“Kur e kaluara pushon së hedhuri dritën e saj mbi të
ardhmen, mendja e njeriut endet në errësisrë.”
Tokëvili
Më 28 Mars 1945 u themelua Shkolla e Mesme Ushtarake “Skëndërbej”, me drejtim të përgjithshëm dhe falas.
Fillimisht shkolla “Skënderbej u krijua pranë shkollë së perfeksionimit të oficerëve.
Ideatori i parë i kësaj Shkollë Ushtarake për Shqipërinë ka qenë filozofi ynë Sami Frashëri, i cili e ka theksuar në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”( Prishtinë 1978, vepra, v.2, f.85,91):
“Në kryeqytet të Shqipërisë, të cilënë mundimë ta quajmë Skënderbegas… Përveç shkollave të dyta e të treta do të jetë një shkollë ushtërije me këtë emër, më pastaj duhet të hapenë: një në Shqipëri të Sipërme, (kuptohet në Kosovë, D.G), e një në të Poshtërmet. Shkoll’ e aniërisë duhet të jetë mb’anë detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftësë, në Durrës a në Ujët-të-Ftohtë, afër Vlorësë.”
Dhe Sami Frashëri e shpjegon vetë pse e ka emërtuar me këtë shkollë me këtë emër: “Skëndërbeu ynë q’i ka dhënë edhe do t’i apë gjithë jetënë nder Shqipërisë, ky burrë i pashoktë ish foshnjë, kur ra ndër duart të Tyrqet, e u rit në plasët të Sulltanit; që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtëri të Tyrqet, që çuditësh gjithë bota; kudo që vinte, muntte e njeri s’i qëndronte dot kundrejt.”(po aty, f. 30)
Por historia tregon se përgatitja për komandantë lufte qysh në moshën fëminore është trashëguar të paktën 4 shekuj para Krishtit. Këtë fakt na e dëshmon historiani gjerman Artur Vajgal, i cili sqaron për Aleksandrin e Madh: “Në atë kohë kur Aleksandri ishte gati 12 vjeç (viti 367 p.e.r, DG), duket se Filipit iu ngjall interesi për djalin…Filipit i interesonte shumë ta shkëpuste Aleksandrin prej ndikimit të mbretëreshës, Olimpiadës, prandaj, ai tok me Aristotelin vendosën që shkollën e re ta ndërtonin pak larg nga kryeqyteti. Për këtë zgjodhën qytetin e vogël të Miezas… Godinat e shkollës i ndërtuan në një pyll të lashtë nimfash”.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, ShB Bargjini, Tiranë, 2002, f. 58, 66).
* * *
Vënia në jetë e këtij amaneti të filozofit tonë rilindas Sami Frashëri, ka themelues Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha:
“Të gjithë shokët e brezit tonë, kur ishim në bankat e shkollave, lexonim librin e Samiut “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Unë e mbajta atë libër në çantën time të partizanit, e lexoja dhe e kuptoja tani, duke krijuar shkollën e kadetëve “Skënderbej”, nga ku do të dalin oficerët e rinj të ushtrisë, në të cilën janë lart nga 300 djem të popullit prej 12- 16 vjeç, djem dëshmorësh, punëtorësh e katundarësh, dhe të rinj, të zgjedhur nga gjithë njësitë e Ushtrisë Ncional-Çlirimtare.”(E.Hoxha E.Hoxha: v.3, f.31) …”Pra, duhej të nderonim këta luftëtarë të mëdhenj dhe t’i tregojmë edhe një herë popullit se bijtë e denjë të tij ishin partizanët, të cilët po mësojnë me zell të madh për t’u bërë të denjë për atdheun… Në rast se për Ushtrinë kërkojmë njerëz nga gjimnazet, do të gjejmë vështirësi t’i bëjmë oficerë. Mua më duket se shkolla “Skëndërbej” duhet të jetë një bazë e mirë, sepse atje grumbullohen dhe përgatiten për oficerë bij të punëtorëve dhe të fshatarëve… T’i kemi në kujdes të veçantë skënderbegasit e vegjël, të cilët janë FIDANISHTJA, e ardhshmja e lavdishme e Ushtrisë sonë Popullore… Prandaj për shkollën “Skënderbej” duhet bërë kujdesi më i madh.” (E.Hoxha: v.15,f.413; v.17, f.404; v. 23, f.280; v.34, f.434-435, 440)
* * *
Fillimisht kjo shkollë u emërtua “Shkolla e pionerëve ushtarakë”, dhe në vitin 1947 mori emërin “Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake – Skënderbej”. Kjo FIDANISHTE e Ushtrisë Popullore Shqiptare ishte në varësi jo vetëm nga Ministrai e Arsimit por edhe nga Ministria e Mbrojtjes, gjë që e bënte atë të dallohej midis institucioneve të tjera arsimore të vendit.
Deri në vitin 1950 në këtë shkollë pranoheshin prej moshës 10 deri 18 vjeç;, pas këtij viti filluan të pranoheshin prej moshës 14 deri 18 vjeç.
Në vitin 1963 kjo u shndërrua në shkollë e mesme e tipit: Klasike Ushtarake -Shkencor-Teknik-Arte, (thënë ndryshe: shkollë e tipit klasik-shkencor-politeknik), pasi, prej Shtatorit të atij viti filloi të dërgojë nxënësit e saj në të gjitha shkollat e mesme profesionale të Tiranës, përfshi edhe në Liceun Artistik “Jordan Misia”, përjashtuar vetëm shkollën e mesme mjekësore.
Në këtë Fidanishte të ish-Ushtrisë Popullore kanë studjuar rreth 33 mijë të rinj. Shumë prej tyre kanë drejtuar struktura dhe njësi të larta ushtarake.
Në periudhën Qershor – Shtator 1966, 12 (dymbëdhjetë oficerë), ish-nxënës të kësaj Fidanishteje, i dërgoi Qeveria në Republikën Demokratike të Vietnamit, për të marrë përvojën e luftës popullore mbrojtëse të gjithanshme në kushtet e armatimeve moderne të kohës. (Ramiz Feçori “Lufta e Vietnamit”,Tiranë 2008, f3-4)
Ndërsa 3 (tre oficerë), nxënës të dalë po nga kjo Fidanishte ushtarake, shkuan vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1999, kur luftohej për çlirimin e saj, të cilëve iu besuan funksione drejtuese të larta e me shumë përgjegjësi. Për ironi të fatit: të tre ishin oficera të armës së Mbrojtjes Kundërajrore. Një prej tyre ra dëshmor për çlirimin e Kosovës, djali nga Kavaja, Indrit Lulëzim Cara. I pari oficer dëshmor për çlirim kombëtar, i dalë nga Shkolla e Mesme Ushtarake e Përgjithshme “Skënderbej”.
* * *
Dikush edhe mund të pyesi: A kanë të tillë shkollë ushtarake shtetet e tjera? Po i rendisim me rend alfabetik disa shtete:
ANGLIA: ka një veçori se, këto shkolla i ka në dy varjante. Një varjant është ai që i merr në moshën 16 deri 18 vjeç, i cili quhet kolegji “Ëelbeck”. Ndërsa shkolla tjetër e mesme quhet “Duke of Yorks Royal Military School”, themeluar në vitin 1803. Këtu nxënësit i pranojnë prej moshës 11 vjeç deri 18 vjeç.(http://xn--cdaaa.xn--ikipedia-s1a.org/
)
AUSTRIA: ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, themeluar qysh në kohën e të qenit Perandori dhe vijon ende.
FRANCA: ka 6 shkolla të mesme ushtarake, për të tre llojet e forcave të armatosura, të cilat thirren Lice Ushtarak, ku studjojnë rreth 4.000 nxënës. Pranohen kryesishtë nxënës të familjeve franceze që jetojnë në Francë dhe jashtë saj, por, përparësi kanë fëmijët jetimë të ish-ushtarakëve, dhe familjet e ushtarakëve. Në një prej këtyre shkollave ka kryer studimet edhe “Ariu i Luftës”, Norman Shvarckof, deri sa shkoi në Uest Point.(M.E. Morris, “Stuhia e Shkretëtirës”, SHBU 1992, Tiranë, f. 26-27).
GJERMANIA: fillesën e shkollës së mesme ushtarake e ka në vitin 1813 kur mbreti Frederik Vilhelm III formoi tri shkolla lufte për kadetët.(Kolonel Kristian Millotat “Oficeri i SHP”, SHBU, Tiranë 1993, f.49). Sistemi i përzgjedhjes së kadetëve ishte sipas klasës dhe origjinës. Kjo shkollë u konsiderua si guri i rëndësishëm themeltar historik për të ardhmen e oficerit të Bundesverit.
ITALIA: ka 4 shkolla të mesme ushtarake. E veçanta e Italisë është se 20% e vendeve në Akademinë Diplomatike Shtetërore rezervohen për maturantët e këtyre shkollave ushtarake. (http://xn--cdaaa.xn--ikipedia-s1a.org/
, 20. 07.200).
JUGOSLLAVIA: kish në çdo federatë nga njëSshkollë të Mesme Ushtarake.
KANADAJA: ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, me emrin “Robert Land Academy”, në Ontario, themeluar në vitin 1917. Në këtë shkollë nxënësit merren prej klasës së 7-të deri në të 12-ën.
KINA: gjurmët e shkollës së junorëve për përgatitje ushtarake fillojnë qysh në epokën feudale. Shkolla e parë e mesme ushtarake bashkë me akademinë e oficerave u hap zyrtarisht më 1 maj 1924, nga presidenti i saj Sun Yat-sen, por mësimet e para filluan më 16 qershor 1924, duke u emërtuar shkolla Huangpu në Guangzhou, me komandant Chang Kai Shi-në dhe komisar Çu En-lai. Gjatë ceremonisë inauguruese Sun Yat-sen mbajti një fjalim, i cili u bë më vonë teksti i himnit kombëtar i Republikës së Kinës.
KROACIA: ka një shkollë të Mesme ushtarake.
PORTOGALIA: ka një shkollën e mesme ushtarake e emërtuar “Kolegjio Militare” dhe ndodhet në Lisbonë, e themeluar prej vitit 1803. Në këtë shkollë hyjnë fëmijë prej moshës 10 vjeç deri në 18 vjeç, ku bëhen gati për Akademi Ushtarake dhe Universitet. Nga kjo shkollë kanë dalë 5 presidentë të Portogalisë.
RUSIA: disponon 8 shkolla të mesme ushtarake “Suvorov” dhe një për marinën “Nakhimov”. Nxënësit Suvorovas i marrin në bazë të klasës së 4 -të dhe deri në moshën 14 vjeç, por mosha më e përshtatshme është 10 vjeç.
SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS: përsa i përket shkollave të mesme ushtarake kanë një veçori nga të gjithë shtetet e lartpërmndura, si në sasinë ashtu edhe në larminë e tyre. Jo vetëm që SHBA kanë 22 shkolla të tilla, në 17 shtete të ShBA, por shkojnë në shumicë edhe vajza. Nxënësit merren prej moshës 10 vjeç deri në 17 vjeç. Kur kanë kryer një prej këtyre shkollave, ata shkojnë në Uest Point. Në këto shkolla kanë filluar karjerën ushtarake Xh. Xh. Pershing, D. D. Ajzenhauer.(M. E. Morris, vepër e cituar, f. 22), i cili arriti deri President i SHBA, si dhe shumë personalitete të tjera të shquara ushtarake dhe politike. Veçori tjetër është se në këto shkolla të mesme pranohen edhe vajza, me të njëjtat kritere si dhe për djemtë, dhe që mësojnë në klasa të përbashkëta, stërviten po në klasa të përbashkëta dhe, e veçanta për vajzat është, se nuk ua presin flokët deri në maturë, por, në hyrjet e fjetinave të tyre shkruhet me shkronja të mëdha: “Bukuria e juaj nuk qëndron tek flokët, por tek sjellja juaj.”( http://xn--cdaaa.military-school.org/
) Dymbëdhjetë shkollat e mesme ushtarake pranojnë vetëm djem prej klasës së 7-të deri në të 12-ën, një tjetër i merr prej klasës së 5-të, një tjetër prej klasës së 4-t. At ndodhen në: Carlsbad, CA; Camden, SC; Në Bloomfield, PA; Ëaynesboro, VA; Fork Union, VA; Chatham, VA; Mexico, MO; Gainesville, GA;Anaheim, CA; Salina, KS; Delafield, ËI; Ëayne, PA.(http://ëëë.military-school.org/Military-
Boarding_Schools/Girl.asp). Ndërsa 10 shkollat e tjera të mesme ushtarake pranojnë djem dhe vajza, prej klasës së 7-të, të 8 dhe të 9-të deri tek e 12-ta
TURQIA: ka 4 shkolla të mesme ushtarake, ajo “Denis Lisesi”, në Stamboll, themeluar në vitin 1773, e cila është katër vjeçare; vitin e parë mësojnë anglisht, ndërsa tre vitet e tjera mësimi zhvillohet turqisht. Sholla tjetër është “Bursa Ipyklar Askeri Lisesi”, në Bursa, e cila e ka fillesën prej vitit 1844. Shkolla “Kuleli Militare High School”, edhe kjo në Stamboll, themeluar prej vitit 1845; ndërsa shkolla tjetër “Izmir Maltepe Askeri Lisesi”, në Izmir, është themeluar në vitin 1928.
* * *
Nëse u referohemi objektivave të të gjitha shkollave të mesme ushtarake të të gjithë shteteve që theksuam më lart, rezulton se objektivat i kanë të njëjtë, dhe përmblidhen në këto shtatë pika:
a) Të bëhen qytetarë të mirë, me dije të thella dhe patriotë.
b) Të zhvillojnë vetëbesimin, vullnetin në punë, lidërshipin dhe përgjegjshmërinë.
c) Të zhvillojnë aftësi të mira në komunikim dhe në të shkruar.
d) Të zhvillojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes fizike.
e) Të rrisin respektin për rolin e ushtrisë në mbështetje të objektivave kombëtare.
f) Për të zhvilluar karaktere të mira përmes formimit të ndjenjës së kolektitetit.
g) Të zhvillojnë aftësitë për të punuar në grup dhe në drejtim të teknikave ushtarake.(http://xn--cdaaa.military-school.org/
).
* * *
Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej” është mbyllur më 25 Gusht.1992, me Vendimi Nr. 3, datë 14.8.1992 i Këshillit të Mbrojtjes dhe Urdhri Nr. 159 datë 17.8.1992 të Ministrit të Mbrojtjes. Në atë vendim dhe urdhër, midis të tjerave theksohet:
“1-Brenda datës 18.8.1992, të merren në ruajtje ambientet e shkollës nga truproja e Reparti Ushtarak Nr 2350 në Tiranë. 5-Ky urdhër të punohet me të gjithë efektivin e shkollës brenda datës 17.8.1992
6-Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ngarkohet shefi i degës mësimore dhe shefat e shërbimeve sipas përkatësisë.”( Burimi: Arkivi Qendror i Republikës së Shqipërisë.Titulli i dosjes “Urdhër i komandës së repartit Nr. 222, mbi mbylljen e aktivitetit të kësaj njësie”, Afat i ruajtjes së përhershme të dosjes, sasia e fletëve 2, Filluar më 25.8.1992, mbaruar më 25.8.1992)
Në një prej intervistave, dhënë nga z.Sali Berisha, kur Ai ishte President i Republikës, i është bërë pyetja: “Pse e mbyllët Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej?”, Ai dha afërsishtë këtë përgjigje: “Është anti humane t’i edukosh fëmijët në moshën e adoleshencës me një disiplinë të tillë spartane.”, ndërkohë që Qeveria e tij, kur ai ishte President, dërgoi një sasi të konsiderueshme adoleshentë të vendit tonë në shkollat e mesme ushtarake në Turqi.
Natyrshëm që pyesim:
1 – Si z.Berisha, ashtu dhe të gjithë presidentët e kryeministrat të këtyre 35 viteve “demokraci”, duhet të kenë po atë mendim përderisa shkrinë gjithë ushtrinë dhe jo vetëm Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”: A mund ta pranojnë se të gjithë shtetet e mësipërme, që i renditëm më lartë, mund të quhen shtete antihumanë?
2 – Po tash që u bë Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis ministrave të Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar më 18 mars 2025 në Tiranë, si do t’i përgjigjet Kroacisë, Shqipëria dhe Kosova, nëse Kroacia do interesohet për bashkpunim edhe përsa u përket kësaj kategorie shkollore ushtarake? A përbën një handikap mungesa e kësaj shkolle në këtë bashkëpunim, aq më shumë që këtë shkollë e kanë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s?
Prandaj:
1. Mendoj se do të ishte më se e drejtë ringritja e Shkollë së mesme ushtarake “Skënderbej”.
2. Do të ishte edhe më e drejtë dhe me interes të madh kombëtar, që kjo Fidanishte Ushtarake të jetë një e vetme jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por mbarë kombëtare.
Tiranë, më 27 Mars 2025
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!