi hekurudhë.

ZBIRALL’ e Vogël- Vend në të djathtë të rrugës: Tetovë – Ferizaj.

ZBIRALL’ e Madhe-Vend në të majtë të rrugës: Tetovë – Ferizaj, Te Varrezat e Poshtme**.

Emrat e vendeve (Toponimet) sipas të shënimeve të autorëve të monografisë për Përshevcën
Në malet dhe bjeshkët që shtrihen në Sharr (që i takojnë atarit të Përshevcës), ka emërime të shumta që u kanë vënë banorët lokalë. Përveç që i paraqitëm mësipër disa të dhëna toponomistike të banorëve lokalë, në vazhdim do t’i shtrojmë (sipas radhitjes alfabetike) edhe të dhënat që na i japin autorët e monografisë për Përshevcën: Reshat Jashari dhe Afrona Jashari: “Përshevca nëpër vite (Monografi)”, edhe pse në aparencë ato manifestohen si të përsëritura, andaj i ngelet lexuesit që të bëjë abstrahimin apo dallimin e tyre:

* Vrezhnë -lloj bime në formën e netllës.

**Të dhënat janë marrë nga Isa Isai, 63 vj. nga f. Përshevcë, në vitin 2008 dhe z.Qemal Asani, viti 2009

Emërime në viset malore: Arët e Esatit, Bafçet, Çami, Çauka, Çeshm’e Gjurit, Gjur’i “Babës”, Gropat, Hithnët, Karaxhinet, Kazënat, Kep’i Izairit, Kep’i Madh, Kep’i Zi, Kepët e Kuç, Kepi Derdhëm, Kepi Macës, Kepi Shilk, Kepi Shipes, Kodr’e Fejrit, Kolibja e Kaçak’ve, Lipa, Livadh’i Zeqirit, Livadhi Araushës, Lugi Keç, Lugi Madh, Mal’i Vogël, Mellova, Peshtera, Prekaçet, Rafsh’e Nesejmit, Stënet, Tre Hudutet, Tre Ujnët, Xhibr’e Epërme, Xhibr’e Nuhiis, Xhibr’e Poshtme, Xholet e Epërme.

Emërimet e fushave: Ar’e Leprit, Ar’e Zorbës, Arët e Gjata, Hurdhët, Lalavejcat, Llazijat, Maermajat, Makarajat, Sërvishtet, Taumat, Te Jeshili, Te Kotaret, Te Ormëni, Te Sukaki, Te vori Prejftit, Te Zbiralla, Teleki, Theknoret, Thënat, Trebenejcët, Vërbicat, Vrezhnat, Xukat.

Hidrotoponimet: Bistrica (Lumbardhi), Çeshm’e Fadilit, Çeshm’e Gjurit, Çeshm’e Mellovës, Çeshm’e Stënit, Çeshm’e Strugës Madhe, Çeshm’e Vërbicës, Çifte Potoki, Potok’i Ormënit, Potoki Bafçeve, Vij’e Kishës (Te Kisha që ka qenë te shtëpia e Nasuf Sabitit).

Në rrafshin rrëzë Sharrit: Bistrica, Juria, Llapuf, Llazinje, Makarja, Ograde, Rasitovca, Redreka, Tumba, Vorbica.

Disa të ashtuquajtura “emërime të veçanta të fshatit” që nënvizohen: Te Bunari, Te Çauka, Te Çinari, Te Kalldrëmi, Te Kisha, Te Shkolla, Te Xhameja, Te Udh’e Shkupit.

Në perëndim të fshatit ngriten shpatiet e Sharrit. Toka e kësaj ane i takon fshatrave përreth: Tearcës, Breznës dhe Jelloshnikut.

Sa për të përfunduar…
Ja kjo ka qenë dhe është Përshevca me të gjitha të thënat (e të pathënat eventuale), me mbushullime e thesare, që i mban dhe ruan në arkën e saj me përkushtimin më të madh – për brezat që e duan me aq shumë dashuri dhe që i përulen asaj– mu si një perëndeshë e lashtë legjendash. E, kjo që u shkruajt e u tha, mos vallë qe a e tëra? Të përgjigjemi troç: Sigurisht se jo! “Panta rei” (Gjithçka rrjedh) kanë thënë helenët e lashtë. Prandaj, edhe për Përshevcën koha rrjedh e rrjedh – rritet e rritet … edhe pse një pjesë bukur e madhe ka migruar jashtë vendlindjes, por kurrë për të mos e harruar tokën dhe vendlindjen e tyre të shenjtë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk