SOT NË BEOGRAD GRENELLI DEKOROHET NGA VUÇIQI, NË SHTATOR 2020 E KISHTE DEKORUAR NË PRISHTINË EDHE HASHIM THAÇI!

04
Feb
2025
Shkruan: Sheradin Berisha


Grenelli i thotë Vuçiqit: “më vjen keq që nuk keni një partner si Hashim Thaçi”
Ish emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, me rastin e marrjes së “urdhërit të flamurit serb” nga Gebellsi i Millosheviçit, e lavdëroi Hashim Thaçin si partner i mirë në negociata, ndërsa në këtë drejtim e kritikon Albin Kurtin, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i bëjë presion Kurtit që t’i zbatojë ato që premtoi Thaçi”!
Nga Sheradin Berisha
Sot në Beograd Presidenti i Serbisë (Gebellsi i Millosheviçit) Aleksandar Vuçiq, ia ka dorëzuar ish-emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Urdhrin e flamurit serb, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.
Me këtë rast Vuçiqi për Grenellin ndër të tjera tha se, “është mik i vërtetë i Serbisë, por edhe i gjithë rajonit, në një kohë të shkurtër pati një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së”.
“Roli i Richard Grenellit jo vetëm që kontribuoi në paqen dhe stabilitetin rajonal, por gjithashtu luajti rol thelbësor në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së. Mandati i tij si njeri për dialog tregoi mprehtësinë e tij, por edhe aftësinë e tij diplomatike dhe mbi të gjitha gatishmërinë për t’i dëgjuar pikëpamjet e palës tjetër, edhe pse nuk ishte gjithmonë dakord. Ai tregoi diçka që pothuajse nuk kemi mundur të shohim në bashkësinë ndërkombëtare-objektivitet, ndershmrëi intelektuale e politike dhe konsistencë”, tha Vuçiq.
Ndërsa Grenelli pas marrjes së dekoratës “urdhëri i flamurit serb” ndër të tjera ka deklaruar:
“Jam i nderuar, pasi besoj se jam personi i vetëm që ka marrë çmime të ngjashme në Serbi e Kosovë”. Ai tha se e do “Serbinë, popullin e Serbisë, Kosovën e popullin e Kosovës dhe se dëshiron që Serbia ta ketë një partner si Hashim Thaçi”.
“Faleminderit për mirësinë tuaj dhe dua të them se më vjen keq që nuk keni një partner si Thaçi që mund të çojë përpara gjërat që po negociohen”, ka thënë Grenell, duke u shprehur shumë kritik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se është me rëndësi “që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Kurtit që t’i zbatojë ato që premtoi Thaçi”.
“Vetëm atëherë mund të kthehet në pikën ku do të bëjë presion mbi të dyja palët për të bërë lëshime”, ka thënë Grenell.
***
Grenelli sot në Beograd ka deklaruar se një çmim të ngjashëm e ka marrë edhe në Kosovë!
– Nga kush e mori zoti Grenell një çmim të tillë në Kosovë?
– Nga ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, për të cilin thotë se ishte “partner i mirë për t’i çuar përpara gjërat që po negocioheshin.
– Dhe, cilat gjëra po negocioheshin gjatë kohës së Grenellit si emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi?
– Shkëmbimi i territoreve – ndryshimi i kufijëve!
***
Më 21 shtator 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me “Medaljen Presidenciale të Meritave” të dërguarin special të presidentit të ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell.
Me këtë rast Hashim Thaçi ka thënë se Grenell ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që të arrihet marrëveshja ekonomike me Serbinë.
“Jam i lumtur dhe krenar të dekoroj ambasadorin Grenell me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Grenell e arriti këtë sukses sepse besoj në përkushtimin tonë dhe nevojën tonë për këtë marrëveshje, atë që të tjerët nuk e arritën, Grenell e bëri shpejt. Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë më shumë paqe mes dy vendeve”, ka thënë Thaçi para mediave.
__________
Ilustrimi:
– Beograd, 25.10.2023: dekorimi i Grenellit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq;
– Prishtinë, 20.09.2020: dekorimi i Grenellit nga ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/02/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk