REXHEP OSMAN TOSKAJ – NJERIU QË E MBULOI ME NDER E ME LAVDI RRUGËN E JETËS SË TIJ.

11
Oct
2023
Shkruan: Isa Ferizaj


Na iku dhe një burrë vlerëmadh i Malësisë së Gjakovës – (Tropojës), Rexhep Osman Toskaj, i cili u nda nga kjo jetë, më 11 tetor 2023!
Rexhep Osmani lindi në Lagjen“ Elezaj” të fshatit Margegaj të rrethit të Tropojës, më 14.11.1933, në një familje të mirërnjohur, atdhetare e, me plot vlera njerëzore.
Babai i tij, Osman Ukshini,një malësor fisnik,një burrë plot urtësi e mendjemprehtë, një kuadër i aftë drejtues në administratën e shtetit, i cili që në rininë e vet, u ushqye nga ndjenja atdhetare e moralshëndosha që buronin pashterrshëm nga familja e tij e, që ishin trashëguar edhe nga të parët e atij trualli bujar e fisnik, një atdhetar i lindur, një nga partizanët e rreshtuar në radhët e UANÇSH, në formacionin e Brigadës së 25-të Sulmuese të Malësisë së Gjakovës, kishte ndikuar fuqimisht në formimin dhe brumosjen me vlerat më të shëndosha njerëzore, tek fëmijët e tij, por edhe në familjen e tij të madhe e në mjediset shoqërore.
Edhe i biri, Rexhep Osmani, pati trashëguar shumë nga ato vlera, por përsonalitetin e tij ai e pasuroi dhe rriti tërë jetën e vet edhe me plot e plot vlera të tjera të reja e moralshëndosha, çka e bënë atë një të ri me shpirt e zemër flakëndezur për punën e ndershme e të lavdishme në shërbim të atdheut; një burrë besnik të idealit më të pastër njerëzor, për të cilin qe betuar vetëm një herë dhe, që tërë jetën i qëndroi atij ideali besnik deri në vdekje; një aktivist i palodhur në krye të disa veprimtarive vullnetare shoqërore, si brenda fshatit të tij, por edhe jashtë tij.
Ai kreu detyra me përgjegjësi, si atë të nënkryetarit të këshillit popullor të fshatit Margegaj, dhe atë të sekretarit të organizatës së PPSH, në fshatin e tij, duke manifestuar korrektësi shembullore, besnikëri frymëzuese dhe pëkushtim besniku të palëkundshëm ndaj bashkëfshatarëve, strukturave shtetërore e politike të kohës, për çka, prore pati marrë si shpërblim prej tyre, mirënjohjen, nderimin dhe respektin e pamatshëm.
Gjatë tërë jetës së tij, Rexhep Osmani u shqua edhe për guximin dhe qëndresën burrërore përballë qëndrimeve burokratike, por edhe dashakëqia që nxirnin krye aty-këtu, atje ku punoi, por edhe në shkallë rrethi. Ai ishte njeriu i vlerave, njeriu që kurrsesi nuk ra asnjëherë në kompromis me të keqën e, që asaj, s’ia ndau luftën, deri sa u nda nga jeta.
Duke parë cilësitë e tij të larta morale e njerëzore, që spikatnin që në rini në karakterin e personalitetin e tij, PPSH e pranoi në gjirin e saj, si komunist, në në moshën 25-vjeçare e, që Rexhepi, tërë jetën e tij, me shembullin dhe veprimtarinë e tij revolucionare e atdhetare e justifikoi më së miri atë nder, duke qëndruar në radhët e PPSH, vetëm si komunist i ndershëm, idealist ëndërrmadh, me frymë e shpirt atdhetarie e shqiptarie, por kurrsesi ai nuk ra në sy asnjë çast, si një njeri i anëtarësuar në atë parti, për përfitime personale e familjare.
Ai mori pjesë në format e ndryshme të punës vullnetare për shërimin e plagëve të prapambetjes shekullore të trashëguara nga periudha e paraçlirimit të atdheut, por edhe të atyre që na shkaktoi pushtimi fashist i atdheut, në LDB. Tërë jetën ai punoi me vetmohim e ndershmëri të pashoqe, duke frymëzuar e udhëhequr me shembullin e tij.
Në kohën më të vështirë që po kalonte nga tradhtia në kupolën e lartë PPSH, vendi e PPSH e Enver Hoxhës, por pa Enverin, në vitin 1990 e, në vijimësi, kur asaj po ia varrosnin edhe emrin edhe lavdinë e saj, ish “komunistët” që jo vetëm e harruan, por dhe e shkelën betimin e tyre dhe, po kalonin nëpër partiçka buçe e kuçedra borgjeze, duke kërcyer si pleshtat në vathën e dhive, nga një parti në tjetrën për të zënë postet drejtuese, për përfitime vetjake, Rexhep Osmani, e ngriti zërin e tij të fuqishëm, prej atdhetari e komunisti të pastër, kundër tradhtisë, në mbrojtje të idealit më të pastër njerëzor, të vlerave të arritura e të trashëguara, por edhe të atdhetarisë, në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve dhe të të anëtarësuarëve në PPSH, të 31 dhjetorit 1991, në Pallatin e kulturës “Dardania” në qytetin Bajram Curi, duke demaskuar fuqishëm tradhtinë e tradhtarët në PPSH e, duke iu bërë thirrje komunistëve të thjeshtë, besnikë, atdhetarë e të ndershëm, që të largoheshin menjëherë nga kjo amalgamë politike borgjeze që po shpërfaqej edhe në atë mbledhje, në atë sallë, para syve të tyre.
Që nga ky moment, ai së bashku me atdhetarët komunistë të ndershëm e të vërtetë, iu vu punës së guximshme për rior-ganizimin e PKSH në rrethin e Tripojës, organizim që u realizua në shtëpinë e tij në Elezaj, në kushtet e një terrori të pashembullt.
Rexhep Osmani ishte dhe mbeti, modeli i burrit malësor tropojan, fisnik, bujar, trim e guximtar, besnik e i pathyeshëm.
Ai, pas vitit 1990, ishte komunisti qëndrestar, shembullor, frymëzues, besnik e atdhetar, në radhët e PKSH në rrethin e Tropojës; ishte sekretari shembullor i organizatës së PKSH në zonën Margegaj, por edhe anëtari aktiv e mendjemprehtë i komitetit të PKSH në rrethin e Tropojës. Ai qe zgjedhur njëzëshëm disa herë delegat i disa kongreseve të PKSH, në të cilët edhe mori pjesë. Ai njëkohësisht, ishte prindi shembullor, miku e shoku i mirë, fjalëzjarrti e njeriu që dinte të të mësonte, por që, edhe kërkonte të mësonte nga shokët e miqtë e tij më të rinj. Unë pata fatin e madh që rrethanat e reja historiko-politike, pas fundvitit 1990, më njohën e më lidhën me këtë njeri moralpastër, me këtë burrë, vlerë burrërie e shqiptarie, me këtë komunist të pastër si uji kristal i lumit të Valbonës që i jepte ujë e jetë edhe fshatit të tij. Pata fatin që mësova nga vlerat e tij, nga përvoja atdhetare e revolucionare e tij. Jam krenar që bashkëpunova ngushtësisht dhe që përjetova me këtë komunist të vendosur e të pathyeshëm, rezultatet e arritjet e punëve tona të mira, në Tropojën tonë besëlidhur me idealin tonë, ndonëse në rrethana tepër të vështira, ilegaliteti e legale, në të njëjtën llogore politike nderi.
Rexhep Osmani,ishte edhe njëri nga anëtarët dhe veprimtarët më të dalluar edhe të Organizatës së Veteranëve të LANÇSH e të Pasardhesve të Veteranëve të asaj lufte, në rrethin e Tropojës.
Me këtë rast të ngarkuar me dhimbje, nga ndarja prej jetës të Rexhep Osmanit, iu shpreh ngushëllimet e mia plot ndjesi dhëmbshurie, familjes së tij, të afëmëve, miqve, bashkëveprimtarëve dhe organizatës së PKSH të rrethit të Tropojës!
Njerëz që rrugën e tyre e mbulojnë me nder e me lavdi, nuk vdesin. I tillë ishte dhe do të kujtohet ndër breza, Rexhep Osman Toskaj.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk