Nga: Gëzim Llojdia
Ditën që vdiq Naimi …
Tani që vdiq Naimi mbaroi Shqipëria. Zija që përshiu kadetët shqiptarë në
Stamboll ditën e ikjes së Naimit.
Pse Ismail Qemali shkoi dhe takoi kadetët shqiptarë për të vijuar mësimet, çfarë u tha plaku i Vlorës?
Të gjithë kadetët që ishim në Stamboll, vendosën shenjën e zisë në krahë.
Ismail Qemali: Naimi hapi një plagë të rëndë në zemrat e shqiptarëve dhe ju mbushën sytë me lotë.
Në vitin 2005 isha drejtor dhe meresha me kërkimet arkeologjike dhe çuditërisht një ditë zbulova ditarin e patriotit Zaim Brahimaj nga Katundishta e Përmetit.
Ne kishim shkuar për punë arkeologjike kur na dhanë ditarin nga një familjar i tij.
Ditari është një dritare. Prej andej vrojton ngjarje, që mjegullat i kanë rrafshuar. Naimi ishte i vetmi, poet, që u shua në motin e çuditshëm 1900. Vdiq në vjeshtë më 19 tetor.
Në mëngjesin e vjeshtës, mushkëria nuk ndjente sëmbimet e zemrës. Çajupi vuri kujën: ”Vdiq Naimi,vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri…Rrëzuar ishin gjethet e para të vjeshtës, në 19 tetor. Shenjë pikëlluese.
Por vdekja e Naimit lexohet edhe ndryshe. Shpirti i tij vërtetë e braktiste poetin tonë, duke rrugëtuar drejt pamatësisë.
Naimi mbylli sytë në një mot të veçantisë. Zbardhni shifrat.
Viti 1900. Ç’do të thotë në mistikë, numerologjia 1-9? Nga hapi i parë në gradat e epërme të shpirtit. Shpirti i Naimit, që nxori diamante, nga toka shqiptare, e braktisi në vjeshtën e vitit 1900.
Në atë vjeshtë në Stamboll kishte shumë kadetë shqiptarë, që studionin atje. Ikja e Naimit, pra varrimi i tij në teqenë e Madriven Qojt, pranë Abdylit, ato ditë i vuri në zi studentët shqiptarë në Stamboll.
-”Në senen 1900, lexohet në ditar, u dha mandati se pushoi zemra e poetit, burrit më të shquar të Shqipërisë, Naimit. Të gjithë ne që ishim atje në Stamboll, ka rrëfyer Zaimi, vendosëm shenjën e zisë në krahë. Për të respektuar largimin përgjithmonë të poetit të bukurisë shqiptare, ne kishim tre ditë, që nuk shkonim në studim, -ka shkruar Zaimi.
Mirëpo çfarë ndodhi më tej? Siç duket nga dokumenti nga shqiptarët në Stamboll është njoftuar Ismail Qemali se shqiptarët kishin braktisur studimet, kishin rreth tre ditë që nuk shkonin në mësim.
Ismail Qemali: Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë.
Ismail Qemali qeramika e portretit dhe figura e tij tërë rrezatim, buzëqeshur dhe aguar në shpirt patriotizmi. Dëshmitë saktësojnë se Z. Brahimi, gjatë kohës së studimeve në Stamboll është njohur me Ismail Qemalin. Rrethanat për të zhbiruar këtë njohje nuk janë përcaktuar. Mirëpo njihet fakti, që Zaimi ka qenë pjesëmarrës në ngritjen e flamurit. Siç mund të shfaqen rrethanat, burojnë nga njohja në Stamboll. Z.Brahimi e bënë prezent këtë fakt, njohjen më plakun e Vlorës, ka ngjarë në kohë vdekjen e poetit N.F.
-Përse kjo vjeshtë argjendore e 1900 tek shqiptarët e Stambollit ruante ngjyrën e zezë? Sqarimi, që mundohet të bëjë Zaimi është se pikërisht ato ditë përkujtohej 8 vjetori i vdekjes së Abdyl beut, vëllait të madh të Naimit, që ishte larguar në 1892. Ndërkohë vjeshta e vitit 1900, tregoi se një tjetër yllësi nga frashëllinjtë u shkëput.
Kuptohet, që shuarja e tyre, përkohësisht në zemrat e shqiptarëve do të krijonte eklips. Ismail Qemali në ditarin e Zaimit- “…Vjen madhëria Ismail Qemali. U mblodhëm pranë tia. Ai burrë i madh na foli më një buzëqeshje të mbyllur. Ai e kishte mësuar se neve kishim 2- 3 ditë, që nuk vinim në studim, mbasi kishim ditën përkujtimore të Abdyl bej Frashërit.
-”Djem-foli Ismail Qemali-nesër në sabah të vini në shkollë, atje keni Abdylin dhe Naimin. Se po nuk vajtët, do t’ju qortoj…” Filloi të na hiqte shenjat e zisë. -Unë, thotë, Zaimi e mora shiritin e zisë e vura në xhepin e brendshëm të palltos . Ai më shikoi dhe më përqafoi. -Ti Zaim, mbaje se e ke nga vendi i lindjes Përmet. Por dëgjo o Zaim, Naimi hapi një plagë të rëndë në zemrat e shqiptarëve dhe ju mbushën sytë me lotë. Ne u përqafuam. Ai na mori të gjithëve dhe na dha kafe. -Dëgjoni djem ,-tha ai. Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë, as Naimi ,as Shqipëria.
Zaim Brahimi që studionte në Stamboll i ka rrëfyer të atit të tij, Muharremit se edhe vdekja e Samiut në katër vite ishte e rëndë. – Nuk i harroj ato vite të hidhura, që kalova në Stamboll! Një ditë tjetër Ismail Qemali u kishte thënë: -Por ruhuni nga murtati dhe mynafikët, ata janë të pabesë, po s’u ruajtët nga të tillët do të na kushtojnë shtrenjtë punët tona se neve na dolën shumë punë, që kemi përpara. Madhëria e tij I.Qemali na tha: Djem mësoni, por Shqipërinë mos e harroni se po na dalin telashe, por unë me ju dhe shumë të tjerë do ta bëjmë Shqipërinë, ashtu siç e duam ne… Të madhit I.Qemali e përqafuam dhe i puthëm dorën, atij burri të madh, atij burri të mençur, atij mburri patriotë… Ndërkohë muza poetike e Zaim Brahimit ka nxjerrë vargje xhevahire për Ismail Qemalin. Duhet t’i përkas vitit 1913, ky krijim.
-Ismail Qema bej Vlora/I bardhë si dëbora./Ç’të tha mëndja e s’ta bëri dora./Dora jote dorë burri,/Lartë ngriti flamurin./Gëzove gjithë Shqipërinë,/I dhe shpresë vegjëlisë./Ç’të them i madhi i Vlorës?/Në Stamboll ti më ndihmoje,/Më flisje dhe më qortoje,/Më thoshje si të mësoja./ Burrë i madh dhe i ditur./Çdo punë e bëre të ndritur…
Ditari. seneja 1899 Stamboll. -Ja kush janë përmetarët. Libri i madhërisë Sami Bej Frashëri:
Shqipëria, çka qenë , ç’është dhe çdo të bëhet”. E lexoja dhe përsëri e lexoja. Në saba takoj madhërinë Ismail Qemali dhe i thashë, që kam lexuar këtë libër, ai qeshi dhe më ra krahëve dhe më tha: Zaim lexoje shumë herë që të kënaqesh se këto janë rrënjët e kombit tonë…
Ditari: Seneja 1914 mars.
Nuk i harroj sa të vdes thëniet e Ismail Qemalit, kur pinim kafe një saba në Stamboll në senen 1901. -Zaim, po të shkon ndërmend që të jesh i ditur, je i ditur. Po të mendosh që të jesh patriot, je patriot, po mendon që je trim, je trim! Këto janë ndenjat e një shqiptari të vërtetë,- më tha plaku i urtë I.Qemali…
Potenca, me dimesionet njerëzore në poezinë e N.Frashërit, ka gdhendur në labirintet e zemrës të Z.Brahimit. Frymëzuar nga pena e florinjtë e Naimit, në Stamboll Z.Brahimi dhe një bashkë student shqiptar nga Progonati i Tepelenës, vendosën, që të ngrenë këngë për Frashëllinjtë. Pse këngë? Kënga këndohej, shtohej, përhapej, dhe sigurisht, që mbetej. Mirëpo në formë kënge në Shqipëri më gjerë asaj, poezitë e Naimit ishin përhapur si këngë, por në këtë formë ruheshin.
Kështu në Stamboll në një konvikt katedësh, Zaimi dhe një progonatas u futën në detin e këngës. Kënga e Zaimit, bëri që të dridheshin prej dhimbje shpirtrat e studentëve shqiptarë të trazuar. Tekstin e këngës, Muharremi, i ati, e skaliti në mëndje. -Zaimi ma këndoi në shtëpi me disa miq gjirokastritë, -ka rrëfyer ai. …”O Halid o Emine,/Lumë si ju djemtë që ke!/Muarrën dije në teqe./Në teqe të Baba Alushit,/ Plot me dije seç i mbushi. Ata djem ata viganë,/Në Stamboll atje qëndruan./Atje mësuan, atje punuan,/Nga Zoti janë dhuruar. Lum si ti moj zonjë Emine./Për qumështin e ëmbël që ke./Rrite djem për mëmëdhe. Abdyl, Naim, Sami,/Janë të mirë porsi ti…Të qofshim falë o Perëndi./I dhe i more ti,/Që të tre djem të ri/53-54 vite i le…Ata u plakën shumë,/Se ti i le pa gjumë,/I zure shumë me punë./Punuan bashkë me Perëndinë, për të mbrojtur Shqipërinë…
Këngë për Abdyl Bej Frashërin
Abdyl Frashëri me nam!/Në Prizren seç u mbluadh,/Me njëqind dhjetë luanë./Fletë bilbili ynë i rrallë,/Abdyl Frashëri o djalë,/Fillove punë të mbarë./ Bashkove burrat e parë… Shkruar dhe kënduar nga Zaim Brahimaj.
Citime nga Zaim Brahimaj.
Seneja 1900.
-Dituria ka vlerë. Padituria është e mjerë. Të lexosh se ç’thotë Abdyli./Të mbushesh me erë si zymbyli. Të lexosh se ç’thotë Naimi,/të vjen mëndja dhe fiqiri. Sami Frashëri të mbush me shpresë dhe i jep jetë Shqipërisë. Sami bej Frashëri të ngrohë zemrën, të shton jetën, të ngroh shpirtin. Të dëgjosh fjalët e Ismail Qemalit, të pastron gjakun dhe shpirtin….
Cili ishte autori i këtij ditari? Zaim Brahimaj nga katundishta e Përmetit 90 vjet, qëndroi i baltosur, nën dheun e Drizarit, atdhetari Zaim Muharrem Brahimi. Pothuajse i harruar. Nën dheun e ftohtë. Nëpër kohë stinësh. Në këtë ndërtesë të përkohshme.
Nën peshën e rëndë të gurëve. Nën harresën e madhe të kohës.
Nën dhimbjen e madhe të familjes. Mirëpo ka një të vërtetë. Njeriu ikën vërtetë nga kjo botë, por emri i mirë përjetësohet. Ç’ka do të shqyrtohet ruhet e s’vdes emri i atyre patriotëve shqiptarë që, gur pas guri vendosën themele të rënda për kombin. Dhe për këtë Shqipëri, ata u martirizuan.
Një gur në këto themele, vendosi edhe atdhetari Zaim Brahimi i Katundishtës. Kështu në mendjet e të afërmve të tij ishte ruajtur emri i Zaim Brahimit. Por varrin e tij ,djali që ishte rritur, burrëruar dhe deri sa vdiq, ndonëse bëri diçka dhe kësaj familje nuk i munguan përpjekjet, mirëpo rezultati ishte tepër drithërues.
Asgjë nuk sollën në shteg përpjekjet për ta rikthyer në vendlindje, ndonëse shteti në kahun e tij të kundërt filloi hakmarrjen primitive karshi familjes Brahimaj, ndërkaq pinjolli i shquar i saj, Zaim Brahimi vrarë nga shovenët ende qëndronte i shtrirë në një varr të fshatit Drizar, kushedi se ku, për 90 vjet. Ndoshta arsye mbetet koha, që ishte treguar kaq e pamëshirshme me fatin e këtij atdhetari.
Mirëpo distancat kohore thyejnë një ditë muret e rënda të viteve të harresës. Itinerari kohë, arrin në 90 vite vonesë, ose pragu, i një shekulli, distancë. Në Katundishtë engjëjt zgjuan, flautin e ëndrrës fortësisht të çuditshme, tek Zaim Brahimi për të gjetur dije, me shtegtimin ditën i heshtur në muzg të kohës 1898, ku karvani i shtegtarëve zgjatej drejt kryeqëndrës së Perandorisë, Stambollit. Një përballje me faktin. Lexohet dëshmia e të birit. Zaim Brahimi shtegtoi në Stamboll në përballjen e parë me dijen. Dëshmitë e disa banorëve më të moshuar të Katundishtës, zbardhin këtë pohim se ky shtegtim i gjatë drejt Stambollit do të ishte njëkohësisht ndryshim i frekuencës së tij.
Shkollimi i Z.Brahimit ishte i orientuar në shkollat ushtarake. Kohë shkollimi, sigurisht që zë një hapësirë kohe të gjatë. Flitet për një periudhë,që përkon me vitet 1898 si hap i parë ka zgjatur 9 vjet afërsisht. Është mbyllur definitivisht në 1907. Z.Brahimi ka qëndruar në Stamboll 9 vjet, rrëfejnë dëshmitë për ditët e rrokullisura në kryeqendrën osmane të perandorisë, në Stamboll.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!