Shko dhe eja dallëndyshe

03
Nov
2023
Shkruan: Beqir Elshani


Kur shkrimtari i Rilindjes Kombëtare, Filip Shiroka, në kohën e tij emigroi në Liban, vendlindjes së tij – Shkodrës, që shtrihet në mes Alpeve Shqiptare dhe detit Adriatik, me përmallim ia kushtoi poezinë “Shko dallëndyshe”, duke i uruar udhë të mbarë për të vizituar vendlindjen e tij që gjendej matanë detit Mesdhe me të gjitha të mirat e jetës. Përkundrazi, një qytetar boksierin, Robin Krasniqin, i cili shkon të vizitojë Mekën dhe Medinën, e porosit që të lutet edhe për të se nuk ka kushte për të shkuar atje, prandaj i kërkon një kapuç të haxhive dhe ujë të zemzenit. Ndryshe me nostalgjinë e sëmurë të besimtarit fanatik, nuk ka asgjë më të shenjtë se plisi i bardhë tradicional, dhe atdheu ku ka lindur. Pastaj uji i pijes në tokat shqiptare është një ndër ujërat më të mirë dhe më cilësor në Evropë, sepse buron prej alpeve me reshje të shpeshta të lagur me shi dhe të mbuluar më borë, që nuk shkrihet deri në verën e nxehtë. Pikërisht unë gjendem në mërgim, mirëpo për asnjë vend në botë nuk ëndërroj sikur për vendlindjen time – Dardaninë. Me miliona shqiptarë janë shpërngulur në Turqi, mirëpo mbetën pa kapuçin e bardhë dhe pa ujin burimor të Dardanisë.
Nostalgjinë ndaj atdheut si shumë shqiptarë të tjerë e argumenton edhe aktori në Turqi, Kivanc Tatlitug, i cili krenohet që është me prejardhje shqiptare. Ndërkohë që fanatiku nga trojet shqiptare prej boksier Krasniqit pret kapelën arabe, miku im, përndryshe veprimtar i çështjes kombëtare, Xhemil Zeqiri, prej Tetovës buzë malit Sharr, në Suedi më solli plisin e bardhë tradicional, të cilin unë e puth, ashtu siç e puth arabi kapelën e tij tradicionale. Bashkëvendësi im, Osman Gegaj, i cili si maturant i gjimnazit, më 8 tetor 1968 në krye me arsimtarin e tij, Prof. Haxhi Bajraktarin, në qendër të Therandës e ngritën Flamurin Kombëtar, megjithatë edhe pse ka qenë në Mekë, është betuar se kurrë nuk e heq plisin bardhë prej kokës. “Me plis kam lindur, dhe me plis do të vdes”, thotë flamurtari i demonstratës.
Sa i përket hoxhëve të Kosovës që me shpenzime të mëdha nxitin shkuarjen e të rinjve në Mekë të Arabisë, dhe atë disa herë me radhë, është mjet propagandistik për arkën e qarqeve fetare, përndryshe më mirë do të ishte që shqiptarët me pak shpenzime të vizitojnë qytetet tona të vjetra, po aq edhe të bukur. Duhet përkujtuar se me para të shumta që besimtarët shqiptarë i shpenzojnë për shkuarje në Mekë të Arabisë Saudite të pasur, në vendlindje mund të ndërtohet një fabrikë për zhvillimin e vendit dhe një spital për mbrojtjen e shëndetit të popullit.
Zemërimi fanatik
Në faqen e shtypit “telegrafi” ishte botuar një lajm për një qytetar në autobus që kishte sulmuar studenten në Stambollin gjysmë aziatik dhe gjysmë evropian, siç thotë populli “hem aziatik, hem evropian”. Ngjarja kishte ndodhur për shkak se studentja kishte veshur pantallona të shkurtra gjatë muajit ramazan në ditët e verës së nxehtë. Turku fanatik mendonte se ka mbrojtur nderin fetar, përkundrazi me veprimin e tij të pakulturuar ka fyer fenë dhe etikën e tij kombëtare. “Si mund visheni kështu gjatë Ramazanit, duhet të keni turp”, kështu e kishte qortuar fanatiku i tërbuar studenten në autobus. Për habi, filmi rrugor nuk e tregonte kushedi sa të vjetër fanatikun, por të ri. Prandaj sipas komenteve në faqen “telegrafi”, 95% e lexuesve ishin deklaruar për mbrojtjen e nderit të studentes, ndërsa vetëm 5% në mbrojtjen e fanatizmit të kalbur të turkut mesjetar.
Një vajzë ankohet që prindërit nuk e lejojnë të dalë pa shami, tjetra ankohet që prindërit nuk e lejojnë të dalë me shami, prandaj cilën prej tyre duhet mbrojtur. Duhet pasur parasysh se vetëm njërën duhet mbrojtur. Nëse e mbron vajzën pa shami, është qytetar bashkëkohor, nëse e mbron vajzën me shami, është konservator. Një pëllëmbë shkollë është më e vlefshme se një kilometër faltore, thonë dijetarët. Shkolla kombit shqiptar ia hap dritaret e dijes, faltorja ia mbyll.
Sipas inatit të komentuesit “Qenkeni ende në komunizëm, çka po të pengon mbulesa?” do të thotë nderim ndaj emancipimit kulturor të komunizmit! Shumë shtete evropiane janë kapitaliste, mirëpo emancipimi i femrës është i lartë. Kam ndenjur me një mik ulqinak, është fetar, mirëpo si qytetar bashkëkohor është kundër komunizmit, por edhe kundër përdorimit të shamisë. Është për të ardhur keq, bashkëshorti me brekë mund të rrezitej në plazhin e Ulqinit dhe të lahej në det, kurse bashkëshortja nën ndikimin fanatik detyrohej të lahej me rroba. Prandaj në plazh më shumë binte në sy gruaja e veshur me rroba të trasha, se gratë tjera me bikini. Pastaj, nëse nderi i femrës myslimane mbrohet me anën e shamisë, atëherë numri i shqiptarëve myslimanë pakësohet, pasi që pjesa më e madhe e grave shqiptare nuk bartin shami. Konkretisht, nëse një arsimtare në shkollën fillore me shami e ndjen veten myslimane, atëherë koleget e saj pa shami nuk janë myslimane. Kur një gazetar i gazetës së njohur franceze “Le Monde” e kishte pyetur princeshën Fevzia të Egjiptit, e cila i përkiste familjes tradicionale shqiptare nga Korça, përse nuk e mbulon kokën me shami, ajo ishte përgjigjur që nuk i detyrohet aspak kulturës arabe.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk