RETROSPEKTIVË PËR NJË DATË TË SHËMTUAR!

21
Feb
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

-Gazeta SOT, 21 Shkurt 2024-
Në historinë e një populli e të një vendi, ka data historike të bardha, të cilat lidhen me festat nacionale, me betejat e fitoret ushtarake, me arritjet në shkencë, kulturë apo prodhim, e të tjera evenimente që i përkasin gjithë shoqërisë; ashtu siç ka edhe ditë e data të zeza, si fatkeqësitë natyrore e njerëzore, luftrat grabitqare, invadimet e pushtimet e huaja etj.
20 Shkurti i vitit 1991, ishte dhe mbetet një datë e shëmtuar në historinë tonë kombëtare. Në atë datë, në mes të Kryeqytetit, “zbarkuan” falangat shkatërrimtare, të ngjashme me skuadronet naziste të viteve 30-të. Në fillim, falangat në fjalë, ashtu si në vitet fashiste, u nisën t’i vinin zjarrin “Rajshtangut” shqiptar, por një dorë e fshehtë ua bëri me shenjë të mësyenin shtatoren e Komandantit….
Kur jetonte, Komandanti kurrë nuk deshi të lartohej në shtatore, por gju më gju me popullin, në krah të punëtorit, në ugar tek fshatari, pranë pozicionit të zjarrit të ushtarit, shtruar në sofrën e malësorit, do të rrinte e të bisedonte, të pyeste e të uronte, të mvrejtej e të gëzonte.
U nda prej nesh duke na lënë Amanetin e Madh, Amanetin për Shqipërinë. Ne, populli i thjeshtë, hapëm “kapakun” e zemrës dhe bashkë me Amanetin, futëm kujtimin e Tij. Kjo ishte deshira dhe mundësia jonë. Ndryshonte puna me shtetarët, me ata që i rrinin shumë pranë … Ata kishin forca e mjete, aftësi e mençuri më të shumta se ne populli i thjeshtë. Ndaj dhe nuk u morën me zemra e “cingërima” të tilla, por shpejt e shpejt fabrikuan Shtatoren e madhe dhe me pompozitet e vendosën në mes të sheshit.
Ne të thjeshtët, pyetëm në heshtje: “Ç’ishte nevoja për shtatore kaq të madhe? Komandanti la vepra që nuk ka shtatore t’i ballancojë! …Por pyetja jonë ishte naive. Ishte naive, sepse ne nuk e dinim që “ndërtuesit” e Shtatores, ditën që po e “lartonin”, kishin planizuar edhe rrëzimin e saj. Me siguri, ndaj e bënë kaq të madhe atë shtatore, me synimin që kur të “binte”, të bënte edhe më shumë “figurë”. Kur po e ngrinin Shtatoren, ne nuk arritëm të shihnim bullonat e heqshme në bazament, të cilat bëri sikur i “montoi” Juda, dhe i mbuloi shpejt e shpejt me pllaka të bukura e larushe …
Mercenarët e tradhëtisë, të prirë prej “Pardesyve të bardha”, si Arturo – Ui i Lulelakrës, atë ditë të 20 Shkurtit, u lëshuan mbi Shtatore, si një lukuni ujqërish. Megjithëse e dinin se “policia është me ne”, se armët e tyre kishin vetëm fishekë manovër, se dy-tre qen kufiri vinin vërdallë sheshit me kasat e turinjëve të mbërthyera, përsëri zemra e tyre, si zemër mercenari, u dridhej në kafazin gjithë zhul të kraharorit. Gjithë paraditen e asaj dite, kishin rrëkëllyer gota alkooli, me qëllim që të “trimëroheshin”. Vërtet një Shtatore prej bronzi ishte, por frika ishte e madhe. Kjo frikë, nuk vinte nga ndonjë kërcënim fizik i çastit. Të tilla rreziqe nuk ekzistonin. Dora e fshehtë u kishte dhënë “yzëm” të vepronin pa droje. U kishte dhënë edhe çelësin “anglez”, me të cilin do të lironin ato “dadot” hileqare të montuara që në ngritje të Shtatores. Mercenarët pra, nga kjo anë ishin të sigurtë. Aq më tepër kur në krye të tyre ishin vetë “Pardesytë e bardha”, që “Dora e fshehtë”, ose më saktë “Dora e zezë”, ua kishte veshur si “mburojë” nga ndonjë ngatërresë amatore.
E megjithatë, frikën e kishn në palcë. Ishte frika prej veprës së turpit që po bënin. Kur themi turp, nuk e kemi fjalën për turpin që mund t’i zinte ata. Jo, mercenarët nuk i zë turpi. Por ama, ata e dinin se “vepra” e tyre e asaj dite, si vepër turpi, mund t’u dilte një ditë për hundësh.
. . .
Kanë kaluar plot tridhjetë e tre vite nga ajo datë e shëmtuar dhe mercenarëve të tradhëtisë së zezë, frika e veprës së tyre të turpit e të krimit që bënë atëherë, ende nuk u ka kaluar. Madje u është shtuar e po u shtohet çdo ditë. U është shtuar e po u shtohet çdo ditë, sepse shtuar i kanë edhe gjynahet e mëkatet. Është pikërisht kjo frikë që s’u shqitet, e cila edhe pas 33 viteve u fantakset duke i nxjerrë përsëri në të njëjtin shesh për të “përkujtuar” me drithërimë 20 Shkurtin e vitit 1991.
Disa prej mercenarëve të asaj dite, pasi morën “haraçin” e punës së bërë, ia mbathën tek “Nëndaja”, e cila me siguri i ka nisur, ose do t’i nisë për ndonjë “mision” të ri. Se mercenarët nuk rrojnë dot pa “misione”. Por shumica e asaj skote janë këtu. Një pjesë prej tyre vijojnë përsëri të mbushin sheshet si mercenarë, në kërkim të ndonjë llokme që rrjedh nga “trofeja”. Liderët e tyre janë të njëjtat fytyra, vetëm se u mungojnë “Pardesytë e bardha” … Ato, i kanë zëvendësuar me kostume firmato, dhe në të njëjtën kohë janë “blinduar” me kartmonedha që ia kanë rrëmbyer popullit. Veçse “blindi” i tyre prej kartmonedhash nuk mund t’i mbrojë gjithnjë. Sapo të fillojë “shiu” dhe, sidomos “breshëri”, kartmonedhat do t’u bien, siç u binë puplat pulastrenave, dhe ata do të mbeten cupllak përpara qytetarëve.
Tridhjetë e tre vite kanë kaluar por Komandanti qëndron përsëri Shtatore e Lartuar. Në shesh? Jo, jo ne shesh! Aty tashmë qëndrojnë horrat, kurvarët, prostitutat . . . dhe me këtë skotë të ndyrë e të neveritshme nuk mund të rrijë Komandanti.
Komandanti lartësohet Shtatore e Gjallë në zemrat e popullit të thjeshtë, të popullit që aq shumë e deshi, e aq shumë punoi për të. Në zemrat e popullit Shtatorja e Tij është e sigurtë. Aty ajo nuk mund të preket as nga tradhëtia e as nga mercenarët e saj.
Shtatorja e Komandantit çdo ditë ringrihet e lartohet në zemrat e miliona shqiptarëve, miliona punëtorëve, miliona proletarëve.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/02/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk