Përgjigje akuzave të Sali Berishës në TV Dukagjini se Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e kanë shitur Kosovën. Fakte dhe dëshmi historike që publikohen për herë të parë nga historiani i njohur kosovar. Reagimi i Enverit dhe Titos për vendimet e Konferencës së Bujanit dhe e vërteta për masakrën e Tivarit. Sfida e historianit: a dalim ballë për ballë Sali për gypat e naftës nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtë tankeve të Milloshit?
Sali Berisha, e akuzove Enver Hoxhën dhe Fadil Hoxhën se e “paskan tradhtuar- shitur Kosovën”. Ore burrë, me sa e dijmë ne Ju jeni mjek. Ku e keni gjetë atë dokument të pazarit të “shekullit” për Shqipërinë Kontinentale (Kosovën dhe viset e tjera të robëruara…). Trego he burrë? Po bëhen 45 vjet që hulumtoj nëpër arkiva dhe një dokument të tillë nuk e kam hasë. E besa, më duhet të mos jem modest se jam punonjësi shkencor për historinë e trojeve shqiptare ma i informuari shqiptar, specialist për kohën sa ishin gjallë të dy politikanët HOXHA, njeri me funksion e me pushtet të plotë, e tjetri me funksion e pa pushtet. JO! Dr Sali Berisha, duhet t’i kërkosh falje publike popullit, të cilin po e rren, si dhe atyre që i akuzon. Nuk po të jap këshilla; mati argumentet. Po ti, nëse ke bërë pazare me Milloshin, dhe e ke bërë, qe besa, tani për tani po të “kursejmë”, sepse dihen të gjitha, por po të betohem në FLAMUR, se fytyra jote do të mbetet e ZEZË, si katrani. Ja ku jam, po ta them publikisht. Unë nuk të urrej, të respektoj si mjek e nejri, plus që je Tropojan i vendlindjes së Gjereal Tahir Sinanit (dëshmor i UÇK). Marre more burrë, Ti lëre që po e komprometon vetën, por po i korit edhe të tjerët, se Tropoja është Kosovë, ore mjek, mjek që ke harruar si vërtetohet diagnoza e të sëmurit. Lexoje Hipokratin.
Foli Dr Sali Berisha në TV Dukagjini, me atë temperamentin politik të bulevardit-mitingashi, por la një përshtypje, se akuzon kuturu, se kinse Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e “paskan shitë Kosovën”! Menjëherë më duhet t`i them doktorit se kur dhe ku u organizua ai Pazar?! Dhe, po të kishte qenë ndonjë personalitet, që ka pasë funksion por edhe pushtet, atëherë shtrohet pyetja krahasuese kush të pengoi Ty, z.Sali Berisha kur e more pushtetin, e ta vejshe në kufi ushtrinë për çlirimin e Kosovës, besa edhe të Çamërisë, sepse i ke pasë 240 aeroplanë luftarakë, mbi 5000 oficera të lartë të shkolluar kualitativë e nja 230 diplomatë karriere me njohuri shumë profesionale, me mijëra tanke e artileri të të gjitha llojeve, disa uzina për prodhim armësh e municione, e gjithsej gati 1.000.000 popull-ushtar nën armë të organizuar në mbi 20 divizione. Po neve që merremi me të kaluarën, lexojmë në dokumente se ushtarët e Shqipërisë Bregdetare t’i vrante greku e sllavi në kufi e Ti heshtje. Sali, Ti vetëm se bëre një listë sesi ta zhbëje diplomacinë e ushtrinë, si të bëje fajdet, me tentim ta shkatrrojshe Shqipërinë Bregdetare, sikundër e realizove më 1997. Fare nuk mendove apo “mendove”, në mënyrë që të hapje shanset për Milloshin, ta shfaroste Kosovën pa problem, sepse Shqipëria mbaroi (mars 1997). Kjo nuk ishte shitje e drejtëpërdrejtë, por gypat e naftës nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtë tankeve të Milloshit, të thërrasin trishtueshëm: Mbylle gojën! O Sali, kena me i botu edhe fotogarfitë e gypave, kur Serbia ishte nën embargo, e dënuar unanimisht nga KS OKB-së. Fol, a dalim ballë për ballë?
***
Tash po të tregoj se ku ishte me kuadro Enver Hoxha që për 45 vjet, me funksion dhe pushtet absolut-totalitar, dhe ku ishte Fadil Hoxha që kishte funksion lokal deri më 1968, e pastaj edhe më lartë, por kurrën e kurrës nuk ka pasë pushtet.
Enver Hoxha e mori drejtimin politik të majtë në Shqipërinë Bregdetare më 8 XI 1941. Aty ishin dy shqiptarë të Kosovës: Ramadan Çitaku dhe Elhami Nimani. Kjo prani tregon diçka, edhe pse ishin dy malazezë “kominternas”, sepse ishte zakon i kohës jo vetëm për shqiptarët, sikurse princat, krajlët e mbretëritë në mesjetë që i kurorëzonte dikush. E ti nuk i njeh ligjet politike të Kominternit, që ishte organizata më proshqiptare (me i zbardh plagët e Kosovës dhe me ia bashkua Shqipërisë-Lexo Rezolutën e Kongresit IV PKJ në Drezden më 1928; lexo Rezolutën e KQ PKJ në Zagreb më 17 tetor 1940, ku thuhet se Kosova duhet të avansohet në Republikë sovjetike. Dhe disa shqiptarë idealistë, duke e parë se Evropa na TRADHTOI në Berlin (1878), në Londër (1913), në Versajë (1919), u kthyen kah politika majtiste). I lexo dokuementet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në çdo program figuron simpatia për SHBA (Amerikën), në anën tjetër, edhe ajo deri më 1999 nuk shkrepi në dobi të luftës së drejtë që bënë shqiptarët për çlirim dhe bashkim.
Enver Hoxha ngadalë u avansua në prijës meritor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe këtë fakt nuk ka fuqi që e abrogon. Konferenca e Pezës këtë rreshtim e argumenton. E vërteton edhe letra e Koço Tashkos drejtuar Kominternit, ku Kosova është çështje shumë e theksuar, se duhet t`i bashkohet Shqipërisë. Salo!, unë kurrë nuk e kam denigruar Ballin Kombëtar si historian, por me rastin e themelimit dhe më vonë kishte në Kryesi shqiptarë nga Kosova. Mos të flasim për Legalitetin e mercenarëve.
Doktor Salo, më 20 tetor 1942 Fadil Hoxha themeloi Shtabin e Përkohshëm të UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit. Po në këtë kohë e themelon Aradhën e parë shqiptare “Zenel Hajdini”; themelon në vijim: Aradhën “Emin Duraku”, “Bajram Curri”, “Kosova”, dhe më 15 prill 1943 themelon Shtabin Kryesor të UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit. (Shtab Kryesor kishin të gjitha ish republikat tjera të Jugosllavisë), kurse, Jugosllavia kishte Shtab Suprem. Në këto rrethana, në viset shqiptare i pari do të gjindet ekipi Bill Maklinit (anglez), që do të njihet me luftën antifashiste. Pra, nuk ishin rusët fare në dijeni për këtë realitet antifashist shqiptar. Ky realitet në kushte të okupimit nazifashist që e kishte mbyllur Evropën në zi, nuk mund të injorohet. Po, edhe Enveri edhe Fadili e TRADHTUAN Fashizmin, nuk i sherbyen si të tjerët që të pranojnë pushtet kuisling dhe të rrijnë gju më gju apo në një qytet dhe të lëvizin lirshëm, e roli i atyre që rrinin midis Tirane dhe Prishtine e Mitrovice me oficerët nazifashistë dihet. Shkojmë më tutje, ende nuk kemi pikë kritike se kah duhet të shkojë Shqipëria Kontinentale-pra Kosova, e cila nuk ishte në “Pazar” të askujt, por të okupatorëve po. Pra, intermedialisht ishte në “Pazar” tinzar të çetnikëve, sllavokomunistëve, por ec e lexoi mendimet e tyre meskine. Plus kur dihet niveli i arsimimit politik, mozaiku i “pazarit” vejn e bëhet edhe më llotari se llotaria. Po ku je ti sot, pse nuk po i përmirson gabimet me tërë këta intelektualë dhe bajraktarë mëhallash politikë djathtistë dhe patriotë me llafe.
Më 10 korrik 1943 formohet Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH; më 15 gusht 1943 formohet Brigada e Parë Sulmuese. Pason ardhja e Misionit Amerikan i drejtuar nga Tomas Stefani (lexoi raportet e tij të pabotuara kurrë në AK-hb, ore i gjorë, po çfarë shitje, po çfarë tradhtie… !). Pason mbajtja e Konferencës së Bujanit, që ishte inicuar nga Fadil Hoxha, më 6 XI 1943 në Sharr (Konsulta e Komitetit Krahinor: lexo se çfar vendimesh u muarën kryekëput kundër politikës serbomadhe, çetniko fashite –hb).
Po, mbasi është fjala për Kosovën, më 11/12 janar 1944 Fadil Hoxha një dosje të Bujanit ia dërgon Enver Hoxhës në gjuhën shqipe, një dosje ia dërgon Titos në gjuhën serbishte. Enver Hoxha dhe Shtabi i tij politik dhe ushtrak komplet i pranojnë vendimet e Bujanit, marrë më 2 janar 1944. Tito, Rankoviç dhe Gjillas, përmes një letre, që mban datën 28 mars 1944, e që e nënshkruan ky i funidit, e refuzojnë kategoriksiht çdo frymë liridashëse në Rezolutën e Bujanit, duke theksuar, se Kuvedi i Buajnit “nuk mundet të jetë institucion ligjëbërës”. Ku e dinte Fadil Hoxha me shkollë mësuesie se çka mshifet nga kjo kërkesë çvleftsuese e Kuvendit të Bujanit. E nëse një kuvend nuk prodhon ligje, atëherë çka është ai. Letra e M. Gjillasit me të gjitha kërcënimet dhe shantazhet shqyrtohet më 16. VI.1944 në Kolosian. Para dite debaton Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë, i kryesuar nga Pavle Joviqeviqi, mbas darke, po në Kolosian, në odë të Bajraktarit, debaton Kuvendi i dalur nga Bujani, nën drejtimin e Mehmet Hoxhës. E pranojnë “kritikën partiake” të Gjilasit në tërësi. Në këtë pranim reagon te Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha shumë ashpër. Ruhen reagimet në A. CKSKJ/44.
Për ta amortizuar masakrën e shkurtit 1944, që bëri Regjimenti “Kosova” në Tiranë, drejtuar nga Xhafer Deva dhe Shmit Huberi, me kërkesë të Fadil Hoxhës, Shtabi Suprem i Jugosllavisë dhe Shtabi Kryesor i Kosovës do të KËRKOJNË që Shtabi i Përgjishëm i UNÇ të Shqipërisë t`i dërgojë forcat e veta respektive në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Kjo kërkesë do të shqyrtohet drejtëpërdrejt nga 16 deri 26 gusht 1944 në ishullin VIS, ku ishte paria politike antifashiste Jugosllave dhe përfaqësuesit e Luftës Antifashiste të Shqipërisë bregdetare si: Ramadan Çitaku (nga Drenica), Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu nga (Shqipëria Bregdetare, sikundër thuhet në dokument). Biseda që shtruan delegatët e Enver Hoxhës nga 16-26 gusht 1944 është kjo: Pasi që e prezantojnë (Ramadan Çitaku) “Memorandumin e Komisionit shqiptar nga Qeveria Kombëtare e Vlorës, nënshkruar nga: Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga më 2 janar 1913 me plotësim, sidomos të asaj pjese të Memorandumit të 25 janarit 1913 në Londër, (lexo në: AQSH. Fondi: Kryesia e Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës, Dosja 19, frengjisht), ku kërkohen viset e Shqipërisë Kontinetale (dok. e ka botuar edhe Arben Puto, në librin dokumetar “Çështja…II”, Tiranë 1997, dok 3 dhe 7; dokumenti grek, nr. 4, i 3 janarit 1913 ; dok. Serb nr.5, i 8 janarit 1913).
Si pasojë e këtyre fakteve A. Rankoviç largohet nga bisedimet. Por Tito, Kardeli dhe Gjillas bashkë me delegacionin e Enverit marrin vendim: “Nëse Shqipëria Bregdetare ndërton sistem socialist, Kosova shkon me Shqipëri; nëse Shqipëria nderton sistem kapitalist, Kosova shkon me Jugosllavinë”. Nuk duhet përjashtuar edhe fakti, se para kësaj kohe do të kërkohet nga një komunist malazez që Kosova të drejtohet nga Shtabi i Enverit në Luftën Antifashite. Faktet janë të njohura dhe këto i kemi prezentuar nepër tubime shkencore për 25 vjet.
Dihet çfarë sistemi ndërtoi Shqipëria më 1945 e tutje. Por, pas largimit të Delegacionit shqiptar nga ujdhesa e Visit më 26 gusht 1944, J. B. Titos i afrohet A. Rankoviç dhe e pyet: “Sa vlen kjo Marrëveshje? Tito i përgjigjet: Derisa të largohet delegcioni shqiptar nga ujdhesa”!!! Çka ngjan? Pas 6 (gjashtë) ditësh, më 2 shtator 1944, J. B. Tito e DEGRADON ( e ul) Shtabin Kryesor të UNÇ Kosovës në Shtab Operativ, nën komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë. Kjo do të thotë, se titistët më 2 shtator 1944, pa e ditur fare as Enveri e as Fadili, e defaktoriuzuan ushtrakisht Kosovën, edhe pse deri në këtë kohë Fadil Hoxha i drejtonte gjashtë brigada dhe 3 aradha me 4 batalone antifashiste nga Kosova me 38 000 luftëtarë antifashistë.
Në përgjigje të këtij degradimi ushtark që iu bë Kosovës, Enver Hoxha do të përgjigjet më 12 shtator 1944, (pra dhjetë ditë pas degradimit-hb), duke i futur në Kosovë dy Divizione të UNÇ Shqiptare. Historikisht këto dy divizione e kanë shpëtuar Kosovën, popullin shqiptar nga shfarosja, sepse më 3 XI 1944, Vasa Çubrilloviç përpiloi Elaboratin për t`i shfarosë shqiptarët, “deri sa të zgjasin operacionet ushtarke”. Në frymën e këtij elaborati, më 21 XI 1944 Kryesia e Avnoj-it i AMNISTOI të gjitha njësitet çetnike, të cilat më 22 nëntor u konvertuan në “partizanë” dhe kështu do të vijojë “kënga” nacional- shoviniste dhe klero-fashiste çetniko-serbiane për ta shfarrosur popullin shqiptar në Jugosllavi, në frymën e Konventës Jugosllavo-Turke, për DEPORTIMIN e shqiptarëve në Anadolli më 1938-1944. Ata çetnikë që kishin deklaruar “Do të jemi fatlum kur Drazha Mihajloviq do të na japi urdhër, Llapi dhe Sitnica do të bartin koka dhe plisa të shqiptarëve dy muaj”, u bënë partizanë dhe vendosën pushtet neokolonial. Ku t’i mësonin Enveri dhe Fadili këto thika pas shpine të Serbianëve me grada gjeneralësh me ndihma nga Çerçilli, Ruzvellti dhe Stalini?
Mos harro Dr Sali Berisha, se: Çerçili, Ruzvellti dhe Stalini, muarën vendimin unanim në fund të 1944 dhe shkurt 1945 në Krime se: “Ata popuj që kanë bashkpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t’i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet”. Fol doktor, si të luftojnë kundër: SHBA, Anglisë dhe BRSSS, një grusht shqiptarësh, duke llogaritur këtu edhe ata shqiptarë që ishin me Hitlerin si mishi e kocka. Lehtë e ke tash me shitë zbuluar “pazare”, që nuk t’i blen njeri i shkolluar dhe i informuar drejtë. Po shkenca e historisë nuk është shfaqje teatrale, kur kritiku jep vlerësim që kurrë nuk e ka lexuar as tekstin, madje nuk e ka parë as shfaqjen. I tillë je Ti Salo në këtë punën e “pazarit”, sepse edhe kur fol para opinonit në televizion, mendon se je në një tubim parazgjedhor politik, sepse me profesion je mjek, e ata që t’i servojnë dokumentet e kanë treguar vetëm me publikimin totalitar ku ia kthejnë pushkën veti-popullit që i takojnë, për hir të ideologjisë vetvrasëse qoftë ajo e majtë apo e djathtë kur është në pyetje fati i Kombit.
Me iniciativë të Enver Hoxhës (edhe pse jugosllavët sabotonin si pasojë e deshtimit të Misionit zionist të Tempos më 1943-hb), më 22 tetor 1944 KANÇSH kthehet në Qeveri Demokratike, me çka Shqipëria Bregdetare ndahet nga kurthat sllavokomuniste për ta coptuar (lexo Propozimin e Çerçillit në një pako cigare ku jipet përqindja e se kush e kujtë do t’i takon, dhe aty mungon Shqipëria!). Po, Salo i nderuar, Enver Hoxha është i vetmi shqiptar që komunikon në rolin e Kryetarit të Qeverisë Demokratike me autorin e librit: “Albanines Golgotha 1913” Ëiena-Leo Freundlinch, ku shpalosen palgët e viseve të rirobëruara shqiptare më 1912/1913.
Salo, në vend që t’zhvillosh komunikimet me burrat e njohur që ishin pro DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE, që Kosova ta fitojë statusin e Republikës, të paktën nën Jugosllavinë, që e ushtronte si çmim të fundit LDK (jo të gjithë por sidomos Fehmi Agani, në varrimin e të cilit ishin Adem Demaçi dhe Sami Peja, për të tjerë nuk di, po që Fadil Hoxha shprehu ngushllime të sinqerta), Ti bëje pallën e safas në Tiranë, madje sa ishe në pushtet i burgose: Zahir Pajazitin dy herë, Adem Jashrain dhe tri trima të tjerë, madje burgose edhe legjenden femer Xhevë Krasniqin-Lladrovcin me gjithë Gjeneral Fehmiun. Nuk po flasim për naftën tranzit dhe tregtinë ilegale që e ke lejuar me Milloshin, e je bërë që nuk po sheh! Fol he burrë Tropoje. Jo, Bajram Curri dhe Tahir Sinani nuk do ta falin kurrë, e po të ishin gjallë nuk do të lenin as vend për varr aty!.
Shkojmë më tej. Në sajë të kërkesës së major Pera Brajeviqit dhe Pavle Joviqeviqit, më 26 XII 1944, drejtohet Kërkesa që Shtabi Suprem i Jugoslloavisë të vendosë Diktaturë ushtarake në Kosovë, e cila u vendos më 8 shkurt 1945. Ky atentat politik dhe ushtarako-konstitucional vihet për ta DEFAKTORIZUAR Kosovën pa asnjë argument, sepse në Kosovë në këtë kohë ishin njësitet e UNÇ të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit 56.000 ushtarë të sistemuar në 9 brigada, që arrinin nivelin e një Korpusi respektiv. Por, për të gjetur hapësirë për krime mbi shqiptarët, Shtabi Suprem i Jugosllavisë në formim, drejtuar nga Tito, do të merr vendim për shprazjen e Kosovës nga partizanët shqiptarë dhe sjelljen e brigadave dhe divizioneve slave. Dhe ashtu ndodhi. Rasti i partitotit Shaban Polluzha flet për një skenar mizerabël, kundër të cilit me kohë reagoi FADIL HOXHA më 16 janar 1945. Do të reagon edhe Miladin Popoviq pas dy ditësh, por mbi të gjitha do të REAGONTE ashpër edhe ENVER HOXHA më 20 janar 1945, duke theksuar se do t’i dërgojë edhe katër brigada shqiptare, për ta ruajtur qetësinë dhe popullin shqiptar, që iu kishet ekspozuar neofashizmit sllavokomunist Serbian, malazez dhe maqedon. Këto fakte Dr Salo ne i kemi botuar dhe i kemi theksuar nëpër simpoziume edhe para vitit 1985/9. Ku ishe ti si patriot dhe ata historianët e tu që falsifikojnë dokumente sikur të ishin dardha “ujce” atëbotë kur ne ndrydheshim, por zëri i reagimit politik të ENVERIT ishte në nivel dhe Kosova këtë nuk e harron.
Lexojeni dokumetin e botuar në “Osnivaçki kongres KPJ za Serbijua 1945”, çka thotë Aleksander Rankoviçi për tragjedinë në Tivar 31 mars 1945, për të cilën kam shkruar për herë të parë, bazuar në dokumenete të serbëve, më 1985;1986;1986, ku janë botuar mbi 650 dokumenta. A. Rankoviçi, duke reaguar ndaj diskutimit të Dushan Mugoshës në Kongres (15 maj 1945) se: “nuk mundemi në Kosovë t’i zbatojmë dy porcione-dy gjuhësinë”, Rankoviqi i thotë: “Ja shovinisti në vepër. Në krahasim me gjermanin që për një ushtar nazist okupatori na i ka vrarë 100, ne si antifashitë për 1 ushtar sllav’ i kemi vrarë 300 ushtarë shqiptarë në Tivar”!!!. E disa kapso historianë të Tiranës dalin e ia kthejnë pushkën vetit, për hir të ideologjisë tënde të sëmurë: “në Tivar, ka vrarë Enver Hoxha”. E besa, po ai A. Rankoviçi, pastaj do të plasoi në AVIIB dokumenta të fabrikuar se në “Tivar shqiptarët i ka vrarë Fadil Hoxha”. O mores, o tempora!, mos ia kthe pushkën vetit, o shqiptar i mjerë, me tru pocerke.
(Vijon nesër)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!