Sondazhi i pëlqimit

03
Jan
2024
Shkruan: Beqir Elshani


Në facebook është shfaqur një fotografi me tre udhëheqës shqiptarë për vlerësim se cili prej tyre ka qenë më i miri në qeverisjen e shtetit: Fatos Nano, Sali Berisha apo Edi Rama. Mirëpo para se lexuesit të përgjigjen, kërkuan të shkruhet anasjelltas se cili prej tyre ka qeverisur më së keqi. Sipas meje asnjëri nuk e meriton votën, megjithëse Sali Berisha është më i keqi që njeh historia e popullit shqiptar.
Në vazhdim, sipas sondazhit në facebook “Si ju pëlqen më shumë Lulzim Basha, i egër, apo në gjumë?” unë u përgjigja se mua më pëlqen që ky njeri me emër të bukur të lexojë po ashtu përrallat e bukura të gjyshit. Kurse miku im, Xhemil Zeqiri, ma priti se më mirë kur është i egër, sepse i tremb mizat pasi që tërë kohën na bezdisin. Sipas parashikimit idealist një deputet deklaroi se nëse Sali Berisha fiton, do të largohet prej Partisë Demokratike, kurse tjetri ia ktheu nëse Lulzim Basha fiton, do të largohet prej Partisë Demokratike. Prandaj pritet që njëri prej tyre patjetër do të fundoset në plehun e historisë.
Çfarë kontrasti, nëse Sali Berisha në Tiranë e mbyt një karkalec, paralizohet Isa Mustafa në Prishtinë; mirëpo nëse Abdullah Hoti e mbyt një lepur në Prishtinë, trimërohet Lulëzim Basha në Tiranë. Nuk ka asnjë dyshim që Basha dhe Berisha janë trupmëdhenj, kënaqësi t’i shikosh, të gjatë, të hollë dhe të pashëm. Duken si gjeneralë të armatës, mirëpo punën e kanë rrogoz, – kështu thoshin kryeqytetasit e revoltuar, kur e kanë parë “Murin Kinez” (është fjala për Berishën dhe Bashën). Me të drejtë pastruesja çuditet pse njerëzit nuk i durojnë morrat në trup, kurse egërsinë e Sali Berishës tri dekada me radhë e kanë duruar. Duket se qenka turp që njeriu të ketë morra në trup, por nuk qenka turp të durohen parazitët në pushtet. Sipas fjalorit dhe fizionomisë bukuroshët duhet të jenë trashëgimtarë të Ahmet Zogut, siç thotë populli “qen i ati, qen i biri, ministër ka thënë veziri”. Prandaj më mirë të jesh derr që rrëzon lisa, se lepur që fshihet nën lisa.
Kur në shtëpi e shkund mbulesën e tryezës, bien grimcat e bukës, ndërsa kur e shkund mbulesën e kuvendit republikan, largohen spiunët, matrapazët, burokratët, mashtruesit, hileqarët, borgjezët dhe nepotistët, kështu tregoi pastruesja e revoltuar. Sa persona duhet ta kenë plaçkitur bankën e kombëtare dhe sa thasë janë përdorur për ngarkimin e parave, pyeti një qytetar? Këtu nuk flitet për bartjen e parave me thasë, pasi që vjedhja bëhet me anën e kodit digjital, kështu u përgjigj ministri i financave. Prandaj mund të jetë ndonjë organ i qeverisë, i cili plaçkitjen e ka bërë prej divanit në dhomë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk