SERBIA FTOHET, MOSKA KOLLITET

03
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Rilexim për reflektim
Më në fund, shumë kohë pasi e lidhi kërthizën me “Botën serbe”, Qeveria e Tiranës i zgjidhi brekët me “Ballkanin e Hapur”.
Sa keq për shqiptarët e ngratë, kur mashtrohen nga politikanët namqorrë dhe askush nuk jep llogari për kohën e humbur dhe dështimet!
(2 korrik 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

·”Ballkani i Hapur” e shndërron rajonin në livadh pa të zot përballë hegjemonisë serbe

Kërcënimet e fundit në kufirin verior të Republikës së Kosovës nga regjimi çetnik i Serbisë, nuk janë as në interes të popullit të Serbisë dhe as në frymën e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Përmes këtyre kërcënimeve për paqen dhe sigurinë e rajonit, pushteti i Beogradit edhe njëherë po e dëshmon se është në vijë të njëjtë të hegjemonizmit serb mbi popujt tjerë të rajonit, përmes ngritjes së tensioneve dhe ndërhyrjeve flagranet në sovranitetin e shteteve fqinje; si në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Me këto veprime, regjimi aktual i Beogradit për të satën herë në sytë e Evropës dhe të opinionit ndërkombëtar po e dëshmon se fryma çetnike e Millosheviqit, Sheshelit, karaxhiqit, Mlladiqit dhe kriminelëve të tjerë nga luftërat e fundit, që çuan në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, kanë për qëllim ruajtjen e hegjemonizmit serb mbi këto shtete, edhe pas pavarësimit të tyre, kinse në emër të mbrojtjes së “botës serbe”, pakicave në këto shtete, ndërkohë që fsheh realitetin e dhimbshëm brenda shtetit të Serbisë, e cila mbijeton në saje të regjimit policor e ushtarak, për sundimin e popujve të tjerë brenda shtetit të vet dhe mbajtjen e mëtejshme të territorreve të okupuara të banuara edhe aktualisht me popullsi jo serbe, si Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare; krahinën e Timokut me shumicë rumune, krahinën e Shopisë me shumicë bullgare dhe krahinën e Vojvodinës me shumicë hungareze.
Tensionet e ngritura gjatë ditëve të fundit janë skenare të njohura të regjimeve të Beorgadit për mashtrimin e opinionit ndërkombëtare, duke aktruar viktimën, ndërkohë që ky regjim duhet të përgjigjet për krimet dhe gjenocidet mbi popujt tjerë, sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX.
Të gjithë e kanë të qartë se këto teshtima të regjimit aktual të Beogradit janë të nxitura nga kollitjes e Moskës, për ruajtjen e interesave të saj në rajon. Furnizimi i ushtrisë serbe me armatim dhe implikimi i drejtpëtdrejtë i rusëve me praninë fizike të tyre, diplomatike e ushtrake, në vijat e nxehta të konflikteve para shpërthimit, sigurisht që kërkon vëmendje më të madhe nga Brukseli e Uashingtoni.
Nga ky skenar në kufirin verior të Kosovës dhe të ngjashëm në Bosne dhe Hercegovinë e në Mal të Zi, nuk duhet të kërkohen fajtorët vetëm në Beograd, por në Moskë e në qendra të tjera evropiane, ku qeveritë e shteteve satelite të Rusisë gjithmonë i kanë shrytëzuar krizat globale për ndërhyrje ushtarake në shtete të tjera sovrane, kudo në botë ku ato pretendojnë se kanë interesat e veta strategjike.
Me kërcënimet e fundit të regjimit aktual të Beogradit mbi sovranitetin e shtetit të Kosovës, nuk jepet mesazh kërcënimi vetëm ndaj shqiptarëve, por kundër sovranitetit edhe të shteteve të tjera fqinje, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, madje edhe kundër Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë Veriore.
Qeveria e Beogradit, me këto akte mundohet t’i kërcënojë fqinjët e saj, për ta manipuluar opinionin ndërkombëtar duke e mbuluar gjendjen e brendshme të sigurisë, përderisa suhtrinë e saj dhe njësitë e policisë i pozicionon në territorin e Sanxhakut, për ta frikësuar popullsinë vendëse shqiptare të kësaj krahine, e cila ka qenë republikë e barabartë me Serbinë nga viti 1943-1945 dhe vazhdon edhe sot betejën për pavarësi nga shteti okupator i Serbisë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk