Shefki Muqa – SHEMBULL I ÇËSHTJES KOMBËTARE PËR LIRI E PAVARËSI DHE FRYMËZUES I UÇK-SË (1943-2022)

13
Feb
2023

Shkruan: Ramadan Pllana
Therandë, më 12 shkurt 2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shefkiu, lind në fshatin Vraniq më 1943. Skollën fillore e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Therandës, ish-Suharekë, ku familja e tij shpërngulet në fëmijërinë e tij. Shkollën e mesme, Normalen, dhe të Lartën i kryen në Prizren, degën e Matematikës. Qysh në rininë e vet të hershme ishte brumosur me bindjet ideologjike e politike duke u kalitur për një qëllim – për të luftuar kundër shtetit pushtues jugosllav deri në çlirimin e bashkimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në ish Jugosllavi dhe bashkimin me shtetin shqiptar. Kishte njohur shumë shokë të idealit kombëtar, si p.sh. profesorët e njohur Qazim Berisha, Bajram Kurti, miqtë e shokët e shumtë, në rrethinën e Prizrenit e më gjerë, sikur që ishin, Haxhi Zyba, Haxhi Bajraktari, Hysen Bukoshi, Bedrush Çollaku, Gjokë, Fadil Cukaj, Ukshin Hoti, Bislim Elshani e të tjerë.
Pas dënimit të LBRSH-së, më 8 qershor të vitit 1964, kur më shumë se 300 anëtarë të LRBSh-së u arrestuan, një gjyqi të mbajtur në Prishtinë, nga 27 deri më 31 gusht të vitit 1964, Demaçi u burgos për 15 vjet. Rreth 100 aktivistë të tjerë u burgosën për katër deri në 13 vjet, ku dënohen edhe Bedrush Çollaku e Hysen Bukoshi, dy shokë të Shefkiut nga Theranda, themelohen grupe e organizata patriotike në Kosovë e në viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi ; njëra nga këto ishte edhe grupi patriotik « Liria » në Prizren e në Therandë, me veprimtarët Haxhi Zyba, Haxhi Bajraktari, Fadil Cukaj, Gjokë Dabaj, Shefki Muqën e të tjerë.
Grupi, kishte literaturën e vet obligative: historinë e popullit shqiptar, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Mbledhja e Bujanit, ilirët, revista, gazeta e libra historike që botoheshin në Shqipëri, librat “Hasan Prishtina…” dhe “Azem e Shotë Galica” të Ajet Haxhiut, romanin e Adem Demaçit « Gjarpinjtë e gjakut », etj. Pothuajse, të gjitha këto tekste, më vonë kur ishte mësimdhënës në Gjimnazin « Jeta e Re », ua shpërndante nxënësve të vet.
E gjatë është lista e miqve, bashkëmendimtarëve, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij, sidomos janë me qindra gjeneratat e ish nxënësve të tij që i ka përcjellur me dekada. Rrugëtimi Shefki Muqës, me batica e zbatica e me shumë sakrifica, bashkë me shokët e idealit madhor, nga Shkolla Normale në Prizren në vitet e 60-ta kur, me shokët e tij, Haxhi Zyba, Hysen Bukoshi, Haxhi Bajraktari, Bedrush Qollaku, Gjokë Dabaj, Fadil Cukaj e të tjerë, formuan grupin patriotik « Liria », grup që ishte zbuluar nga Organet e UDB-së famëkeqe jugosllae në vitin 1964. Shefkiu, si gjatë hetimeve nga UDB-ashët serbosllavë e shqipëfolës, njashtu edhe gjatë vuajtjës së dënimit në burgjet mizore, ishte i pathyeshëm e i patundur në qëndrimet e tij revolucionare duke mbrojtur kërkesat e drejta kombëtare, të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë e në trojet tjera në ish-Jugosllavi.
Ishte dënuar tre vite me burg të rëndë më 1964, me grupin « Liria » dhe në me dy vite e gjysmë, në vitin 1993, si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).
Vuajtjet e dënimit i ka bërë në burgun hetues të Prizrenit, pastaj në burgun famëkeq të Goli Otokut dhe në Burgun e Dubravës. Nga shumë raste të provokimeve e maltretimeve që i bëheshin gjatë qëndrimit në këto burgje ishte rasti dramatik i bartjeve e vagonave të pllakave të gurit, ku Shefkiu e tërhiqte një vagon, kurse një i burgosur tjetër e shtyente voganin drejt cakut, pranë një zgavre të thellë të gurëve. Në çastin kur vagoni iu kishte afruar zgavrës së thellë, i burgosuri e lëshon dorëzën vagonit për ta zënë Shefkiun, manovrim dredharak që do ta shtynte Shefkiun drejt vdekjes të sigurtë ; por vigjilenca dhe shkathtësia fizike e tij bëri që ai të hedhet në anën tjetër të vagonit dhe i shpëtoi rrezikut të vdekjes. Ai, aty për aty e rrëmbeu fuqishëm kriminelin me grushte e shkelma, e shtriu për vdekje derisa u dorëzua poshtërisht duke pranuar se personeli i burgut e kishte urdhëruar që ta bëjë këtë punë. Në këtë burg mizor Shefkiu i kishte edhe këta shokë e bashkëveprimtarë : Haxhi Zybën, Fadil Cukajn, Avdyl Lahun, Teki Dervishin etj.
Kurse në burgun e Dubravës kishte pasur shumë shokë, bashkëveprimtarë, të burgosur të organizatave tjera politike e për vepra të zakonshme. Nga të burgosurit e LPK-së, LKÇK-së e veprimtarë tjerë të dënuar në vitin 1993, që ishin në këtë burg kanë qenë : Xhavit Haziri, Ukshin Hoti, Shefki Muqa, Hysen Gega, Bajrush Xhemajli, Shemsi Veseli, Hajredin Hyseni, Faik Ajeti, Ismet Mahmuti, Behajdin Allaçi, Binak Berisha, Ramadan Pllana, Sokol Dobruna, Ukë Bytyqi, Fatlik Lila, Raif Qela, Ilaz Kadolli, Salih Salihu, Avni Zejnullahu, Xhemshit Krasniqi, Avni Haradini, e të tjerë.
Edhe këtu Shefkiu ishte shembull i qëndrimit dinjitoz, i dashur me shokë e me të burgosur të tjerë, madje ai ka ndikuar te të burgosurit tjerë për ngatërresa a në grindje të ndryshme që, jo vetëm t’u largohen zakoneve prapanike, po të mobilizoheshin në UÇK ; njëri nga ta është edhe Ali Aliu nga fshati Firajë, i cili gjatë bisedave që i kemi nganjëherë me te më thotë « se jeni ti e Shefki Muqa me shokë që na « morët në qafë » e na frymëzuat për t’u kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Shefki Muqa, si arsimtar i përkushtuar në frymë kombëtare, i cili i edukonte e mësonte nxënësit e vet se si duhet atdheu, edukim kombëtar, kundër sistemit jugosllav-në frymën e ashtuquajtur « vëllazërim-bashkim, ky përkushtim që luajti rol të madh në frymëzimin dhe përgatitjen e luftës për liri që do të vinte… Nxënësit e tij do të bëhen kuadro të njohura, si në arsim, ekonomi, teknikë, mjekësi, industri e në fusha tjera që do të kontribuojnë në edukimin e gjeneratave të tjera në vetëdijen kombëtarë te gjeneratat e reja. Ndër nxënësit e nxënëset që i pati ishin edhe Fadil Vata, hero kombëtar, Murat Bytyqi, Sejdi Gega, Halil Krasniqi, Shemsije Elshani, Ibrahim Shala, Fadilete Shala, Shpresa Baraliu, Ymer Bala, Shkurte Fejza, Enver Bytyqi, etj.
Po i them edhe dy-tre fjalë lidhur me
kyçjen e Shefkiut në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës , pa e zgjatur, meqë për UÇK-në e kësaj ane më së miri e me kompetencë flasin Sadik Halitjaha, Halil Krasniqi, Sejdi Elezi e bashkëluftëtarë tjerë të tij që na tregojnë se Shefkiu vullnetarisht kërkoi të sistemohej në Maqitevë në Kompaninë e tretë te komandant Halil Krasniqi, të cilin e kishte pasur nxënës. Na informojnë, pos aksioneve tjera luftarake, se Shefkiu me skuadrën e tij te Guri i Dollocit (Diellori) vranë një oficer dhe dy ushtarë armiq.
Bashkë me te në UÇK ishte angazhuar edhe djali i tij, Dritoni dhe shumë ish nxënës të tij. Dëshmori i parë i Therandës Kadri Kokollari, që bie në altarin e lirisë më 3 korrik 1998, me sugjerimin e Shyqeri Kokollarit, vëlla i dëshmorit, mobilizohet në UÇK nga Shefki Muqa.

Sot, duke përkujtuar këtë figura të ndritshme kombëtare, nderojmë emrat dhe veprat e dëshmorëve të kombit duke u përpjekur për ta jetësuar detyrën e madhe që na e shtruan ata, si të gjithë dëshmorët tjerë para e mbas tyre, sepse kështu duke përmbushur këtë obligim historik atyre ua mundësojmë që të pushojnë të qetë në gjirin e tokës mëmë. Them këtë sepse edhe pse Serbia e larguar, me forcë nga UÇK-ja e nga forcat e NATO-s më 1999, nuk ndalet së kërcënuari për luftë të re në Kosovë, gjithnjë mprehë dhëmbët dhe shantazhon haptas para neve dhe para faktorit ndërkombëtar për një luftë për ta rikonolizuar Kosovën.
“Uji fle, armiku nuk fle”
!..
“Populli)
Shefkiu, siç tregon veprimtari Shyqyri Kokollari, thoshte se « Luftuam, po luftojmë dhe do të luftojmë deri në realizimin e aspiratave tonë në bashkimin kombëtar »…Ai kishte një dëshirë të madhe që shteti amë bashkë me Kosovën të krijonin një Ushtri të fortë e moderne për ta bërë Shqipërinë Etnike…Respekti që kishte për Shqipërinë e Enver Hoxhës, duke adhuruar përparimin ekonomik, arsimor, ushtarak e sidomos në atë arsimor etj.
Në shenjë respekti për ish liderin Enver Hoxha, më 11 prill 2011, bashkë me shokët, Gysen Gega, Sejdi Gega, Murat Bytyqi e Halil Krasniqi, i bënë homazhe varrit të tij dhe e vizituan Nexhmije Hoxhën, shoqen e tij të jetës, e cila ia kishte dhuruar Shefkiut një shall të kuq si mirënjohje.
Emri dhe vepra e Shefki Muqës, atdhetarit, intelektualit e luftëtarit të madh mbetët një yll i pashuar për liri e bashkim kombëtar dhe do ta kujtojmë gjithmonë, si të gjallë, në kujtesën dhe shpirtin tonë !
Lavdi në përjetësi Shefki Muqës !

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk