STRUKTURA E FISEVE DHE KONCENTRIMI I TYRE NË SLLATINË

21
Apr
2024
Shkruan: Syrja Etemi

Kur flasim për f i s i n si afërsi gjaku të një grupi të vogël apo më të madh të popullatës që jeton në Sllatinë, por edhe që ka jetuar edhe më herët, patjetër të potencojmë edhe faktin se sllatinasët, sidomos në kohërat më të hershme,i jepnin rëndësi shumë të madhe njohjes së brezave të fisit, dhe që në vegjëli fëmijët dinin përmendsh, duke filluar nga vetja e tyre, emrat që çonin deri te i pari (i fisit). Por, kjo traditë deri diku vazhdon të mbijetojë edhe deri në ditët e sotme, në mënyrë të vazhdueshme – e prekur nga tendenca e zbehjes dhe venitjes. Kjo njohje dikur ishte jetike mbasi lidhej me të drejtat dhe detyrat, në raste gjaqesh, trashëgim pasurie, shitblerje tokash e lidhje martesore.
Sllatina si një vendbanim rural me popullatë të konsiderueshme shqiptare, përbëhet prej 14 fiseve, disa nënfiseve (barqe), madje edhe disa kabileve të vogla, të cilat nuk u përkasin ndonjërit prej këtyre fiseve.
Fiset kryesore janë: Topallët, Kolët, Shkundet, Akulët, Mërlaskrët, Kapçet, Përrët, Odajt, Drizët, Masllarët, Dokurët, Trekalaçët (që janë ndër fiset më të mëdha dhe degëzohen në disa nënfise (barqe): Ibishallarët, Metallarët, Demallarët, Beadinallarët, Islamallarët, Bajramallarët dhe Xhelet.), Amoqet dhe Torbeshët – fisi më i madh në fshat me nënfiset (barqet): Beadinët, Dënallarët. Etemallarët, Mustafallarët, Hulet, Hutët dhe Shilkët.
Familjet më të vogla që nuk u përkasin këtyre fiseve janë: Gaxhët (Sherif Shkodrëni) dhe Demçet (Muharemi Taipit).
Në Sllatinë ekzistojnë edhe 6 familje të vogla të ardhura, ndonjëra më herët, e, ndonjëra më vonë. Ato janë: Emini Shtrazës (nga Shtraza e Kosovës), Hakia i Grupçinit (nga f. Grupçin i Malit të Thatë), Vejseli i Orashës (nga f. Orashë), Xhema i Breznës (nga f. Breznë e Karadakut), Sabit Muhaxheri (nga Leskovci i Serbisë).Përveç shqiptarëve, ka edhe dy familje maqedone dhe dy familje rome.
Kur i paraqesim fiset, nënfiset (barqet), madje edhe familjet (kabilet) të cilat e përbëjnë këtë fshat, nuk mund të mos na imponohet pyetja kureshtare se, cila prej tyre është më e vjetra, apo cila është autoktone, e cila është e ardhur, madje, se, cili fis ka qenë i ngulitur gjithnjë në këtë vend ku gjendet sot, apo ka qenë i koncentruar diku tjetër, e shumë e shumë pyetje, të cilat ngelin pa përgjigje adekuate. Sido që të jetë, ne këtu do të shtrojmë ato të dhëna gjeneologjike të cilat i kemi qëmtuar nga kujtesa apo mbamendja e “pleqve” të fshatit (që nga vitet 80-ta), pa mos intervenuar dhe kontestuar ato dëshmi,me të vetmin qëllim,që,ato copëza kujtese t’i shndërrojmë në “scripta manent”, e, jo të ngelin vetëm “argumentum in silencio”.
TOPALLËT-Ky fis nuk është aq i madh. Emrin e ka marrë nga i pari i tyre, i cili ka qenë i çalë ose topall. I pari i fisit ka qenë SALLAHI. Janë afër me Kapçet dhe Mërlaskrët. Pjesëtarët e këtij fisi janë të vendosur në krye të katundit, afër Leshkës, por dy familje janë të koncentruara në anën e majtë të lumit – deri te Mullini Feratit. Në këtë vend ka qenë i vendosur edhe i pari i fisit.
KOLËT-E marrin emrin nga i pari i tyre,Nikollë (Kolë). Nga ky fis mesjetar, i cili vendoset shumë herët në Pollog, një vëlla përqëndrohet në Merovë, një në Radushë, Ali Karaxha i biri i Bajram Kolës vendoset në Sllatinë mbi rrugën e Kryqit, në anën e djathtë të lumit të Sllatinës.
SHKUNDËT- Etimologjia e emrit të fisit rrjedh nga fjala: Sku(o)nde, fis mesjetar ky që haset edhe në Shqipërinë Veriore. I pari i tyre është MEHMETI. Janë të vendosur të vendi i quajtur mbi Brenica e deri te KRYQI – në anën e djathtë të lumit.
AKULET- Prejardhja e emrit të fisit rrjedh nga fjala shqipe: jakule, që don të thotë lurkë me jakë apo kapuç i gunës së bariut: popole, kaçule (Shih: F.F. Rr.). Pra, të parët e këtij fisi kanë bajtur, zakonisht veshje të leshta – lurkë e tirçi prej kashniku. I pari i këtij fisi në fjalë ka qenë dervish i sektit bektashian, i quajtur Bajram, i cili së pari vendoset në Teqen e Tetovës, kurse në Sllatinë vendoset përkohësisht në vendin afër Bigurit – rrëzë Sharrit, e mandej për t’u koncentruar në pjesën ku gjenden sot AKULET: nga rruga kryesore Tetovë – Jazhincë, përgjatë lumit të Sllatinës e deri te Kasapnejca. Si mëhallë është e vendosur në anën e majtë të lumit, kurse livadhet i kanë patur TE GËSHTENJAT (K’shtijet), në anën e djathtë të lumit,afër Kolëve.
MËRLASKRËT-Janë të vendosur në pjesën prej Te Xhamia, deri Te Kapçet, me të cilët janë edhe afër si fis bashkë me Topallët dhe Përrët. Emrin e ka marrë nga onomatopea “mërr” dhe emrit laskër, d.m.th. shpendi, laskra. Emri i ka mbetur sipas gojëdhënës së njohur që vijon: Laskra duke tentuar për t’ua hëngër mishin e thatë të vjerun në pullaz,këta,për ta trembur atë,kanë thirrur: mërr, laskër. I pari i fisit është SULEJMANI.
KAPÇET-Janë të vendosur në një paralele me Mërlaskrët. Emrin e ka marrë nga të parët,të cilët e kanë mbajtur veten shumë fodull – t’rënduar me ornamente popullore të zbukuruara, sidomos me k a p ç e.
Fjala: kapç/e,a, është monedhë e vjetër. I pari i këtij fisi është FERATI (që është afër me SULEJMANIN – të parin e Mërlaskërve).
PËRRËT- Ky është një fis i vogël, i afërt (nga nëna) me Kapçet dhe Mërlaskrët. I pari i këtyre e ka emrin Salih, i cili ka luajtur shumë mirë në lodra, prej ku e ka marë emrin sipas dridhjes së thuprës së lodrës:përr – përr…
DRIZËT-Janë të vendosur afër Mërlaskërve. I pari e ka emrin Idriz. Është fis i vogël. Janë afër me Demçet.
ODAI (ODAJT)- Është fis i vogël që rrjedh nga fisi i madh shqiptar BERISHË. I pari e ka emrin ODAI.
MASLLARËT- Janë fis kompakt,i cili është i koncentruar në anën e majtë të rrugës kryesore, karshi Mërlaskërve. I pari i fisit është Ramadani. Thuhet se janë afër me një fis homonim nga f. Leshkë. Të zgjërohemi pakëz këtu…(Një rrugë – në mesjetë që ka filluar nga Miletina-Pollaticë-Neproshten e deri në Leshkë e Sllatinë, ku është bërë Pazar, është quajtur sllavisht: Masllarski Put. Ndoshta edhe pjesëtarët e këtij fisi kanë tregtuar prodhime bulmetore në këtë Pazar, apo mos do të kenë qenë rojtar apo mbajtës të rendit në këtë rrugë. Për këtë emërtim nuk jemi gjithaq të sigurt, pasi fjala mas(z)llar, mund të rezultojë edhe me prejardhje turke: maz=kajmak, qumësht + prapashtesa mbiemërore “llar” , që në këtë rast do të indiconte emërtimin: udh’e bylmetit, emërtim ky që do të kundërshtonte prejardhjen sllave të tij).
DOKURËT -Për prejardhjen e emrit të këtij fisi kam dëgjuar një rrëfim nga Eshtref Zeqiri,i cili për proviniencën e emrit d o k u r thotë: Sulejmëni i dokurëve ka pat dhen, e, ki i mer dhent ene i lan n’Vardar. Masi i lan, thkehet për n’kataund. N’xhimc t’udhës zateket me nji shka Leshke (ene ki çobën me dhen),e pejtën Sulën (shkenisht): – A ka shëm uj Vardari? Sula i thot: – Da, ima do kura (shqip: Po,ka deri në k…).Dhe,kështu i ka mbetur edhe emri i këtij fisi: D o k u r a. Ky fis gjendet ndërmjet Masllarëve, Amoqeve dhe Trekalaçëve, në të majtë të rrugës kryesore, karshi Mërlaskërve. I pari i këtij fisi të vogël është Sulejmani. Nuk kemi njohuri për afërsinë me ndonjë nga fiset ekzistues.
TREKALAÇËT- Disa nënfise e përbëjnë këtë fis të madh, i cili është jokoherent dhe i shpërndarë nëpër pjesë të ndryshme të fshatit. Prejardhja e emrit të fisit vjen nga fjala t r a k a l a ç e, që ka kuptimin e një këmbaneje të vogël për të vegjëlit e disa kafshëve.(Shih: F.F.RR.). Sigurisht se të parët e këtij fisi janë marrë me ruajtjen e bagëtisë së imët. Në këtë fshat janë të ardhur herët – nga Shqipëria Veriore, konkretisht nga Topojana e Lumës, ku një vëlla vendoset në Shemshovë, një në Dobrosht dhe një në Radushë, në Viti të Kosovës etj. Në Sllatinë janë të koncentruar, pjesa më e madhe e familjeve, në anën e majtë të udhës kryesore – udhës së Shejnovës, Te Xhamia e fshatit.
AMOQET- Janë të afërt me Trekalaçët, të ngulitur në të majtë të Mëhallës së lartëpërmendur, që i ndan Lugji (Jazi), mbi rrugën e Kryqit, nga Ura e Azirit. Prejardhja e emrit vjen nga fjala: j a m o q e, që ka kuptimin e një eneje të vogël druri a metali, në të cilën shkrihet dhe mbahet gjalpi apo tëlyni. Kjo bën të kuptojmë se të parët e këtij fisi duhet të kenë qenë bylmetxhinj të dalluar. I pari i tyre është Amet Xhiki.
TORBESHËT- Edhe këtë fis e përbëjnë disa nënfise, dhe llogaritet ndër më të mëdhatë dhe më koherentë. Nënfiset që e përbëjnë këtë fis të madh ose mëhallë janë: Mustafallarët, Hulët, Shilkët, Etemallarët, Hutët, Dënallarët dhe Beadinët. Thuhet se i pari i këtij fisi – Mustafa, i cili e pranon islamizmin, paraprakisht martohet me vajzën e Oroshit, e cila para se të vdes gjatë lindjes, foshnjës ia vë emrin e burrit të vet: Mustafë, nga i cili rrjedhin Mustafallarët. Mustafa i parë martohet sërish dhe merr për grua një vajzë nga Cerova, nëna e së cilës ka qenë torbeshkë nga fshati Urëviç. Me këtë bën pesë djem, ku krijohen pesë nënfise që i përmendëm, përveç Hutëve, të cilët rrjedhin nga vëllau i Mustafës – Dineja, i cili martohet me një vajzë të fisit Hoti (Hoda) nga Lokevica e Prizrenit, pasi që ky ka qenë qeraxhi apo rrogtar varganesh, dhe mbante lidhjet tregtare me Prizrenin dhe Shkodrën. Ky martohet dhe vdes i ri në këtë vend, kurse Mustafa merr djalin e vëllaut, Hodën dhe e rrit bashkë me fëmijët e vet, pasi që ky ka qenë edhe mirë nga idarja apo “takati” (gjendja ekonomike).
Kështu, jam i vetëdijshëm se për karakteristikat etnografike të popullatës së Sllatinës mund të flitet e shkruhet edhe shumë më shumë, por do t’ua lëmë testament brezave me përgatitje profesionale që do të vijnë dhe të vazhdojnë gjurmimet dhe hulumtimet konsistente gjithëpërfshirëse në zbardhjen e gjithë të pathënave për këtë oazë karakteristike në të gjitha sferat.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk