Shkruan: Shqiptar Oseku
Shqiptar Oseku: Doni shtet, ky është shtet: ndryshe ngelni protektorat gjithmonë. Ftoj edhe Edi Ramën që të mbështesë Kosovën
Përgëzoj Republikën e Kosovës për përkushtimin që të sendërtojë një shtet ligjor në tërë territorin e shtetit.
Reagimet e para të ndërkombëtarëve pasqyrojnë frikën e tyre por besoj se do të moderohen me kohën. Narrativi kundër qeverisë kosovare nuk mbahet dot, jo me arritjet demokratike të shoqërisë kosovare gjatë këtyre viteve. Është thjesht reagim diplomatësh të pamësuar me faktorizim të shqiptarëve. Por mësohen, dalë-ngadalë.
E para, bashkiakët e bashkive në fjalë të ngujohen në ndërtesat e veta, të flejnë aty. E dyta, kryeministri Albin Kurti të shkojë nesër të pijë një kafe atje, të takojë serbët e ndershëm atje që duan integrim. T’i qetësojë, që të ndihen si në shtëpi të vet: se askush s’guxon ta rrahë popullin, dihet kjo. Dhe e treta, tash është momenti të jipet drafti kosovar për një asocioacion të bashkive me shumicë serbe.
Ftoj të gjithë partitë në Kosovë që të mbështesin fort ndërtimin e shtetit juridik në të gjitha bashkitë e republikës. Doni shtet, ky është shtet: ndryshe ngelni protektorat gjithmonë. Ftoj edhe Edi Ramën që të mbështesë Kosovën; ose, nëse s’mundet dot që ta mbështesë, së paku që të mos e sabotojë: se shqiptari i Kosovës s’e harron kurrë as mikun, as armikun.
Dikujt i pat hyrë mendja se të tjerët na prunë lirinë, e se prandaj të tjerët paskan të drejtë të na masin me pikatore atë liri të dhuruar: një pikë sot, dy pika nesër. Por e vërteta e thjeshtë është se neve na është dashur të fitojmë çdo centim të lirisë sonë, duke sfiduar vazhdimisht nivele të ndryshme të status quo-së. Pardje kjo status quo quhej kufiri jugosllav. Dje quhej standardet para statusit. Sot status quo-ja quhet enklavizim. Nesër do të ketë tjera status quo që do sfiduar, nëse duam shtet.
Me një metaforë suedeze, Republika e Kosovës është skijator në përpjetëz: në atë çast kur nuk vazhdon të ngjitet përpjetë, nis menjëherë të rrëshqasë prapa. Kjo që po ndodh sot, është Republika e Kosovës që po ngjitet përpjetë me zor, e braktisur nga të gjithë, e duke sfiduar tërë bastet e vëna kundër saj. Le ta ndihmojmë!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!