Është për të ardhur keq që në vend të diskutojmë për problemet reale që prekin shoqërinë tonë, shumë njerëz harxhojnë kohën dhe energjinë e tyre duke sulmuar individë vetëm pse ata janë simpatizantë të një partie politike. Kjo është e pakuptimtë dhe e padrejtë! Një simpatizant i një partie nuk dëmton buxhetin e shtetit në asnjë mënyrë. Përkundrazi, ai harxhon nga xhepi i tij, investon kohë dhe energji, ndonjëherë duke sakrifikuar për një vizion politik që ai beson se do ta çojë vendin përpara.
Por, të njëjtët njerëz që gjejnë kohë për të sulmuar simpatizantët, nuk ndihen fare kur kemi 43 mijë veteranë të rremë, një barrë e madhe për buxhetin e Kosovës. Nuk ndihen as për mungesën e energjisë elektrike në shekullin XXI, një problem që vazhdon të na mbajë peng edhe 26 vite pas luftës. Pse nuk e ngremë zërin për këto çështje? Pse nuk pyesim se çfarë ndodhi me qeveritë e kaluara që nuk adresuan asnjë nga këto probleme?
Pse heshtet kur flitet për buxhetin e lënë bosh nga qeveritë e kaluara? Për rezervat shtetërore të harxhuara? A nuk është më e rëndësishme të diskutojmë për rritjen ekonomike dhe investimet që po ndodhin tani, për herë të parë pas shumë vitesh? Të gjithë këto janë tema që prekin popullin dhe meritojnë të jenë në qendër të debatit tonë.
Në vend që të sulmojmë individë për bindjet e tyre politike, duhet të fokusohemi në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Nuk ka asnjë logjikë të fajësohet një qeveri për një mandat të vetëm për problemet që janë grumbulluar për dekada të tëra. Përkundrazi, është detyra jonë të ndihmojmë që këto probleme të marrin zgjidhje, duke debatuar mbi çështjet që vërtetë kanë rëndësi për të ardhmen e vendit.
Ndaj, apeli im është i thjeshtë: mos e humbisni kohën duke sulmuar aty ku s’ka arsye. Sulmoni aty ku duhet! Diskutojmë për çështjet që ndikojnë jetën tonë, që na prekin drejtpërdrejt dhe që mund të bëjnë një ndryshim për gjeneratat e ardhshme.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!