ShBA e qartëson qëndrimin për Ballkanin Perëndimor: Sanksione ndaj individëve që kërcënojnë paqen në rajon
Për vite me radhë, shumë zhurmë dhe akuza janë hedhur ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke u pretenduar se ai po dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në. Opozita shpesh e akuzoi për prishjen e raporteve strategjike dhe politike me partnerin më të rëndësishëm të Kosovës, duke paralajmëruar një krizë të madhe diplomatike.
Megjithatë, ngjarjet e fundit hedhin dritë mbi një realitet tjetër. Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për sanksionimin e individëve nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, të cilët janë të përfshirë në korrupsion apo që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Në listën e ndalesës të përditësuar më 7 janar 2025, nuk gjendet emri i kryeministrit Kurti, pavarësisht retorikës së fortë të kundërshtarëve të tij.
Lista përfshin emra të njohur të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pas luftës u angazhuan në politikë, si: Daut Haradinaj, Ramiz Lladrovci, Fatmir Limaj, Sami Lushtaku, Azem Syla, Rexhep Selimi dhe Rrustem Mustafa. Po ashtu, pjesë e kësaj liste është edhe Milan Radoiçiq, organizatori i sulmit terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Ky zhvillim tregon qartë se akuzat ndaj Kurtit ishin të pabaza dhe se kritikat e opozitës nuk qëndrojnë në raport me faktet. Përkundrazi, ky është një sinjal i qartë nga ShBA se mbështetja për stabilitetin dhe qeverisjen e mirë në Kosovë mbetet prioritet, duke dënuar ata që përfshihen në aktivitete të korruptuara apo që kërcënojnë sigurinë në rajon.
Ky moment, ndoshta, është një thirrje për reflektim dhe një përgjigje për të gjithë ata që spekuluan në dëm të marrëdhënieve Kosovë-ShBA, duke përdorur narrativa të pabazuara si armë politike.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!