Në një kohë kur Europa ende nuk kishte formuar një qëndrim të qartë mbi ekzistencën dhe prejardhjen e shqiptarëve, rilindasit shqiptarë ndërmorën një mision të pashembullt: të ndërtonin një identitet kombëtar në kushtet e shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe në një vakum njohjeje nga bota akademike europiane. Në këtë sfond, ata zgjodhën me vetëdije tezën e prejardhjes pellazge, duke u mbështetur në të dhëna mitologjike, historike dhe gjuhësore të kohës, si dhe në studimet e para europiane që po formësonin konturet e albanologjisë.
Kritikat që i drejtohen sot kësaj zgjidhjeje, shpesh nga pozita të rrepta akademike, nuk marrin parasysh kontekstin historik, politik dhe epistemologjik të shekujve XVIII-XIX. Asokohe, edhe vetë grekët, të cilët sapo kishin filluar të formonin vetëdijen e tyre kombëtare, mbështeteshin në mitin e Deukalionit, ndërsa shumë popuj të tjerë europianë formuan identitetin e tyre mbi baza legjendare. Rilindasit shqiptarë nuk bënë përjashtim.
Ata kërkuan një narrativë që do t’u jepte shqiptarëve lashtësi, autoktoni dhe vazhdimësi -tre shtylla të domosdoshme për formimin e çdo kombi modern sipas teorive të Ernest Renanit dhe Anthony D. Smith-it.[1,2] ,
Në këtë frymë, ata nuk mohuan kurrë tezën e prejardhjes ilire, përkundrazi, shumë prej tyre e mbështetën dhe e integruan si hallkë e ndërmjetme në zinxhirin pellazg-ilir-shqiptar.
Kështu ndodhi edhe me Johann Georg von Hahn [3] , i quajtur me të drejtë “babai i albanologjisë”, i cili edhe pse nuk ishte shqiptar, u bë një zëvendës simbolik i rilindasve në arenën akademike, duke argumentuar prejardhjen ilire dhe pellasge të shqiptarëve në mënyrë të sistemuar në veprën e tij monumentale Albanesische Studien (1854).
Në radhët e rilindasve shqiptarë që hodhën themelet e një identiteti të bazuar në autoktoni pellazge ishin figura të mëdha si Jeronim De Rada, Zef Jubani, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe shumë të tjerë. Ata gërshetuan me mjeshtëri gjuhësinë, mitologjinë, letërsinë dhe historinë për të krijuar një vetëdije kolektive që i bëri shqiptarët të ndihen pasardhës të një qytetërimi të lashtë e të respektuar.
Rilindasit shqiptarë përqafuan me vetëdije idenë e prejardhjes pellazge dhe autoktonisë në një periudhë kur propaganda sllave-sidomos ajo serbe-po përpiqej të përvetësonte trashëgiminë ilire dhe të mohonte praninë historike të shqiptarëve në Ballkan, duke i paraqitur si të ardhur të vonë nga Kaukazi, sipas tezës së Grashaninit.
Teza e Grashaninit (ose më saktë Naçertania)[4] është një dokument strategjik i hartuar më 1844 nga Ilija Garašanin, një politikan dhe ministër i Brendshëm serb, dhe përfaqëson një nga projektet më të hershme dhe më të rëndësishme të ideologjisë nacionaliste serbe moderne.Edhe pse shpesh përmendet si “teza e Grashaninit”, emri i saktë i dokumentit është “Načertanije” (nga fjala serbe që do të thotë “plan” ose “projekt”).
Ky dokument: ka këtë kryesore të Tezës së “Naçertanijes” Shtrirja e Serbisë në territore jashtë kufijve të saj aktualë, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën, Hercegovinën dhe Shqipërinë e Veriut -në emër të një “bashkimi të popujve sllavë”. Asimilimi ose eliminimi i shqiptarëve, të cilët në dokument përshkruheshin si “pengesë për zgjidhjen e çështjes serbe”. Shqiptarët konsideroheshin si popull joautokton, i ardhur nga Kaukazi ose vise të tjera të largëta, dhe pa të drejtë historike mbi tokat që banonin.Propaganda kulturore dhe kishtare për të ndikuar në opinionin ndërkombëtar dhe për të përgatitur terrenin për ekspansionizëm territorial.[8]
Përballë këtij kërcënimi ideologjik dhe historik, rilindasit ndërtuan një vizion të qëndrueshëm për identitetin kombëtar shqiptar, duke e rrënjosur në një vazhdimësi të lashtë pellazgo-ilire, të mbështetur si në vetëdijen popullore, ashtu edhe në dëshmitë e autorëve klasikë dhe në studimin themelor të Johann Georg von Hahn-it.
Rilindasit e njohën autoritetin e autorëve të lashtë si Herodoti, i cili në Historitë e tij (libri I, 56-58) [5] theksonte se pellazgët përbënin një popull të veçantë e autokton që banonte në zonat e Thesalisë, Dodonës dhe pjesëve të tjera të Ballkanit para se të shfaqeshin helenët. Këto nuk ishin mite të shpikura nga rilindasit, por dëshmi të bazuara në traditën historike klasike. Herodoti vetë e ndan popullin e lashtë autokton të pellazgëve gjuhesisht nga helenët e mitit ideollogjik dhe i përshkruan pellasget si më të vjetërit në truallin që më pas do quhej Helladë.
Herodoti, për më tepër, njihet si “babai i historisë” dhe historikisht është konsideruar burim i besueshëm jo vetëm për përshkrimet mitologjike, por edhe për përvojat e jetuara dhe të dëshmuara nga gojëdhëna dhe udhëtimet e tij. Kjo e bën referencën tek ai një akt jo romantik, por të qëllimshëm dhe të mirëarsyetuar nga rilindasit.
Duke pasur mungesë institucionesh shkencore kombëtare, mungesë arkeologjie vendase dhe në kushtet kur gjuhësia historike ishte ende në zhvillim, rilindasit nuk kishin mjete të tjera për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve në trojet e tyre përveç mbështetjes te burimet klasike dhe analogjitë e tjera europiane.
Në të njëjtën kohë, Herodoti dhe autorë të tjerë si Plutarku.[6] dhe Straboni [7] dëshmojnë për një prani të gjerë të pellazgëve në Greqinë kontinentale, në ishuj, në Epir, në Thesali dhe në pjesë të Italisë jugore dhe Azisë së Vogël etj. Prandaj, për rilindasit, ishte e logjikshme që shqiptarët të identifikoheshin me këtë popull që, në vetëdijen antike, përfaqësonte racën më të vjetër dhe më themelore të Europës.
Ky nuk ishte një nacionalizëm romantik i papërgjegjshëm, siç shpesh është akuzuar sot nga akademikë që nuk kanë shqyrtuar burimet e kohës dhe arsyet e forta të këtij pozicioni. Ishte një zgjedhje e matur dhe strategjike për të garantuar vazhdimësinë historike të një kombi të rrezikuar nga zhdukja. Dhe siç dëshmojnë zbulimet më të fundit arkeologjike, epigrafike dhe gjuhësore -përfshirë ato në Dodonë, Lemnos, Apuli dhe Thesali shumë nga këto teza të hershme po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje në rrafshin ndërkombëtar.
Akademia shqiptare, përkundrazi, për dekada me radhë ka heshtur ose ka refuzuar me arrogancë të analizojë këto rrënjë të mendimit kombëtar, duke i shpallur si “joshkencore” dhe duke preferuar të qëndrojë brenda kornizave të ngushta të gjuhësisë indoeuropiane klasike. Por në dritën e zhvillimeve të reja shkencore dhe në emër të një historie gjithëpërfshirëse, është koha të rikthejmë vëmendjen te rilindasit tanë jo si folkloristë, por si strategë të ndërgjegjes kombëtare që zgjodhën atë që popujt e qytetëruar kanë bërë gjithmonë: ndërtuan një identitet mbi atë që Homeri do ta quante “kujtesa e lashtësisë sonë më të thellë”.
Biblografi:
1.Ernest Renan, Qu’est-ce qu’une nation?, Paris: Calmann-Lévy, 1882.
2. Anthony D. Smith, The Ethnic Origins of Nations, Oxford: Blackwell, 1986.
3. Johann Georg von Hahn, Albanesische Studien, Jena: Friedrich Mauke, 1854.
4.Ilija Garašanin, Načertanije [Projekt politik për politikën e jashtme dhe të brendshme të Serbisë], 1844.
5. Herodotus, Histories, I.56-58
6. Plutarku Vepra: De defectu oraculorum (Mbi zhdukjen e orakujve), një nga veprat morale të Plutarkut.Në këtë traktat filozofik, Plutarku diskuton fatin e orakujve të lashtë dhe përmend se pellazgët ishin ndër popujt e parë që u drejtuan orakujve në Dodonë dhe kishin një rol në kultet fetare më të vjetra të Greqisë. Plutarch, De defectu oraculorum, in Moralia, vol. 5, translated by Frank Cole Babbitt. Loeb Classical Library 306. Cambridge, MA: Harvard University Press, 1936.
7 Staboni Vepra: Geographica, libri VII, kapitulli 7, si dhe në disa fragmente të librit V dhe VI. Straboni shkruan se pellazgët kishin qenë të shpërndarë gjerësisht në Greqinë kontinentale, në Thesali, në Epir, në Peloponez, por edhe në Itali dhe në Azinë e Vogël. Ai i përshkruan si një popull i lashtë dhe i gjerë në Ballkan para ardhjes së helenëve. Strabo, Geographica, vol. III–IV, translated by Horace Leonard Jones. Loeb Classical Library 196–211. Cambridge, MA: Harvard University Press, 1923-1932.
8.Ilija Garašanin, Načertanije [Projekt politik për politikën e jashtme dhe të brendshme të Serbisë], 1844. Ribotuar në: Dušan T. Bataković, The Foreign Policy of Serbia (1844-1867): Ilija Garašanin’s Načertanije, Belgrade: Institute for Balkan Studies, 2002. Dokumenti përshkruan projektin e shtrirjes së Serbisë në viset shqiptare dhe ballkanike duke përjashtuar shqiptarët si autoktonë dhe duke pretenduar se ata ishin të ardhur nga Kaukazi. Kjo tezë shënon fillesën e një politike ekspansioniste që u përforcua në dekadat e mëvonshme me plane të ngjashme si ai i Vaso Çubriloviqit (1937) dhe Memorandumi i SANU (1986).
_______
Shenim: 1. Termi Greqishte të lashtë dhe greqishte Homerike nuk ka…Termi grek i perket pas shek.19-të është perdorim i studiuesve modernë.!
2. Artikullin mund t’a komentoni natyrisht duke ruajtur etiken dhe mund t’a shpërndani natyrisht duke ruajtur të drejtën e autorit…
Lexim e degjim të këndshem te audio vidios..!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!