RIPUBLIKIM: E S E ZËRI STËRGJYSHOR – I PËRCJELLUR NDËR BREZA

04
Feb
2024
Shkruan: Syrja ETEMI


…S’ka mëdyshje! Unë jam shqiptar. Babai dhe nëna ime janë shqiptarë. Jam i lindur në katundin e stisur me histori. Shqiptarët, e me këtë, edhe Ne shqiptarët e vendbanimit tim, jemi stërnipër të pellazgo-ilirëve, të ngulur në këto troje përpara qindra e qindra shekujsh, kur Pollogu e Sharri banoheshin prej egërsirash. Se, a kanë qenë ata bijtë e fisit Agrianë, Pajonë, Penestë a Dardanë, kjo nuk çon shumë peshë. Por, peshë çon fakti se Ne Jemi këtu ku kemi qenë gjithnjë. Këto toka, Ne e, vetëm Ne, i kthyem në vende për banim. E, pikërisht Këtu, NE zbutëm kafshë, ruajtëm bagëti e tubuam vathë; krijuam jetë të hijshme e civilizime që lulëzonin; ndërtuam vendbanime me namë, si: Arnjet, Leshë e Shllishtinë, Oenej e Draudakum, Skup e Uskanë… Patëm mbretër e mbretëresha, princër e princesha …Ndoshta nuk dimë si janë quajtur të gjithë ata mbretër e mbretëresha, princër e princesha të atyre kohërave, por dimë se oborret dhe tokat me nëntokat e tyre ishin shumë, shumë të pasura. Prandaj, këto troje do të lakmohen dhe atakohen nga pushtues të huaj, për të na e vjedhur atë thesar dhe begati; të na e prishin jetën e hijshme… E, grykës të pangopur të tillë, nuk ishin të paktë. Ishin këta: maqedonë hileqarë e romakë lakmitarë, gotë e ostrogotë, galë e vandalë, hunë e mexhnunë, sllavë e barbarë… Dimë edhe këtë se këta llupës maniakë, këta lakmitarë e kusarë, lanë vetëm rrashtat në Ilirikun e bekuar. U desh që paraardhësit tanë, gjithnjë të mbajnë armët pranë vetes në mbrojtje të atdheut të tyre të shenjtë – nga Perseu e Cezari, nga Samoili e Dushani, nga Mehmet Pushtuesi dhe Krajl Petri, e shume Petra të tjerë…
…E, historia kryeneçe vazhdon psherëtimën… Faqet e saja u pleksën me heka dhe bëma të njerëzve të kësaj gjeografie, shpesh “të harruar edhe nga Zoti”. Kjo dëshmitare e së kaluarës së ikur në heshtje e zallahi, konsiston të na rrëfejë për sfidat e kreshnikëve në log të mejdanit me bajlozët që vinin nga detet dhe bjeshkët-betejat me krajla e vojvodë, me harambashë e subashë… Si në një skenë mahnitëse teatrore na brofin aktorët e rregjur me vringëllimat e shpatave e heshtave, siç është Skënderbeu – Nipi i Pollogut, (sepse kishte nënën Vojsava nga Pollogu); dëgjohet ushtima e jataganëve të pollogasve të Dervish Carës, ku role të rëndësishme do të luajnë edhe shumë burra trima nga vendbanimi im të cilët, në kërkim të drejtësisë e dinjitetit arritën deri në bythë të Perandorisë.
Dhe, kujtesa – “tak” – ndalet e fiksohet në vitin 1905, më saktë, më 27 gushtin e zhaposur, kur një grup komitësh (në krye me Nikolla Gostivarin) vranë në pabesi vëllezërit Jakup dhe Pajazit Pajaziti të fshatit tim. Dhe matematika e mbijetesës së sllatinasve “Të gjithë për një-një për të gjithë”, do të vëhej në spikamë. Ata, përkundër thashethemnajave dhe marifeteve të komshive tanë përbri, dinin se ç’kërkonin në Manaster për këtë rast makabër. Nga Prifti Erotej kërkonin vrasësit qyqarë me 14 komitët e arratisur. Gjyshërit tanë në krye me Zendel Drizën, kishin hatrin e Parisë së Pollogut -Mehmet Pashë Derallës me shokë, për të hequr dorë nga djegia e jatakut të komitëve renegatë, por edhe treguan qartë se, për kokën e Koles dhe kusarëve të tij, nuk ka kompromis…
Përkundër kësaj revolte dhe këtij epilogu, stërgjyshërit e mi ditën se deri ku janë kufinjtë e durimit, por edhe të urrejtjes, sepse kjo vrasje tinëzare nuk ishte sulm ndaj fqinjve, por ndaj dorasve qyqarë. Kështu, urejtja ka qenë dhe mbetet atribut i karakterit të palës tjetër (që s’dua t’i potencoj këtu). Sythet e këtij sindromi do të bulojnë më vonë – në vitet 1915, përkatësisht më 29 tetor të këtij viti – nga ana e njerëzve të krajlit të Serbisë, të ndihmuar nga ana e mulakëve leshkas:
…Se ç’u mashtrua një çinovnik me emrin Nikolla Jorgovanoviç me hordhitë e tij duke iu afrua Tokave të Pollogut, për të “mrizuar” përsëri në Manasterin e fqinjëve, me të vetmin synim: djegien e shqiptarëve të Sllatinës!… Po, vetëm se njerëzit e fisit, nuk hanë kopalla, e, nuk do të rrinë “me duar në shkeka”. Ata, në krye me Mollë Beqirin dhe 150 kapedanë, do ta “qerasin” mirë çinovnikun e Beogradit, me kokën e dy oficerëve serb (“narednikun” e çetës së III, Marinkoviç, komandantin e tij, kapitenin e klasit II, Rista Nikoliç) dhe 20 xhandarë të kralit. Edhe për këtë rast, çiftelisë së këngëtarit popullor do t’i kallen telat…
E, bashkë me Ju që po e lexoni këtë ese, të mos gabohemi, por të sqarohemi: Sllatinasët nuk bëjnë histori vetëm me armë e “xhephane”, por copëza historie bëjnë edhe protagonistët, të cilët u përgjëruan për arsim, dije dhe shkollë shqipe. Ishin këta Osman Abdullahi – themelues i shkollës së parë shqipe (private) në Sllatinë, i cili, më vonë bashkë me Molla Ferikun, si pjesëtar të klubit patriotik “Besa”, me të madhe do të propagandonin abetaren e parë me shkronja shqipe, abetaren e mbështjellë mirë e mirë me najllon, e që ruhej në arkat e pajës si një libër i shenjtë, sepse ajo atakohej dhe persekutohej nga hijet e pista të kohës. Misionin fisnik e atdhedashës, të përhapjes së shkrimit dhe leximit në gjuhën shqipe, me devotshmëri do ta vazhdojnë edhe Islam Ramadani, madje pishtarët e dritës, mësuesit e parë të këtij vendbanimi: Isni Abdullahi dhe Sejdi Idrizi.
Koha po ecën revan, e bashkë me të edhe ideologjitë dhe regjimet zëvendësohen. Së pari vjen fashizmi, madje komunizmi. Kufinjtë do të piketohen herë andej, e, herë këndej, herë n’at anë e, herë n’kët’ anë. Kështu, do të ngulet një kufi, i cili nuk do të jetë më larg se nja 350 m. nga këtu (nga vendlindja ime): andej Shqipëri, këndej Bullgari. Por, ç’t’i bësh që njerëzit e këtij vendi nuk njohin ndarje, nuk njohin copëzime!? Këta, gjithnjë kërkojnë bashkim! Kufirin do ta bëjnë copë-copë. Duan ta bëjnë krejt Shqipëri natyrore…
Dihet: demolimi i kufinjve, shlyerja e demarkacioneve artificiale ka çmimin e vet. Sllatina këtë e di shumë mirë. E ka paguar me jetëra njerëzish. Kanë qenë këta: Qamil Etemi, Xhemali Xhelili e Musli Shaqiri, të cilëve edhe sot e kësaj dite eshtrat u pushojnë afër Stacionit famëkeq të Xhandarmërisë – në Leshkë. Por mesazhi i tyre gëlonte qartë, ishte eklatant: Nuk durohen gardhe përreth tokave Arbërore. Duam të jemi të lirë. Nuk duam kufinj, llogore e burgje. Kështu do të flasin edhe Xhelil Xhelili – sllatinasi nga Australia, ku edhe i mbetën eshtrat. Si një unison përgjigjen edhe Akik Ramadani dhe Enver Ademi nga mërgimi i largët, të cilët kurrë nuk do ta ndalin hapin e veprimtarisë ilegale për këtë popull.
Mozaik kufinjsh. Barriera ndarjeje të vendit nga vendi, vëllaut nga vëllau e fisit nga fisi. Pesëdhjetë vite pllakosje të murtajës së kuqe në këto pragje. Këtë ndarje do ta ndjejnë thellë në shpirt qindra e mijëra shqiptarë, e nga Sllatina, këtë zjarr përvëlimtar do ta ndjejë edhe Sulejman Memeti i fisit të Kolëve, i cili do të vdesë larg vendit të lindjes, dhe për 50 vite pa mos arritur të çmallet me të afërmit e fisit.
Ngjarje të hidhura. Ngatërresa. Beteja e luftëra që s’kanë të sosur. Brafullitje e rebelime: “Jo, nuk pranojmë nëpërkëmbje e nënshtrime, hile e padrejtësira nga cilido pushtet qoftë!”.
Ja, do të vijnë vitet tetëdhjeta, përkatësisht viti ‘81, kur pranvera studentore do të shpërthejë si vullkani. Me këtë, edhe studentët sllatinasë s’do të qëndrojnë sehirxhinjë. Edhe këta do të penetrohen në radhët e gjata të turmës, bashkë me vëllezërit e tyre, për të luftuar të keqen. Edhe këta do të futen në flakën dhe tymin që kishin mbërthyer rrugët dhe rrugicat e Prishtinës e Mitrovicës, të cilat kundërmonin erë gjaku. Të brumosur me ide kombëtare, këta të rinjë më tepër do t’i japin fuqi hapit të tyre. Tani ndryshe: do të organizojnë dhe propagandojnë vlerat kombëtare, sidomos me themelimin e shoqatave kulturore dhe klubeve sportive. Në vitin 1985, nga ana e protagonistëve entuziastë do të formohet Shoqëria Kulturo Artistike “Vëllazërimi”, e cila me fanatizmin më të madh do të ruajë dhe kultivojë traditat mbushulluese kombëtare shqiptare. Një vit më vonë do të formohet Klubi Futbollistik me të njëjtin emër, po me personazhë të inspiruar nga reflekset e viteve 80. Janë këto jone të vrullshme rinore, të cilat do t’i japin shtytje hapit të shumë sllatinasve, për t’iu bashkangjitur radhës së gjatë të demonstruesve të vitit 1989 në Tetovë, ku 3 të rinjë sllatinasë do të katandisen prapa grilave të burgjeve sllavo-maqedone. Por, jo vetëm kaq. Aktivitetet ilegale dhe legale do të vazhdojnë. Nuk do të prajnë. Shumë të rinj e të reja, burra e gra do të vazhdojnë ecjen vertikale, përkundër trysnisë permanente të ushtruar edhe pas viteteve 90-ta kur rregjimet ndërrojnë vetëm “kimen…” Prandaj, punët duhen çuar përpara! Hapit duhet dhënë fuqi, sepse s’do të vonojë gjatë dhe Kosova përsëri do të “shpërthejë”. Vëllau – vëllaut duhet dhënë krahun: -Do të vijmë Atje, jo për të zënë argatë, por “kështu e thotë Leka…” E lajmë borxhin kombëtar, e, gjithnjë të vetëdijshëm se edhe ne Këtu nuk jemi të lirë. Do të vijë viti 2001 me impulsin e angazhimit të aktivitetit dhe parapërgatitjes, për të rezultuar me 116 ushtarë të Ushtrisë sonë Kombëtare, të cilët do të ndalin turrin e lukunisë së “Ujqërve” pa dhëmbë dhe “Tigrave” pa grihë – të Shkupit, të cilët mrizonin në vendbanimet për karshi: Leshkë e Tearcë, e që kishin ngujuar Sllatinën shqiptare. “Jo, jo. S’e durojmë ujkun te vathat tona. Le të shkojë në “theqafje…” Dhe, egërsirat ashtu si erdhën, ashtu edhe shkuan. Ikën bishtin ndër vegë e të turpëruar. ”Këtu i thonë Sllatinë. Duam të frymojmë shqip. Të hapërojmë lirshëm…” Kështu kumbon zëri i Murtezan Etemit nga istikami i Rojës së fshatit. ”Ja ku jam!” – do të përgjigjet Burim Huseini nga Kalaja e mbifshatit.
– E, Adelina e vogël, vallë, ç’po shkarravitë në fletoren e saj të bardhë?
– Po pikturon në sfond do dallëndyshe të harlisura e të trazuara…
E, në moment do të stepet me lapsin në dorë, duke qendisur do vjersha të hajthme, mu si trupi i saj i njomë. Do të mbesë me shikimin nga fletorja me vjershat e saja të pambaruara…
Eh, sa vuajtje e krajata… Sa përpjekje e gjakime për mbijetesë! Eh, sa ngarendje në kërkim të rehatisë; në kërkim të dritës, lirisë e drejtësisë… Por, liria nuk akceptohet duke u ankuar e duke sharë të tjerët. Ajo nuk bëhet duke i uryer të tjerët, as duke kërkuar mëshirë e lëmoshë nga hilexhinjtë. Hisja e lirisë u takon të gjithë individëve dhe bashkësive njësoj. Atë nuk mund të na e caktojnë të tjerët. Por, Ne edhe nuk duhet të presim e të pranojmë një gjë të tillë. Liria nuk matet me “përqindje” e të kalkulohet me kandarin e “liridhënësit”. Këtë nuk mund ta pranojë brezi i Mileniumit të Ri, të cilit i takoj edhe unë. Sepse për ta ka një paralajmërim të qartë nga të rënët: Mos duroni parcializim e copëzim. Mos u ngashënjeheni me amallgamën e ashtuquajtur “integrim”, sepse pa integrim ndërshiptar, nuk mund të ketë integrim ndërkombëtar! Prandaj, mbani mendjen; kujtoni të kaluarën – për të ndreq të ardhmen; mësoni nga e kaluara, për të gaprruar sytë drejt vizioneve të bardha; më shumë të veproni, sepse të veprosh do të thotë të luftosh… Marrëveshje me djallin mos pranoni, sepse: “Marrëveshja është një ombrellë e mirë , por strehë e keqe”.
Ndonëse tani unë po shkeli në moshën e tretë, për fund, për gjithë bashkëmoshatarët e mi, bashkëfshatarët e mi, e sidomos për brezin e ri, përmes këtij eseu po lansoj këtë mesazh, duke përçuar zërin e të gjithë atyre që ranë për dritë e diell: Duani njëri-tjetrin! Të jeni gjithnjë në kërkim të rrugës drejt bardhësive! E, besa, i ri, do të dijë të zgjedh rrugën e duhur. Dihet: ajo rrugë nuk është e shtruar me petale trëndafilash, por sido që të jetë, duhet gjakuar e marshuar nëpër të. Të gjithë tok të ecim kësaj rruge. Në të njëjtën kohë do të zgjedhim edhe fatin tonë të përbashkët kombëtar. Jo, më me gjeografi kombëtare të arnuar, por tërësi dhe plotni të asaj që quhet: SHQIPËRI NATYRORE!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/02/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk