Sharja dhe bazamenti i saj ideologjik

25
Mar
2023

Shkruan: Bislim Elshani
Po të isha student i z. Kujtim Shala, qysh të nesërmen e sharjes, përkatësisht, sjelljes së tij rrugaçërore në Kuvendin e Kosovës, do kisha të drejtë t’ia ktheja në fytyrë tekstualisht sharjen e tij, mu ndër sy dhe jo me postë, siç e porositi ai Kryetarin e Kuvendit, me arsyetimin se ai me një gjuhë të tillë kishte tradhtuar dhe komprometuar rëndë titullin që mban. Natyrisht që ai do të justifikohej para studentëve se gjuha në kuvend dallon nga ajo në sallat universitare, sepse aty bëhet luftë shpeshherë pa i zgjedhur fjalët, e ndonjëherë edhe me përplasje fizike, siç ndodh në të shumë parlamente nëpër botë, edhe në ato me tradita shekullore në demokraci. Ndërkaq unë si student do t’i thosha se megjithatë kjo nuk justifikon sjelljen e tillë të një akademiku, i cili edhe në një midis të tillë “luftarak” duhet të respektojë figurën e akademikut, për të dhënë shembullin e kundërt me ata që s’janë akademikë.
Mirëpo si qëndron puna me akademikët e tillë që janë kapërthyer me politikën?
Kam qenë dikur student i Kujtim Shalës në studimet për magjistraturë në vitet 2011-2013, dhe e kam vënë re qysh atëherë sjelljen e tij të pakulturuar dhe abuzive në raport me studentët.
Gjatë asaj kohe kisha vënë re se ligjëruesit universitarë të Filologjikut ishin të ndarë në dy parti ose grupime, në njërin krah pasardhësit e akademik Qosjes, me personazh kryesor prof. Agim Vincën, ndërsa në krahun tjetër grupi i Sabri Hamitit, me dy skifterët e tij: Kujtim Shalën e Nusret Krasniqin. Mendoja në fillim se kjo kishte të bënte me ndonjë dallim parimor në baza thjesht estetike e metodologjike në qasjen ndaj letërsisë. Mirëpo me kalimin e kohës munda të konstatoj se sa i përket grupimit të dytë, gjithçka kishte të bënte me tabanin e tyre ideologjik anti-komunist, të maskuar me frazeologji strukturaliste e postmoderniste. Në perceptimin e tyre baza e vërtetë ideo-estetike ku duhen përqendruar gjeneratat e reja të studentëve tanë janë tradita françeskane e Shkodrës me përfaqësues të tillë si Fishta e Atë Zef Pllumi, si dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit. Gjersa po ndiqja një ligjëratë të z. Krasniqi në të cilën ai ngrinte lart kanunin, e pyeta nëse kemi të bëjmë me një lëndë për studimet juridike dhe jo filologjike. Natyrisht ai argumentoi se çdo produkt apo dokument i shkruar mund t’i nënshtrohet trajtimit filologjik e estetik, qoftë fjalë edhe për tekstet fetare, juridike e të tjera. Mirëpo koha me dha të kuptojë se bazamenti i vërtetë e kësaj qasjeje nuk ishte thjesht shkencor, por manipulativ dhe ideologjik që në Prishtinë u reflektua edhe në qasjen ndaj standardit apo gjuhës letrare.
Kohë më parë (viti 2020) Fondacioni Friedrich-Ebert Stiftung botoi një libër interesant mbi të majtën shqiptare jashtë rrymës enveriste dhe në luftë të hapur apo të fshehtë kundër saj, ku shquhen edhe figura të tilla, viktima të diktaturës, si S. Malëshova e M. Kokalari. Në këtë libër studimor del qartë, pos tjerash, edhe lufta e fshehur midis pikëpamjeve nacionaliste moderne të Skënder Luarasit, që asokohe (vitet 30) vepronte në Shkodër, dhe pikëpamjeve konservatore të françeskanëve që hymnizonin mendësinë kanunore e traditat patriarkale dhe shanin traditat iluministe (kujto zhvlerësimin që i bën Fishta “Faustit” të Gëtes, të sjellë shqip pikërisht nga Skënder Luarasi, si përfaqësues i krahut të majtë në Shkodër). Kjo gjë më dha të kuptoj se treshja e njohur në Prishtinë s’po bënte asgjë tjetër veçse po vazhdonte luftën e viteve 30 të françeskanëve të Shkodrës kundër traditës migjeniane e luarasjane, që shquhej me frymëmarrjen e saj të gjerë moderne, liberale e evropiane. Jo rastësisht asistenti i z. Sabri Hamiti në Universitet boton shkrime kuazi-analitike e kuazi-shkencore ku shan Nolin e Migjenin si propagandistë të thjeshtë e manipulues ideologjikë të artit e të letërsisë, të prozës e të poezisë. Ky i marrë shkoi aq larg sa në njërën nga trajtesat e tij do ta përjashtojë nga historia e letërsisë shqipe njërën nga figurat më madhore të artit shqiptar, “uraganin e ndërprerë” të Kadaresë, Migjenin, me argumentin se kemi të bëjmë me një pinjoll biologjik e kulturor serb.
Kontakti i fundit që kam pasur me individin Kujtim Shala ka të bëjë me një ligjëratë të tij në seminarin e fundit ndërkombëtar për gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqiptare në Prishtinë (2022). Gjersa po fliste për vlerat ideologjike të veprës së Fishtës, e pyeta ne prani të auditorit nëse kur fliste ai për ideologjinë kishte parasysh ideologjitë standarde politike të majta e të djathta, konservatore e liberale, apo bëhet fjalë për një qëndrim neutral dhe jopartizan kundrejt ideologjive si përmbledhje idesh? Natyrisht që ai mbrojti këtë të fundit, dhe për të shmangur çdo dilemë, i erdhi në ndihmë edhe mentori i tij, studiuesi Rexhep Ismaili. Mirëpo gjithë produkti studimor i treshes së përmendur vërteton se ata nuk janë neutralë kundrejt ideologjive dhe se i bashkon një ideologji e vetme e maskuar si hulumtim shkencor: ideologjia e antikomunizmit dhe e konservatorizmit kanunor. Dhe kjo me bindjen se antikomunizmi e konservatorizmi përfaqëson jo thjesht një vlerë të padyshimtë politike, por edhe estetike. Vetë përdorimi i fjalës “tradhtar” nga akademiku ynë përfaqëson një vlerë kanunore e konservatore, njësoj si vargu kanunor i Ali Podrimjes: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Sipas z. Kujtim Shala, kryeministri ynë s’paskësh bërë asgjë tjetër në përçapjet e tij diplomatike bashkë me aktorët e fuqive që vendosin për fatet e botës, përpos paska bërë sakrilegjin kanunor të faljes së gjakut!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk