Në kërkim të gjuhës së përbashkët të paraantikitetit, studiues të shumtë janë përpjekur ta rindërtojnë gjuhën proto-indoeuropiane (shkurt pie.), nëpërmjet krahasimeve të brendshme fonetike dhe leksikore të gjuhëve të sotme. Megjithatë, këto rindërtime shpesh përfundojnë në forma artificiale, hipotetike dhe të padëgjuara kurrë në përdorim real. Ndryshe nga kjo qasje hipotetike, teoria e embriomorfemave e vendos gjuhën shqipe në një pozicion themelor dhe organik, si burimi gjuhësor nga i cili janë ndërtuar jo vetëm gjuhët e ashtuquajtura indoeuropiane, por edhe vetë konceptet me të cilat këto gjuhë emërtojnë botën.
Embriomorfemat janë njësi më minimale gjuhësore me vlerë kuptimore dhe funksionale, të cilat formojnë bazën e fjalëve. Nëse morfemat janë ndërtuese të kuptimit gramatikor, embriomorfemat janë bërthama konceptuale, të lindura nga mënyra se si njeriu i lashtë e përjetonte botën në funksion të trupit dhe sjelljes së vet mitike.
Kur analizojmë fjalë bazë të greqishtes, latinishtes, gjermanishtes a të sanskritishtes përmes kësaj metode, ato zbërthehen në njësi që përputhen fjalë për fjalë me embriomorfema të shqipes. Kjo do të thotë, se shqipja nuk është vetëm një gjuhë e ruajtur, por është gjuha që përmban strukturën krijuese të konceptualizimit të botës në periudhën mitike dhe të paraemërtimeve të institucionalizuara të qytetërimit antik. Kjo e vendos shqipen jo si një gjuhë në periferi, por si gjuhën e përbashkët të paraantikitetit, në të cilën nocionet kryesore të jetës, natyrës, funksioneve trupore dhe marrëdhënieve shoqërore janë formuluar për herë të parë.
Në këtë dritë, shqipja paraqitet jo si një pasardhëse e vonuar e një gjuhe pie., por si vetë struktura prototip e krijimit të fjalëve, përmes kombinimit të embriomorfemave, që përçojnë njësi funksionale e konceptuale të kuptimit. Kjo gjuhë është në thelb një sistem logjik, ku çdo fjalë përbën një ekuacion kuptimor embriomorfematik.
Kjo metodë nuk ka nevojë ta hamendësojë një gjuhë të zhdukur: shqipja e sotme, përmes embriomorfemave të saj, përmban gjurmët dhe funksionet e gjuhës pararendëse të qytetërimeve antike. Ajo shpjegon jo vetëm kuptimin, por edhe arsyen përse një realitet është emërtuar në një mënyrë të caktuar, duke ndriçuar mekanizmat e mendimit mitik dhe funksional që fshihen pas fjalës.
Shqipja, në këtë kontekst, është gjuha me densitetin më të lartë embriomorfematik dhe, si e tillë, është mjeti origjinal i konceptualizimit të botës nga njeriu i lashtë. Ndryshe nga gjuhët që janë ndërtuar për të strukturuar të drejtën, pushtetin dhe organizimin shtetëror të qytetërimeve, shqipja është gjuha e qenies së lirë në marrëdhënie me natyrën, trupin dhe qenësinë mitike.
Rrjedhimisht, nuk është e nevojshme të kërkohet më tutje një “proto-gjuhë” e humbur. Ajo ekziston ende në gjuhën shqipe në formën e embriomorfemave, që janë të pranishme në mënyrë të qëndrueshme dhe krijuese në gjuhën e sotme. Nëse një gjuhë është në gjendje të shpjegojë strukturën e kuptimit të gjuhëve të tjera, atëherë ajo nuk është pasardhëse e tyre, por mëma e tyre.
Kjo qasje kërkon një rikonceptim të plotë të mënyrës si e studiojmë historinë e gjuhës dhe të qytetërimeve. Jo më si një vijë e thjeshtë kronologjike ku shqipja është në fundin e saj, por si rrezatimi qendror nga ku kanë marrë jetë format gjuhësore të njohura sot.
Në përfundim, mund të thuhet me bindje shkencore se shqipja është gjuha e përbashkët e paraantikitetit. Ajo nuk është një mbetje provinciale e një gjuhe të dikurshme, por është struktura origjinale e konceptualizimit mitik dhe funksional e realitetit, e cila i ka dhënë botës gjuhët që më pas janë institucionalizuar në qytetërimet antike.
Pse është shumë i rëndësishëm studimi i gjuhëve me anë të metodës së embriomorfemave?
Kjo është e vetmja shkencë e pakontestueshme, me anën e së cilës mund të bindim botën shkencore, se shqipja është jo vetëm gjuha më e vjetër indoevropiane (shkurt i.e.), por edhe origjina e këtyre gjuhëve. Nëse arrijmë këtë aspiratë, bota do të na kuptojë e respektojë si kombi e populli me gjuhën e origjinës dhe si mitrën e qytetërimit evropian.
Gjuha shqipe, e pranuar nga shkenca botërore si PRIMA LINGUA e gjuhëve i.e. do të ndikojë jo pak, edhe në bashkimin kombëtar.
Ne mund të arrijmë te qëllimi duke punuar për qëllimin.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!