Nuk është një vit i zakonshëm, por një jubile, një tre çerek shekulli nga lindja e njërit nga figurat shumë të rëndësishme të organizimeve të fshehta atdhetare në fillimvitet e ’70-ta të shekullit të kaluar dhe në funksion të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, heroit të kombit Gafurr Loku. Ndërsa askush nuk u kujtua e as u mor me këtë përvjetor kaq të rëndësishëm një figurë kaq të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Nuk u mor as Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës dhe as Shoqatat e dala nga Lufta, bile as OVL e Kaçanikut!
Edhe unë gati do të isha turpëruar para kësaj figure të madhe të kombit, sikur të mos ma kujtonte Kadri Loku, të cilit i jam shumë mirënjohës.
Po kush ishte Gafurr Loku, për të cilin unë them se do të duhej kujtuar sot me rastin e 75 vjetorit të lindjes së tij?
Gafurr Loku, i biri i Xhaferit dhe Rabishës, është lindur më 11 gusht 1949 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, ku kreu katër klasat e para të fillores, ndërsa pjesën tjetër në Han të Elezit. Familja e tij u shpërngul në Tetovë, ku ai vazhdoi mësimet në gjimnazin e qytetit, kur edhe filloi veprimtarinë e tij atdhetare.
Më 4 korrik të vitit 1968, së bashku me Rafi Halilin, organizuan dhe realizuan aksionin e vendosjes së Flamurit tonë Kombëtar në hyrje të fabrikës së tekstilit në Tetovë, për çka edhe u dënua me 10 ditë burg. Pa kaluar shumë kohë, ai u gjet në krah të shokëve të tij të idealit në radhët e para të demonstratës së 22 dhjetorit 1968 në Tetovë, ku ai u përlesh edhe me policinë.
Studimet i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Në kohën kur sapo kishte filluar studimet, ai me shokun e tij të idealit dhe veprimtarisë, Rafi Halilin, e formuan grupin e parë të fshehtë, duke e emëruar “Kushtrimi”, grup të cilin më pastaj e riemëruan në Grupi “Bashkimi”. Në fillim të vitit 1972, me Rafiun dhe shokët e grupit bënë një riorganizim të këtij grupi, duke e riemëruar në Organizata “Kushtrimi i Lirisë”.
Më 21 shtator të vitit 1972, në Prishtinë, u arrestua bashkë me Rafi Halilin dhe anëtarët e tjerë të Organizata “Kushtrimi i Lirisë” në Tetovë, duke e dënuar me 5 vite burg të rëndë, të cilat i mbajti në burgun famëkeq të Idrizovës. Në këtë burg u takua edhe me Rexhep Malajn, hero i kombit. Pas mbajtjes së dënimit u kthye për të jetuar në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit. Më 13 mars 1982 atë e arrestuan përsëri dhe e dënuan me 3 vite e gjysmë burg. Në vitet 90-ta të shekullit të kaluar Gafurri mori pjesë në aksionin për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave. Me shpërthimin e luftës në Kosovë ai ishte në krah të UÇK-së, duke e ndihmuar pa rezerva njësitin e formuar që në qershor të vitit 1998 te Puset e Nikës. Në mbrëmjen e 21 shkurtit 1999, u rrethua në shtëpinë e tij nga forca të shumta policore e ushtarake dhe nga prita u vra bashkë me djalin e tij Dritonin, i cili sapo ishte kthyer nga Batalioni “Imer Alushani”, i “Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova”, me qëllim për t’iu bashkëngjitur radhëve të UÇK-së te Puset e Nikës.
Ky ishte heroi Gafurr Loku, të cilin sot institucionet shtetërore do të duhej ta kujtojnë dhe nderojnë, ashtu siç e Meriton vepra të cilën ai na e la trashëgim dhe në shërbim të luftës për çlirim e bashkim kombëtar.
Lavdi në vite e në shekuj heroit GAFURR LOKU!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!