TË RINJTË DHE POLITIKA

23
Mar
2023

Shkruan: Fatlind Selmani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Çdo ditë e më shumë flitet për politikë, për programe, bëhen premtime pafund, bëhet demagogji e pamasë e ajo që mbetet në fund, të paktën gjer më sot, për ne të rinjtë është: “asgjë presje diçka”, siç shprehej në librin e tij një politikan i suksesshëm (Edi Rama në librin “Kurban”). Më shumë se cilido individ tjetër në shoqëri, jemi ne të rinjtë që duhet të merremi me politikën dhe politikanët, pasi çdo ditë ajo dhe ata merren me fatin tonë, me djersën e prindërve dhe gjakun e paraardhësve tanë. Ata kanë në dorë fatin tonë në një farë mënyre, por për fat të keq, rinia shqiptare shumë pak e kupton këtë ose, të paktën kështu hiqet.

Në shoqëritë perëndimore të rinjtë mund të mos merren dhe aq shumë me politikë, por duhet te kemi parasysh se ata i kanë kaluar fazat e tranzicionit. Ata jetojnë në vende ku meritokracia ka udhë të hapura dhe s’vihet ne asnjë moment në dyshim.

Politika është një alternativë që na parashtrohet, është një rrugë që na propozohet e që lidhet pazgjishmërisht me fatet tona, me mënyrën se si neve do na udhëheqin e ç’është më kryesorja, drejt ç’rruge na udhëheqin.

Unë merren me politikën, por kjo s’do të thotë se unë jam politikan. Unë jam një i ri që studioj, por që s’gjej dot punë, jam një i ri që votoj, por që më dhunohet vota, jam një i ri që kam ëndërra, por që më janë vrarë nga politika. Pra, dhe të mos dua unë të merrem me politikë është ajo që merret çdo ditë me mua. Kjo s’më ndodh vetëm mua, kjo na ndodh të gjithë neve, e gjer në momentin që ne do rrimë indiferentë ndaj gjithçkaje na ndodh përreth, e ardhmja do jetë aspak premtuese.

Teksa politika merret çdo ditë me ne, e me bindjen se ne duhet të merremi po ashtu pambarimisht me të, duhet te kemi parasysh se një element kyç për një ringani dinjitoze është arsimi. Një arsim i mirë është po ashtu një politikë e mirë, një alternativë e mire, një rrugë shpresëdhënëse. Një arsimim i mirë do të thotë një shoqëri e shëndoshë.

Por çfarë ndodh tek ne?

Në vendin tonë meritokracia as si fjalë s’përmendet më. Nuk flasin më për konkurrencë të ndershme e punë sipas kapacitetit , por sipas mikut e ryshfetit. Ka plot raste ku injoranca udhëheq e ku të rinjtë përbuzen. S’do mjaftonte një shkrim për t’i përmendur, por që institucionet e dinë fare mirë këtë fenomen regresiv. Pra, nevojitet arsimim real, për një shoqëri që ecën përpara. E kundërta ndodh me injorancën, e cila mbjell vetëm regres, e ku kushdo mund të të tërheqë për hunde vetëm se ai “dikushi” ka pozitat politike ta bëjë një gjë të tillë.

E si fund do të thosha se aty ku mendimi kritik është thjeshtë një utopi e konformizmi është ulur këmbëkryq, s’mund të kemi gjë tjetër veç regresit progresiv.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk