SHPIFJET DHE SULMET E MBETURINAVE TOKSIKE TË BALLIT KOMBËTAR, NDAJ LANÇ, – VEPRIME ANTIKOMBËTARE!

30
May
2023

Intervistoi; Rigels Seliman.
-Intervistë dhënë gazetës SOT, datë 30 maj 2023-
1.- Zoti Bruçi, prej vitesh, por sidomos ditët e fundit, kreu i Ballit Kombëtar, Alimadhi, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, kanë hedhur akuza të forta ndaj LANÇ, të cilën ata thonë se ka qenë luftë vëllavrasëse. Keni një koment?
Në gjithë historinë tonë dymijë vjeçare, mercenarët dhe tradhëtarët brenda radhëve tona, na kanë sjellë dëme e pasoja kombëtare më të shumta se gjithë pushtuesit e huaj, që nuk kanë qenë të paktë. Siç duket, të huajt, duke u njohur me krenarinë individuale të racës sonë, përcaktuan edhe “çelsin” e abuzimit më këtë veti të rrallë. Ky çelës ishte përçarja. Ose më saktë “Përça e sundo”, slogan i përdorur praktikisht që nga pushtuesit romakë, e gjer tek këta modernët e sotëm.
Të vetmen periudhë, ku mercenarët dhe tradhëtarët u tulatën gjer në sosje, ishte periudha e Socializmit, ku murin e unitetit të shqiptarëve, nuk kishte pushtues që mund ta çarte. Ai “mur” uniteti ishte ngritur e konsoliduar nga Udhëheqja e Partisë Komuniste (Partisë së Punës) me në krye Strategun e Fitores së Epopesë së LANÇ dhe asaj të Ndërtimit të Socializmit, Enver Hoxha.
Mirëpo, me largimin nga jeta të Zotit të Konakut, brezi që mori stafetën e Socializmit, i mbërthyer nga problemet meskine e personale, dhe i nanurisur nga jeta paqësore gjysëm shekullore, nuk arriti ta dëgjoë “trokun” e kalit të drunjtë, i cili po rendëte drejt nesh. Ky kalë i drunjtë, që shembi Trojën e lashtë, arriti të shembte edhe Trojën e re, që simbolikisht ishin simotra në racë njerëzore dhe në vepra botërore.
Njëzet e pesë vjet rrjesht i qëndroi Skënderbeu furtunës osmane, duke mbrojtur Arbërinë dhe gjithë Europën nga perandoria në fjalë. Pas vdekjes së Kryetrimit, hakmarrja e pushtuesit ishte nga më të egrat e kohës. Dyzet e pesë vjet qëndroi kalaja e socializmit shqiptar, por pas largimit nga jeta të Burrit të Dheut, Enver Hoxha, pushtuesit e rinj nisën e po zbatojnë të njëjtin plan, me ata të shekullit të 15-të. Në të dy rastet, Kalatë Arbëroro-Shqiptare, nuk ranë nga sulmet ballasi, por nga “qentë e ngordhur”, që pushtuesit hodhën në “burimin” e kalave tona. Në të dy rastet, “qentë e ngordhur” vinin nga klasat e epërme të shoqërisë, kontigjenti më i korruptueshëm i çdo kombi. Ndryshimi midis atyre të shekullit të 15 dhe të fundshekullit të 20-të, qëndronte, thjeshtë tek veshja, tek forma, tek reklama. Të parët u veshën me brekushet e halldupëve pushtues, ndërsa të dytët, me rroba moderne europiane, madje zgjodhën e veshën dhe pelerinën e qelbur të organizatës më qesharake, më sojsëze dhe më renegate, atë të Ballit të Kombit, që falë “veprave” shumë shpejt definuan në “Bishti i kombit”,
2.- Sipas jush, ballistët kanë kontribuar në rrëzimin e sistemit komunist në vitete ’90-të?
Nuk ishin ballistët, e as pinjolët e tyre që e përmbysën socializmin në Shqipëri, sepse raca e tyre ishte varrosur në varrin e përbashkët me nazifashizmin, të cilit i shërbyen si zagari gjuetarit. Në shkrimin e botuar në fund të viteve 40-të tek gazeta “Dielli”, e cila botohej nga atdhetarët tanë në Amerikë, Fan Noli do të shkruante: “Ballistët tanë ranë si shahitë të luftës fashiste, dhe nuk kanë asnjë shpresë që të ringjallen si lugatë nga ndonjë luftë e afërme reaksionare. Pra, mos ua varni torbën, po u tregoni vendin. Dhe vendi i tyre është në varrezat e fashizmës”!
Dhe vërtet, pas dy dekadave të para të pas luftës, kur Socializmi në Shqipëri, kishte hedhur themele të sigurta, dhe kur ne qytetarët e brezit të pasluftës, u inkuadruam në drejtimin e pushtetit, e patëm harruar historinë e Ballit, perveç poezisë që u pati kushtuar poeti partizan, Shefqet Musaraj, të cilën ne e recitonim dhe qeshnim me lot, së bashku me pinjollët e ballistëve të luftës. Jam i sigurtë se Alimadhi dhe Çelo Hoxha, dy zëdhënësit më të zellshëm të Ballit, në ato vite ishin në kopshte, e shumta në shkollat fillore, të cilët pas dy dekadave të tjera do të mbaronin edhe shkollat e larta, si unë versniku i tyre, që kisha babain Dëshmorë të Atdheut, vrarë nga “baballarët” e këtyre të dyve.
3.- Po kush i nxorri nga “varret” dhe i ringjiti në skenë pinjollët e Ballit, së bashku me “programin” e tyre antikombëtar?
Asnjë ballist, apo pinjoll ballisti, nuk do të kishte guxuar të ngjitej në skenën e politikës, qoftë edhe me sistemin borgjez e kapitalist që u “përurua” me dhunë e tradhëti në vendin tonë, nëse nuk do të ishte një dorë, madje dy duar të zgjatura drejt tyre. Njëra ishte dora e të huajve, e pushtuesve të rinj, ndërsa tjetra e mercenarëve puthadorë e bythëlëpirës të të parëve, që sot, për fat të keq, i kemi në politikë e në pushtet.
Objektivi tashmë i qartë i pushtuesve të rinj, euroatllantikë, por edhe i çdo pushtuesi tjetër, nuk ishte vetëm shembja e Socializmit në Shqipëri, por edhe shpërbërja e këtij vendi, i cili për fatin e tij të mirë, por edhe të keq, u ndodh dhe ndodhet në kryqëzimin e rrugëve strategjike lindje – perëndim dhe anasjelltas. Ky vend i vogël, në këtë kryqëzim strategjik, për gjysëm shekulli me radhë, nuk lejoi që, trualli i tij të bëhej poligon i eksperimenteve politike e ushtarake të fuqive të mëdha. Që kjo “pengesë” të mos përsëritet, ata, siç po e shohim përditë, kanë vendosur të përdorin të gjitha format për zhbërjen e kombit shqiptar. Dhe një nga këto forma, madje më e efektshmja, është parulla mijëravjeçare “Përça e sundo”!
Këtë lojë të ndërkombëtarëve, e mbështesin edhe mercenarët në politikë e në pushtet, të cilët janë vënë plotësisht në shërbim të armiqve shekullorë të Shqipërisë. Dhe ky kolaboracionizëm i sotëm i mercenarizmit të ri e modern, nuk mund të këtë asnjë lloj alibie në historinë e kombit tonë, ashtu siç nuk pati e nuk do të ketë alibi, as kolaboracionizmi i ballistëve të kohës së luftës me nazifashizmin.
4.- Po, cila është detyra e ballistëve të sotëm, në fushën e përçarjes kombëtare?
Të deformojnë, të mallkojnë, e të asgjesojë dy Epokat e lavdishme të historisë shqiptare, LANÇ dhe Ndërtimin Socialist, Epoka të cilat e vendosën Shqipërinë zyrtarisht dhe përfundimisht në hartën e Europës, aty ku shqiptarët ishin banorët më të parë të saj.
Në vrullin që pinjollët e Ballit të kombit, më saktë, të Bishtit të tij, kanë marrë kundër dy epokave të mësipërme, ata nuk lënë mashtrim pa formuluar nën parullën tashmë të mirënjohur, “shpif, shpif se diçka do të mbetet”! Në morinë e shpifjeve monstruoze, etiketimi i LANÇ si luftë civile, dhe “reduktimi” i numrit të Dëshmorëve të Atdheut nga 28 mijë, në vetëm 3500, siç i nxjerr shef Çelo dhe kryetar Alimadhi, përbën mashtrimin më monstruoz, i cili, jo vetëm prek ndjenjat e veteranëve e pasardhësve të tyre e të Dëshmorëve, por për më keq, përcjell tek brezi i ri një histori të shpifur, që nuk e beson askush mbi faqen e dheut, por që trondit identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve.
5.- Ka një debat për shifrat e Heronjve të rënë gjatë luftës. Ballistët thonë se nuk kanë rënë 28 mijë Dëshmorë. Si ju duket kjo deklaratë?
E zemë për një moment, se shifra 28 mijë Dëshmorë nuk është e saktë. Po e supozojmë të jetë më pak. Çfarë interesi kanë Çelot dhe Alimadhët, që fatkeqësisht kanë pasaporta shqiptare, të shpifin e t’i thonë Botës se ne shqiptarët i kemi dhënë luftës vetëm 3500 Dëshmorë, kur vetë Bota, qysh në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1946, e ka njohur dhe e ka pranuar shifrën e 28 mijë Dëshmorëve të Shqipërisë, së bashku me dëmet e tjera njerëzore e materiale, që i shkaktoi nazifashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Vetëm një antishqiptar i kategorisë së zezë, mund të marrë këtë pozicion të ndyrë të mohimit të gjakut të bashkëatdhetarëve të tyre. Vetëm një mercenar i pafytyrë, luan me shifrat e rënies së gjindjes së vet, duke i bërë qejfin hasmit të afërt e të largët.
Në filmin artistik “Oshëtimë në Bregdet”, babai i thotë të birit, që ishte bashkuar me fashistët dhe u kundërvihej komunistëve dhe shokëve ilegalë: “Mua, mund të mos më duash . . . as këtë që të ka bërë kokën, or haram . . (tregon të jëmën). . . Por Shqipërinë ta duash! Kupton! Ta duash! Nuk ka rrugë tjetër”!
6.- Keni një mesazh për qytetarët dhe për ata që janë prekur nga sulmet dhe akuzat që i janë bërë LANÇ?
Ju pinjollë të bishtit të kombit, komunizmin mund të mos e doni, dhe keni hak, sepse komunizmi nuk i pranon parazitët që i thithin gjakun popullit, dhe as tradhëtarët që shesin Atdheun e tyre. Por Shqipërinë duhet ta doni. Nëse jeni shqiptarë. Në të kundërtën, kërkoni azil si shoku juaj Tufa.
Në mbyllje të shkrimit, po marr një frazë nga shoku im i nderuar, Preng Cub Lleshi, i cili e ka fiksuar në kopertinën e librit të tij, ku thotë: ANTIKOMUNIZMI, ËSHTË ANTISHQIPTARIZËM”!
Po, zotërinj perversë të mbeturinave toksike të Ballit Kombëtar, veprimet, shpifjet dhe mashtrimet tuaja kundra LANÇ, Dëshmorëve të saj, por edhe kundër arritjeve të Eopkës Socialiste dhe Shqiptarit të Madh Enver Hoxha, janë shpifje e veprime antikombëtare.
Mundohuni të shkëputeni nga historia me erë të qelbur e baballarëve tuaj, nëse nuk doni që, kur të ndaheni nga kjo botë, të përfundoni në krah të ustallarëve bojë hiri të paraardhësve tuaj.
LANÇ, ISHTE DHE DO TË MBETET MARGARITAR I RRALLE NË HISTORINË E POPULLIT TONË, TË CILËN NUK E BËN DOT PIS ASKUSH MBI FAQEN E DHEUT!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk