Rrëfimi i Nasho Jorgaqit/ Fan S. Noli mbetet nga themeluesit e oratorisë shqiptare dhe mjeshtri i fjalës së shkruar

03
Nov
2023
Shkruan: Medai Shaholli


Fjalimi brilant para shqiptarëve dhe Presidentit Xhonson në Shtëpinë e Bardhë, më 1964
-Fan Noli, mbetet nga themeluesit e oratorisë shqiptare, një nga mjeshtrit e fjalës së shkruar
– Rruga e oratorisë noliane nis me një fjalim politik të mbajtur më 1906, në një rreth të ngushtë mërgimtarësh të varfër shqiptarë në Boston
– Fjala mbyllet me një përshëndetje në Shtëpinë e Bardhë para Presidentit Xhonson të ShBA më 1964
– Ata që kanë pasur fatin ta dëgjojnë Nolin në këto raste dëshmojnë për efektin e jashtëzakonshëm të fjalës së tij
-Më poshtë fjala e F. S. Nolit në një banket organizuar nga shqiptarët në Worcester (Uster) më 22 nëntor 1953.
-Më shumë se sa një fjalim, ajo është një dolli, një bisedë tipike noliane, që ai zhvillonte me bashkatdhetarët
Fan Noli, siç dihet, është nga themeluesit e oratorisë shqiptare, një nga mjeshtrit jo vetëm të fjalës së shkruar, por edhe të fjalës publike. Jo më kot atë e cilësuan Demosteni i shqipes dhe me këtë kishin parasysh aftësitë e rralla shprehëse, forcën argumentuese dhe ngarkesën emocionale të fjalës së folur shqipe. Rruga e oratorisë noliane nis me një fjalim politik të mbajtur më 1906, në një rreth të ngushtë mërgimtarësh të varfër shqiptarë në Boston dhe mbyllet me një përshëndetje në Shtëpinë e Bardhë para Presidentit Xhonson të ShBA më 1964. Në këtë hark kohor përmbi gjysmë shekulli përmblidhet një nga thesaret me vlera të shquara historike, kulturore dhe letrare që ai na ka lënë. Fjala që po u paraqesim lexuesve është shqiptuar prej F. Nolit në një banket organizuar nga shqiptarët në Worcester (Uster) më 22 nëntor 1953. Më shumë se sa një fjalim, ajo është një dolli, një bisedë tipike noliane, që ai zhvillonte me bashkatdhetarët. Zakonisht këto biseda ai i ndërtonte mbi ngjarje që i quante mesele, të përjetuara prej tij ose të huazuara nga historia apo bibla. Ato karakterizohen nga ide të rëndësishme dhe mendime të holla, të shprehura thjeshtë e qartë, përmes një humori të këndshëm dhe gjuhe popullore, të përshkuara nga ndjenja e gëzimit të jetës. Ata që kanë pasur fatin ta dëgjojnë Nolin në këto raste dëshmojnë për efektin e jashtëzakonshëm të fjalës së tij. Ai e mbërthente auditorin, fjala e tij kishte efektin e një muzike të gjithëpushtetshme, kurse humori që përcillte ishte i papërsëritshëm dhe tepër mbresëlënës.
Duke ia dhënë lexuesit këtë fjalim të panjohur, duam ta bëjmë Fan Nolin të pranishëm në mes nesh. Të lexojmë me këtë rast fjalën e tij të mençur, të urtë, hokatare!
Për një ushqim vegjetarian
Nga Fan S. Noli
Zoti dollibash, zonja dhe zotërinj!
Jam shumë i lumtur që ndodhem mes jush këtë mbrëmje në këtë banket. Para se të vazhdoj më tej, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për këtë darkë të shkëlqyer që ju, zonja, na keni servirur me akullore si ëmbëlsirë. Për akulloren kam mall, sepse nuk e ha dot ngaqë është kundër dietës sime. Dhe kjo më kujton një histori të Nastradin Hoxhës. Një herë e një kohë, kur Nastradin Hoxha ishte djalë i vogël, i tha të atit: “Baba, mbrëmë pashë një ëndërr për të qeshur dhe dua që ti të ma shpjegosh. Ëndërrova dondurma, që në turqisht do të thotë akullore. Çdo të thotë kjo?”
I ati iu përgjigj me shaka: “Unë mund të ta shpjegoj ëndrrën, por kjo do të kushtojë një lirë, të cilën duhet të ma parapaguash.”
“Eh, – ia ktheu Nastradini, – po të kisha një lirë, nuk do ta shihja akulloren në ëndërr, por do ta haja.”
Siç mund ta keni vënë re, unë jam vegjetarian. Por mos u trembni. Nuk do t’ju predikoj ndonjë mësim vegjetarian dhe t’ju prish tretjen e ushqimit. Do t’ju tregoj se kush më ktheu në vegjetarian. Njeriu që e bëri këtë ishte miku ynë i vjetër, Faik Konica, i cili shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Uashington nga 1926-a deri më 1939-ën dhe që besonte se asnjë ditë nuk ishte e përsosur pa dy biftekë, një për drekë dhe një për darkë, nganjëherë edhe një për mëngjes. Konica besonte te vegjetarianizmi, por e keqja ishte se ai thjeshtë nuk i thoshte dot “jo” një bifteku të madh e të lëngshëm. Nganjëherë ndërgjegjja e tij prej vegjetariani e shqetësonte aq shumë, sa i duhej të linte mënjanë të paktën një ditë vegjetarian në javë. Një ditë e kam parë të hante për dy vet, ose një sasi të madhe ushqimi vegjetarian dhe t’i jepte fund me një biftek duke thënë: “Motra jonë, lopa, ia ka ngenë të hajë ushqim vegjetarian gjithë ditën. Ne, qeniet njerëzore, duhet të pushojmë së ngrëni dhe të bëjmë edhe disa punë të tjera. Kjo është koha kur shfaqet bifteku.”
Konica ishte nga ata njerëz që e shijonte dhe e donte ushqimin. Ai besonte te sasia, sikurse dhe tek cilësia. Një ditë e pashë të fillonte me një tas të madh me midhje të përvëluara; vazhdoi më pas me një karavidhe; pulë të pjekur dhe biftekun e domosdoshëm. Mbas ëmbëlsirës ai ra në gjumë hipnotik dhe unë kujtova se u sëmur nga mbingrënia. Por isha gabuar. Shpejt zbulova se ajo që e shqetësonte ishte diçka krejt tjetër. Pa orën e dorës dhe tha: “ora është pesë; së shpejti do të jetë gjashtë. Kur do të hamë darkën?”
Fjalët e fundit të Konicës në shtratin vdekjes, drejtuar shërbëtores së tij zezake, ishin: “Hati, më sill një biftek, por që të jetë i papjekur, i kuq dhe i lëngshëm. Po të jetë shumë i pjekur, do ta kthej mbrapsht.” Ai mendonte se duhej të vdiste me stomakun plot.
Konica nuk ishte i vetmi që besonte në idealin gastronomik. Kur isha në Egjipt, zbulova se edhe egjiptianët mendonin se duhej të vdisnin me stomakun plot. Gjella kombëtare në Egjipt është e ashtuquajtura “mouloukhia”. Ajo duket si një supë e hollë me spinaq dhe hahet me petulla e fasule egjiptiane. Miqtë tanë egjiptianë nuk përdorin thika, pirunë, lugë apo peceta. Në vend të tyre përdorin duart dhe i fshijnë në tallaganët e tyre, që i quajnë “shelegia”. Darka përfundon me një mocha që është kafe nga Mocha në Arabi, e përgatitur në një mënyrë të veçantë. Kafja e tyre nuk është e bluar, por e shtypur në qypa të mëdhenj argjendi me doreza argjendi. Tani kini mendjen – kjo është e rëndësishme. Ndërkohë që shtypin kafenë, egjiptianët këndojnë një melodi të fortë që tingëllon më shumë si himn se sa si këngë. Ajo vazhdon si më poshtë: “Hey, hey! Ho, ho!” Dhe ngulin këmbë se është kjo këngë që i jep kafesë një shije të veçantë. Provojeni, zonja, dhe më thoni nëse kafja juaj shijon më shumë se kafja prozaike, që ju e bëni pa ndonjë këngë ose poezi.
Fshatarët egjiptianë, pas “mouloukhia-s” së bollshme, zakonisht marrin një sy gjumë. Nuk përdorin jastëkë. Vendin e tyre e zë ndonjë kërcu ose shkëmb. Aktualisht jastëku i tyre më i preferuar është binari i shinave të hekurudhës, por rojet mizore nuk i lënë ta gëzojnë. Ata u thonë se kjo është e rrezikshme dhe padyshim do të thotë vdekje kur treni rrëshqet përgjatë shinave. “Anamale”, përgjigjen ata, që në gjuhën egjiptiane do të thotë: “S’na bëhet vonë. Një ditë do të vdesim dhe më mirë të vdesim me stomak plot, se sa me stomak bosh.”
Le të mbetemi te problemi i darkave dhe banketeve, vegjetariane apo të tjera, që ne të gjithë i shijojmë. Unë kujtoj me kënaqësi një banket të shkëlqyer që kam ndjekur në një teqe bektashiane, në Teqenë e Tepelenës në Shqipëri. Baballarët bektashianë që ma shtruan besonin në darkat e zgjatura. Ajo filloi rreth orës një pasdite dhe mbaroi rreth orës tetë në mbrëmje. Dy orët e para ua kushtuam lloj-lloj mezeve dhe aperitivëve të shijshëm, të cilët i shoqëronim me raki të bardhë Përmeti. Mbas tri orëve të para unë mendova se darka mbaroi. U ngrita për t’u thënë lamtumirë mikpritësve të mi. Babi i Teqes, i hutuar, më tha se sapo kishim filluar dhe atë çast do të vinte supa! U ula përsëri dhe numërova 10 ose 12 orë njëra pas tjetrës. Të gjitha gjellët ishin aq të shkëlqyera sa kur mbaroi banketi unë nuk ndenja pa e puthur kuzhinierin në të dyja faqet. T’ju them të vërtetën këmbët më dridheshin pak dhe koka më vinte ca vërdallë dhe e pata të vështirë t’i hipja kalit dhe të qëndroja mbi shalë.
Kjo më kujton meselenë e priftit që, në një darkë, piu më shumë se mund të mbante. Ai nuk ishte tamam pijanec, por ishte shumë i dashur për t’i thënë “jo” të zotit të shtëpisë dhe u përgjigj: “Tani, uratë, ju lutem pini dhe një gotë tjetër.” Në fund të darkës prifti me vështirësi i hipi kalit dhe u kthye në shtëpi. Gjatë rrugës iu desh të kalonte një lumë dhe kali përfitoi nga rasti për të pirë ujë. Prifti i zbriti kalit dhe e la të pinte tamam. Pastaj i tha: “Tani, i dashur kalë plak, më bëj një favor dhe pi edhe ca.” Kali tundi kokën dhe ia ktheu: “Në asnjë mënyrë jo.” Prifti nguli këmbë: “Tani, i dashur kalë plak, më bëj një favor dhe pi edhe ca.” Kali tundi përsëri kokën dhe tha: “Gjë që s’bëhet.” Atëherë prifti shtoi: “Eh, i dashur kalë plak, ti do të kishe qenë prift më i mirë se unë. Ti e di kur duhet t’i japësh fund të pirit. Unë jo.”
Si delegat i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, pata mundësinë të marr pjesë në disa darka e bankete. Veçanërisht njëra prej tyre më bëri shumë përshtypje. E shtronte një princ indian, që përfaqësonte Indinë. Kishin thirrur një kuzhinier nga Parisi për të përgatitur gjellë të ndryshme dhe shërbenin verë speciale franceze, të përcaktuar për çdo gjellë. Të përcaktuar do të thotë verë e lehtë me gjellët e para, verë e rëndë me gjellët e dyta, shampanjë me ëmbëlsirën dhe frutat dhe “Benedictine” e “Chartreu” mbas kafesë. Gjëja më e mirë e kësaj darke ishte se nuk u kërkuan fjalime mbas darke. Dhe ky ishte një vendim shumë i urtë, sepse mbas gjithë atyre verërave dhe likernave franceze asnjë delegat nuk do të ishte në gjendje të shqiptonte edhe një tingull të vetëm. Të gjithë të ftuarve u ishte lidhur gjuha. Kjo më kujton zakonin qesharak të fjalimeve mbas darke. Siç e dini të gjitha qeniet e gjalla, mbas një darke të këndshme duan të marrin një sy gjumë e të tresin ushqimin në paqe. Kurse ne, qeniet njerëzore, pas të ngrënit fillojmë të flasim e të flasim. Për fat të mirë është një dollibash që i kujton folësit të jenë të dashur e t’i bien shkurt. Z. Dollibash, më ndalo nëse koha ime ka mbaruar dhe po llomotis shumë.
Në Tiranë, kryeqytet i Shqipërisë, si kryeministër më duhej të jepja lloj-lloj darkash diplomatike. Në të gjitha këto darka kënaqesha sepse, siç e dini, ato janë falas. Për to paguan shteti me qëllim që të argëtojë dhe të kënaqë të dërguarit e huaj. Më kujtohen veçanërisht darkat që jepja për të dërguarin britanik. Ai ishte i shëmtuar dhe krijonte distancë midis vetes dhe kujtdo që i afrohej. Në fytyrën e tij mund të lexonit se ai përfaqësonte Perandorinë e fuqishme Britanike, ku “dielli nuk perëndon kurrë”. Kur ishte esëll, prej tij ishte e pamundur të nxirrje një buzëqeshje. Por mbas dy gotash konjaku të fortë shqiptar që të ngroh zemrën dhe që ne e quajmë raki, ai hidhte tutje dinjitetin e tij britanik dhe bëhej fare njerëzor. Ai më donte dhe unë e doja. I pëlqente veçanërisht rakia e gjelbër e Drenovës, rakia e bardhë e Përmetit, vera e kuqe e Pogradecit dhe vera e kuqe e errët e Korçës. Unë nuk e bindja dot që të gjitha këto pije ishin prodhime lokale shqiptare. Ai ngulte këmbë që ato vinin nga Parisi. Më në fund, një ditë i thashë: “Jo, nuk vijnë nga Parisi, vijnë nga më larg, ato vijnë nga qielli. Ja përse na bëjnë që të dyve kaq të lumtur.”
Pra, rezultati i gjithë këtyre darkave dhe banketeve të pasura ishte si më poshtë: unë shkova në Shqipëri si një burrë i dobët, me pamje prej të urituri, që peshonte 130 paund dhe pas tre vjet me standard të lartë si anëtar i Parlamentit, ministër, delegat në Lidhjen e Kombeve dhe Kryeministër i Shqipërisë unë u bëra një trashaluq me bark, që peshonte rreth 200 paund. Dhe shtoja në peshë çdo javë e çdo muaj. Sikur të kisha ndenjur më shumë në Shqipëri në ato zyrat e larta, tani do të isha i vdekur e i tretur. Dhe a e dini kush më shpëtoi? Armiqtë e mi që më përzunë nga Shqipëria e më çuan në Vjenë, ku u konsultova me një mjek. Ai më tha se po shkoja drejt ulcerës së stomakut, tensionit të lartë, diabetit dhe disa komplikacioneve të tjera. Ai nuk më dha më shumë se një vit jetë po të vazhdoja të shtoja në peshë apo dhe të qëndroja aq sa isha. Më vuri në dietë të fortë. Thjeshtë më futi frikën e vdekjes.
Ishte ajo kohë, më 1925, që u ktheva në vegjetarian. Gati për gjashtë muaj humba 70 paund dhe këtë e quaj arritjen më të madhe në jetën time. Gjithë të tjerat s’janë veçse vogëlsira krahasuar me këtë. Ju zonja dhe zotërinj, provojeni dhe do ta shikoni vetë.
Kam qenë vegjetarian që nga viti 1925 deri më 1934. Për fat të keq mora një pneumoni dhe mjeku më tha o të haja mish, o të vdisja. I besova dhe iu ktheva biftekëve. Shpejt filloi të më kërcënojë përsëri ulcera, tensioni, diabeti e komplikacione të tjera. Dr. Murphy nga Bostoni, fitues i Çmimit Nobel, më vuri përsëri në dietë të fortë. Më 1947 u bëra prapë vegjetarian dhe vazhdoj të jem dhe sot. Ndjehem aq mirë, sa jam i sigurt se do të mbetem vegjetarian për gjithë jetën.
Është e vërtetë që në Boston nuk kam kthyer shumë njerëz në vegjetarianë. Dhe me sa di as në Uster nuk kam kthyer ndonjë. Por e keqja është se nuk më keni dhënë rast. Ju më ftoni në Uster vetëm dy herë në vit. Kam këtë sugjerim: më ftoni çdo vit për dy Mesha Pontifike në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën angleze për brezin e ri, me ose pa bankete, si të vendosni vetë. Kjo do të më japë më shumë kohë që t’ju kthej në vegjetarianë. Dhe gjithashtu mund t’ju japë juve më shumë kohë të më ktheni mua në jovegjetarian.
Dhe tani, deri sa të takohemi përsëri, Zoti ju bekoftë! Ju faleminderit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk