-Gazeta SOT, 2 Gusht 2023-
124 vjet më parë, dhe pikërisht më 1899, Sami Frashëri do të shkruante e botonte “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, një Manifest Politik dhe Ekonomik i Rilindjes Kombëtare. Siç tregon edhe titulli, vepra përbëhej në tri pjesë. Pjesa e parë i kushtohet historisë së kaluar të shqiptarëve, një nga popujt më të vjetër e më të kultivuar të Evropës. Në këtë pjesë, Samiu përfshin periudhën e pellazgëve, të cilën e glorifikon me periudhën legjendare të Skëndërbeut në shek. e XV-të. Në pjesën e dytë, autori na jep gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve dhe të Shqipërisë nën sundimin gati pesë shekullor otoman. Burimin e këtij mjerimi ai e sheh tek zgjedha e huaj, që e ka lënë vendin në varfëri, në padituri, në errësirë. Në pjesën e tretë, Samiu shtron pyetjen: “A mund të qëndrojë Shqipëria si është? Dhe po vetë përgjigjet Jo! Dhe jep për shqiptarët programin e lëvizjes për të ardhmen. Sami Frashëri arriti në përfundimin se rruga e vetme e shqiptarëve për shpëtimin nga zgjedha osmane dhe nga rreziku i copëtimit prej fqinjëve, ishte formimi i shtetit të tyre të pavarur.
A u arrit synimi i autorit dhe objektivi i Rilindjes Kombëtare? A u bë Shqipëria?
Po, Shqipëria u bë, madje më e bukur dhe më e zonja se ajo që e mendonte e deshironte filozofi i Rilindjes Kombëtare, dhe bashkëkohësit e tij. Kjo u arrit në harkun e viteve 1944 – 1990, në periudhën e ndritur të Socializmit, ku Shqipëria, nga një vend mesjetar, i zhytur në varfëri, padituri dhe errësirë, arriti të rreshtohej denjësisht me shtetet e zhvilluara të kontinentit. Kjo histori suksesi, ky nivel transformimi i jashtëzakonshëm i vendit të shqiponjave, është i prekur e i jetuar nga pjesa dërmuese e shqiptarëve të sotëm. Ajo periudhë u realizua në sytë tanë, u përjetua nga jetët tona, u trashëgua në dy apo tri breza pasardhës dhe u sanksionua në historinë e popullit shqiptar, si një dëshmi autentike e patjetërsueshme. Edhe nihilisti më i thekur i racës sonë, apo i racave të tjera, nëse merr lapsin dhe bën krahasimet e thjeshta midis gjendjes së vendit tonë të periudhës 1944-1990, me tri dekadat e fundit, (1990 – 2023), do të detyrohet të pranojë faktin, se arritjet 45 vjeçare e Shqipërisë Socialiste, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste (Partisë së Punës) dhe Shqiptarit të Madh, Enver Hoxha, nuk mund të krahasohen me asnjë periudhë të historisë së shqiptarëve, as për nga arritjet, dhe as për nga ritimi i realizimit të këtyre arritjeve.
Po të rronte sot Rilindasi i madh, Sami Frashëri, dhe të rishkruante përsëri Librin e tij “Manifest për Shqipërinë”, jam i sigurtë se për pjesën e parë të veprës, “Shqipëria çka qenë”, do të merrte si argument Shqipërinë e viteve 1944 – 1990, pa qenë nevoja të shtrihej në histori gjer tek pellazgjia mijëra vjeçare. Ndërsa, për tri dekadat e fundit që vijojmë t’i përjetojmë, Ai do të bashkohej në “dueto” me Pashko Vasë shkodranin, duke shkruar e thirrur në kupë të qiellës: “Po sot Shqypni, pa më thuej si je / Por si një lis i rrëxuem përdhé / . . . .
Nëse Thirrjen e Pashko Vasës, para tri dekadave e recitonim me nderim për poetin rilindas, tani thirrja e tij është ligjërim vaji për çdo shqiptar, që dëshiron të mos e këmbejë emrin dhe truallin e tij me askënd në botë. Shqiptarët janë dëshmitarë, që në asnjë fushë të jetës dhe veprimtarisë së tyre të sotshme, nuk ke ku të kapesh e të shijosh apo tregosh progres. Përkundrazi, një regres i paparë në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, e shoqërore, të krahasueshme me vitet më të errta të sundimit otoman, apo të kohës së pushtimit nazifashist. I vetmi “sukses” në keta tri dekada të pasukseshme, ka qenë iluzioni për lirinë. Themi “iluzioni për lirinë”, sepse liria e individit nuk mund të jetë e vërtetë pa lirinë e Atdheut. Dhe Liria e Pavarësia e Atdheut, prej tri dekadash e më tepër, është nxjerrë në ankad dhe është shitur e po shitet si një mall konsumi, me të cilën mbahet në jetë shoqëria e sotme e konsumit.
Është e kotë të zgjatemi për gjendjen aktuale në vendin tonë. Gjysma e popullsisë, ajo më vitalja në moshë e në dije, e ka kapërcyer tashmë Adriatikun. Gjysma tjetër pret në radhë të bëjë të njëjtën gjë, pa ndonjë shpresë se mund të kthehet mbrapsht. Kjo “ecuri”, që nuk dihet se kur e si do të ndalet, flet më qartë se çdo statistikë me krahasime shifrash të djeshme e të sotshme.
Në këtë situatë, cila është perspektiva e vendit tonë?!
Sami Frashëri, arriti në përfundimin se “rruga e vetme për shpëtimin e shqiptarëve nga pushtuesit e huaj dhe nga copëtimi prej shteteve fqinjë, ishte formimi i shtetit të tyre të Lirë e të Pavarur!” Rruga dhe parashikimi i Rilindasit për shpëtimin e Shqipërisë, u realizua pas rreth 80 vitesh (1899 – 1980). A mund të realizohet përsëri në këtë hark kohor “programi dhe profecia” e Rilindasit tonë të përmendur?
Jo vetëm e vështirë, por madje duket e pamundur. Se “pushtimit” politiko-ekonomik të të huajve dhe dëshirës së pashterrur të shovinistëve fqinj për copëtimin e vendit tonë, duhet t’u shtojmë edhe “globalizmin dhe kozmopolizmin” e kohëve “moderne”, të cilat e brejnë palcën e kombit, më shumë se çdo brejtës që ka krijuar natyra.
Në kaskadën pluripartiake të sotme në vendin tonë, mjaft subjekte politike, prej atyre që u ka dalë boja, por edhe të reja e të paprovuara, pasi pranojnë degradimin e plotë të ngrehinës së shtetit me gjitha asetet e tij, zotohen e përbetohen se me ardhjen në pushtet, do t’i nxjerrin në dritë shqiptarët dhe Shqipërinë. Por se në cilën dritë, të diellit apo të hënës nuk e thonë, sepse as vetë nuk e dinë. Shumica e tyre e provuan pa rezultat për plot tri dekada e më tepër. Por edhe nëse në pushtet, do të vijnë forca të reja politike të paprovuara më parë, por me të njëjtën ngjyrë e program si këto të tri dekadave që kaluam, Shqipëria, jo vetëm nuk do të “bëhet”, por rrezikon të shpërbëhet gjer në fund.
Vështirësitë dhe pengesat që paraqiten sot për rikthimin e Shqipërisë në binarët pozitiv ekonomiko-social të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, janë të panumurta dhe më të mëdha edhe se ato të viteve të mesjetës e të pushtimeve të huaja. Atë që pushtuesi para një shekulli, na e pati rrëmbyer me forcën e armëve, sot e ka akaparuar me politikat e tij neokoloniale. Nuk ka sot në vendin tonë, ndonjë pasuri të rëndësishme kombëtare, mbi e nëntokësore, që nuk është bërë “pronë” e pushtuesit modern, në formën e koncesionit disa dhjetra vjeçarë. Kjo gjendje, bllokon për dhjetra vjet çdo tentativë qeveritare për të ringjallur industrinë tonë të mineraleve dhe karbohidrateve, me të cilat dikur “çanim bllokadën”, apo qoftë edhe industrinë e lehtë, kaq shumë të nevojshme për ditët e sotme. “Këmba” tjetër e ekonomisë, bujqësia, është rikthyer plotësisht në mesjetë, dhe çdo qeverie që vjen në pushtet, do t’i duhen të paktën dhjetë apo njëzet vite, ta vërë atë në moto, me parametrat e viteve të socializmit. Arsimi dhe shëndetësia, tashmë kanë degraduar në atë masë, sa shumë shpejt rrezikojnë të “përjashtohen” nga lista e aseteve të vendit. Nuk po flasim për kulturën, e cila është arratisur dhe ka zënë vend në thellësi të xhunglës së kulturës “moderne” të kohës. E njëjta sasi në kohë, përtej dhjetë apo njëzet viteve do t’i duhej qeveritarëve të rikthenin nivelin e mbrojtjes, i cili është shumë më poshtë edhe se në kohën kur Shqipëria nuk kishte fare ushtri. Në ato periudha, të paktën, kishte popull të armatosur me mundësitë e tij, i cili, sa herë i rrezikohej vatani, lëshontë kushtrimin dhe i dilte ballas rrezikut.
Vështirësive të sotme në ndryshimin e situatës mjerane të vendit tonë, u shtohet edhe një fenomen tjetër, i lindur e ushqyer në këto tri dekada sterrë. Rezultatet mahnitëse që arriti Shqipëria në vitet e socializmit, kishin në bazë punën e palodhur të të gjithë popullit, i cili, lidhur në unitet të çelniktë mes vetit dhe me pushtetin e popullit, punoi ditë e natë, edhe vullnetarisht, për rimëkëmbjen e rindërtimin e vendit. Sot, puna vullnetare ka dalë jashtë “mode”, ajo quhet “modë komuniste”. Mirëpo shkatërimet me themel të Shqipërisë nga vala goditëse e viteve të para të “demokrazisë”, dhe nga vala e degjenerimit në fazën e dytë të saj, nuk mund të bëhen kurrsesi, pa përdorimin e punës vullnetare, siç bëri populli ynë fill pas çlirimit të vendit; por edhe ashtu siç bënë gjermanët, pas humbjes dhe katstrofës së tyre të Luftës së dytë Botërore.
Këto vështirësi që cekëm më lart, dhe shumë të tjera kësisoj, nuk mund t’i kapërcejë asnjë pushtet që “lind” nga sistemi aktual borgjez në vendin tonë, sepse sistemi në fjalë, nuk bashkon, por ndan dhe përçan. Dhe është pikërisht ndarja e përçarja, që na ka nxit e na nxit hasmi ynë i përhershëm, arma perfide, e cila e bën të parealizueshme në kushtet konkrete “dëshirën dhe profecinë” e Rilindasit tonë Sami Frashëri.
Ka vetëm një mënyrë: Një revolucion popullor, që të përfshijë gjithë sektorët e jetës dhe veprimtarisë së vendit. Jo revolucion alla berishian bulevardesh, por një Revolucion Socialist, i cili grupon e vë në lëvizje si një trup i vetëm dhe në një unitet të çeliktë, gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit.
Dikush, me siguri do të thotë se sot nuk është koha e revolucioneve. Këtij dikushit unë do t’i përgjigjesha: Përderisa është koha e luftrave dhe konflikteve të armatosura në Ukrainë, Rusi, Pakistan, Nigeri, Somali, Palestinë, Izrael, Amerikën Latine, e në plot rajone të botës, pse të mos jetë edhe koha e revolucioneve kundër shtypjes e shfrytëzimit kapitalist dhe për Liri e Pavarësi të vërtetë?!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!