SA HERË DUHET TË PËRSËRITET TRAGJEDIA E VUKOVARIT?!

15
May
2023


Shkruan: Xhemil Zeqiri

– Letër e hapur

drejtuar Ministrit të Punëve Jashtme të Danimarkës, z.Niels Helveg Pedersen –

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Rreth situatës në Kosovë, sidomos vitet e fundit, u jam drejtuar juve disa herë.

Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, në letrën që ju dërgo- va, ndër të tjera, theksova se:

“Nëse, së shpejti, nuk gjendet një zgjidhje paqësore, që do t’iu siguronte shqiptarëve në Kosovë të drejta nacionale dhe sociale, do të shpërthejë një konflikt i armatosur me përmasa të gjera. Viktimat njerëzore dhe dëmet ekonomike (materiale) do të jenë të mëdha sa në rastin e Bosnjës. Nëse udhëheqja serbe përdor raketat dhe sulmon me armatim të rëndë civilët, kush do ta marrë përgjegjësinë? Sa herë duhet të përsëritet tragjedia e Vukovarit?”

Muajt e fundit dëshmuan se kisha të drejtë. Kosova është bërë arenë lufte. Ofensiva e ushtrisë serbe ka detyruar qindra e mijëra shqiptarë ta lëshojnë vendin. Ata kanë ikur në Shqipëri e në Maqedoni, ndërsa një numër i konsiderueshëm janë nëpër male, me shpresë se do të gjejnë pak më tepër siguri nga sulmet e forcave serbe.

Nga të gjitha anët vërshojnë lajme nga më të ndryshmet, se forcat serbe kanë djegur shtëpitë e shqiptarëve, kanë grabitur dhe vrarë bagëtitë. Qytete e fshatra të tëra të shqiptarërve janë djegur, janë bombarduar. Në këtë luftë të pamëshirshme vetëm një pjesë e vogël e të lashtave vjetore ka mbetur. Është kjo një tragjedi e papërshkrueshme njerëzore dhe nacionale në historinë e re të Evropës.

Shqiptarët në Jugosllavi, vite të tëra u munduan që me mjete paqësore të siguronin të drejtat e barabarta, sikurse si popujt e tjerë në Jugosllavi. Vendet e Evropës, në veçanti Fuqitë e Mëdha, i mbyllën sytë. Lufta e armatosur rezultoi si dëshpërim ndaj paaftësisë së këtyre fuqive të sipërpërmendura që të hapnin derën e zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Në këta muajt e fundit historia është përsëritur me tragjedi të papara.

Shqiptarët, megjithatë, janë të armatosur dobët, ndaj nuk mund ta ndalin makinën luftarake serbe, që ka përmasa të mëdha të armatimit të rëndë.

E gjithë përgjegjësia për zhvillimet në Ballkan bie mbi Fuqitë e Mëdha, pasi ato, në vend që të punonin për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme, më shumë shikonin ienteresat e tyre. Paqja në Ballkan do të bëhej e mundshme vetëm me vendosjen e të drejtave themelore mbi parimin e barazisë. Pse i refuzojnë ato, ndër to edhe Danimarka, të pranojnë se shqiptarët në Jugosllavi duhet të trajtohen si popull, e jo si pakicë kombëtare.

Më lejoni t’jua përkujtoj edhe këtë: Në ish-Jugosllavi shqiptarët ishin popullata e tretë për nga numri. Kemi të drejtë t’i gëzojmë të drejtat tona, si të gjithë popujt

e tjerë, por ndaj nesh ushtrohet një shtypje brutale nacionale, që është diçka e pashembullt në Evropën e sotme.

NATO-ja ka intensifikuar këto ditë ushtrimet ushtarake në Shqipëri dhe po e kërcënon regjimin e Millosheviqit me bombardime, respektivisht me futjen e këmbësorisë në Kosovë. Por, çka ndihmon kjo?! Në këtë konflikt nuk mund të ketë as zgjidhje luftarake. Do të sjellë edhe më shumë urrejtje, më shumë viktima, më shumë shkatërrime. Si mund të besojmë se të njëjtat fuqi të mëdha, që gjatë historisë kanë lënë gjurmë të përgjakshme në Ballkan, tani me armë të sjellin lirinë?!

Sot, si edhe më parë, lufta në Ballkan konsiston në rezervat e pasurisë natyrore dhe në pozitën strategjike, prandaj Fuqitë e Mëdha i ka vënë në lëvizje, ndryshe që moti shqiptarëve do t’ua njihnin të drejtat e tyre themelore. Për shqiptarët është edhe një nënçmim i thellë që, ndër të tjera, NATO insiston që Ibrahim Rugova të jetë në krye të delegacionit shqiptar për bisedime paqësore. Emrin president ai i ka dhënë vetvetes. Ai nuk ka kurrfarë mandati nga populli shqiptar dhe është i izoluar gati nga të gjitha forcat politike.

Tani Kosova po digjet, Evropa shikon pasivisht. Dimri po afron. Popullit shqiptar i mungon ushqimi, shtëpitë, nxehja… Përmes kontakteve të mia me njerëz nga Kosova, e di se ka vetëm një ndihmë të vogël e spontane.

Kjo paraqitje, sikur e bën të arsyeshme t’i drejtoj një apel qeverisë daneze:

• Të punojë pa u ndalur për të dhënë ndihmat e nevojshme në kuadrin e ndihmave ndërkombëtare.

• Sa më shpejt që të jetë e mundur, të përgatisë një ndërhyrje afatgjatë humanitare, ndër të tjera, ndihma për rindërtimin e qyteteve dhe të fshatrave, në vend që të harxhojë miliona për dërgimin e ushtarëve danezë në Kosovë.

• Në të gjitha organet relevante ndërkombëtare, Danimarka të deklarojë qartë dhe të theksojë se dëshiron një marrëveshje të drejtë paqësore, që do të ishte bazë për sigurimin e të drejtave të barabarta të popujve në Ballkan.

Kryetar i KMDLNJ-së të Kosovës – dega në Danimarkë, -“ARBAJDEREN”

Kopenhagë, 21 gusht 1998
/ Nga Arkivi i diplomacisë.dk/

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk