Republika nën Hijen e Mashtruesit Varrmihës

27
May
2025
Shkruan: Vudi Xhymshiti

Në vend të fjalës së lirë, aty është një maskë. Në vend të gazetarit, është një varrmihës. Në çdo fjali të Buzhalës, është një thikë ndaj Kosovës.

May- 27- 2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në një çast qetësie dhe mendimi të thellë, teksa mbyllja korrespondencën për zgjedhjet në Shqipëri¹ dhe vajtoja plagën më të re politike të Ukrainës², Berat Buzhala u rikthye në vëmendjen time me një postim të ri. Si gjithmonë, jo për të sjellë ndonjë reflektim të ndershëm, por për të hedhur një tjetër helm, një tjetër mashtrim psikologjik të maskuar si gazetari.

Ky njeri, i cili moti ka humbur çdo të drejtë të quhet gazetar³, i lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe figura të sanksionuara⁴, publikoi një tjetër video⁵. Por ky nuk ishte thjesht një opinion, ishte një armë ideologjike, e drejtuar kundër vetë shtetit të Kosovës. Në pamje të parë dukej si një monolog i dëshpëruar, por mesazhi ishte i qartë: Kosova është një gabim. Institucionet e saj, njerëzit e saj, lindja e saj si shtet, të gjitha, sipas tij, ishin të gabuara.

Në video, lëvizjet e tij janë të kuruara me kujdes. Bën gjeste teatrale me duar, formon rrethe me gishta, i shtrëngon pëllëmbët, godet ajrin sikur të kishte përballë ndonjë armik të padukshëm. Flet me tonin e një mësuesi të trishtuar që thotë të vërteta të hidhura, por fytyra e tij lëviz mes një trishtimi të shtirur dhe një vetëkënaqësie të ftohtë. E gjithë kjo është lojë. Është skenar. Është manipulim. Është Berat Buzhala dhe interesat e entitetit të tij kriminal të cilit i takon ai.

Ai nuk kërkon të ndriçojë mendjet, por t’i lodhë ato. Nuk vjen në publik që të ngrejë pyetje, por të mbjellë dëshpërim. Të thotë që nuk ka shpresë, që gjithçka është kalbur, dhe se çdo përpjekje është e kotë. Këto nuk janë gjestet e një gazetari. Janë lëvizjet e një aktori të një filmi propagandistik. Dhe roli që luan nuk është ai i një qytetari të cilit i dhimbset Kosova, por i varrmihësit të saj, i veshur si vajtues.

“Çdo 48 orë,” ankohet Buzhala, “përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës mblidhen për t’ia ngulur thikën republikës pas shpine.” Ai thotë se me çdo mbledhje, e shpallin para botës dhe qytetarit të zhgënjyer se ky shtet është i dënuar, se vetë ekzistenca e tij është një gabim i madh i universit.

Buzhala e përshkruan një skenë të errët: deputetë që, sipas tij, komplotojnë për të fshirë çdo sakrificë të bërë, duke tallur përpjekjet për ndërtimin e shtetit ndër vite. Ai paraqet një Kosovë nga e cila ikin investimet, ku elitat e biznesit mbledhin plaçkat dhe shpërngulen drejt bregdetit shqiptar, dhe ku ëndrra kosovare po rrjedh e shuar ngadalë nga sallat e Kuvendit.

Por nëse i heqim këtë vello vajtues Buzhalës, ajo që mbetet nuk është shqetësim, është operacioni i tij sabotues⁶.

Në vitin 2024, kur Kosova nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara për të luftuar dezinformimin e huaj¹³, e bëri me njerëz si Berat Buzhala në mendje. Ngase Buzhala e mishëron të kundërtën e asaj marrëveshjeje: aty ku kërkohet e vërteta, ai përhap shtrembërim; aty ku synohet forcimi i shoqërisë, ai mbjell dyshim¹⁴.

Operacionet e tij “editoriale” funksionojnë jo si media¹⁵, por si qeliza propagandistike të një strategjie lufte hibride, në përputhje të heshtur me qëllimet e Beogradit¹⁶. Qëllimi i tyre është i qartë: ta gërryejnë shtetin nga brenda.

Manipulimi i Buzhalës shtrihet edhe te imazhi i vetvetes. Një “gazetar” që e ka shpikur vetë titullin e tij, i mbështjell deklaratat me petkun e lirisë së fjalës, ndërsa në thelb tradhton çdo parim të gazetarisë. Lidhjet e tij me figura të sanksionuara i paraqet si normale, madje të ndershme. Kritikët i njollos, i tall me foto të montuara, i përqesh me një teatërllëk që do ta bënte krenar çdo fabrikë provokatorësh, mashtruesish dixhital e trazues manipulativ në Rusi. Kur u përball me lidhjet e tij me Zvonko Veselinoviqin, ai ngriti supet dhe u shtir si i paditur, sikur loja prej injorance ta shpëtonte nga fajësia.

Por, jo. Nuk e shpëton. Në fakt, e rëndon edhe më shumë.

Rreziku i vërtetë i video-komentit të Buzhalës nuk qëndron vetëm në përmbajtjen e tij provokuese, por në shërbimin që i bën një loje shumë më të gjatë: dobësimit të besimit qytetar, normalizimit të dorëzimit, si dhe rrënimit të besimit se Republika ka një të ardhme.

Kështu rrëzohen shtetet, jo me shpërthime, por me psherëtima. Në çdo video që bëhet virale, në çdo postim thumbues në rrjete sociale, në çdo pëshpëritje që ndoshta Kosova ka qenë një gabim, Buzhala mbjell një tjetër farë dyshimi.

Dhe nuk është i vetëm. Fjalët e tij pasqyrojnë taktikën e dezinformimit të përdorur nga Rusia në Ukrainë, Gjeorgji dhe shtetet baltike: përshkruaje kombin si të dështuar, udhëheqësit si të korruptuar, sugjero se Perëndimi është lodhur dhe po heq dorë. Një mesazh që ndan, që paralizon dhe që funksionon, deri në momentin kur emërtohet.

E pra, le ta emërtojmë: Ajo që bën Buzhala nuk është mosmarrëveshje, është destabilizim. Nuk është kritikë, është bashkëpunim me agjendë armiqësore. Nuk është gazetari, është kryengritje digjitale, e veshur me ironi dhe viktimizim të rremë.

Dhe le të emërtojmë edhe frikën e tij. Buzhala dhe të tillët nuk kanë frikë nga rënia e shtetit, sepse të tillët si ai, janë vetë ata që punuan për mirëmbajtjen e tij nën rrënojat e thundrat e hajdutëve për 20 vjet, derisa po e rikthenin pushtetin politik të Serbisë në Kosovë. Të këtillët kanë frikë nga ringritja e tij. Ata kanë frikë se institucionet që i plaçkitën dje deri në rrënim e po i përqeshin sot po në përpjekje për t’i rrënuar, mund më në fund të zgjohen. Ata kanë frikë se drejtësia, e vonuar për vite me radhë, mund të mos vonohet më. Se ata që u ngopën duke e plaçkitur fëmijërinë e Republikës, mund të thirren sot për të dhënë llogari në moshën e saj madhore.

Kosova ka kaluar nëpër shumë sfida, ushtarakisht, diplomatikisht, e moralisht për të rënë tani përballë teatrit të ankesave të atyre që e shitën të ardhmen për prona në bregdet.

Koha për mjegullime ka mbaruar. Përballë dezinformimit, arma jonë duhet të jetë qartësia. Përballë cinizmit, qëndrimi ynë duhet të jetë bindja.

Dhe përballë Buzhalës dhe hadjutëve plaçkitës sikur ai, le të jetë e shkruar qartë: Ne i shohim ata edhe kur bëjnë lojëra nëpërmjet teatrit. Ne e njohim doktrinën në rregulat e së cilës ata kanë hyrë në valle. Ne, e kemi lexuar skenarin. Dhe nuk do ta lejojmë Republikën të rrënohet çdo 48 orë me gënjeshtra nga të ndyrët sikur ai.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria: ,

Botuar: 27/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk