THIRRJE E DREJTPËRDREJTË AMBASADORES JURI KIM!

14
Dec
2022

Shkruan: Gjon Bruçi

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Zonja Juri Kim!
Qysh në ditët e para të ardhjes ambasdore në Shqipëri, keni deklaruar se prioriteti i punës tuaj, do të jetë Reforma në Drejtësi, të cilën e inicoi dhe po e mbështet shteti që ju përfaqësoni. Megjithatë, ndonëse reforma në fjalë po hyn në vitin e shtatë të “lindjes”, hapat e saj kanë qenë “hapa breshke”, përkundër korrupsionit, i cili ka vrapuar dhe po vrapon me “revanin e kalit”. Ky disraport në “vrapim”, do të thellohet më tej, nëse nuk ndërrohet metoda e punës së SPAK-ut, i cili mendon dhe vepron, duke hequr herë pas here nga një “tullë” të “Piramidës” së stërmadhe të Korrupsionit, kur duhet të bëjë të kundërtën: Të heqë kupolën e “Piramidës” në fjalë, nëse dëshiron që ajo të bjerë shpejt dhe pa bujë e zhurmë.
Me “replikat” në distance, që liderët kryesorë të politikës e të shtetit kanë adresuar këto ditë ndaj jush, ka dalë në dritë të diellit edhe “kupola” e piramidës së korrupsionit. Ju, zonja ambasadore, i keni të disponueshme dosjet e “peshqëve të mëdhenj, alias “kupolës së piramidës së korrupsionit, mjafton të hapni “kapakun e parë” të dosjeve dhe ti deklaroni, jo me epitetet modernë e diplomatikë “non gratat” por me emrin shqip “hajdutët”. Nëse veproni kështu, Reforma e drejtësisë, do të mundet ta kapë dhe ta kalojë shumë shpejt “revanin” e korrupsionit, – sëmundjes që po grryen e shkatërron politikisht, ekonomikisht dhe moralisht shoqërinë shqiptare.
Zonja ambasadore Juri Kim: Në një shkrim të datës 20 Maj 2020, botuar në gazetën SOT, midis të tjerave, unë qytetari i thjeshtë shqiptar ju pata shkruar:
“Nëse keni vërtet interesa në vendin tim, i cili, falë natyrës, zotëron një pozicion strategjik të rëndësishëm në kryqëzimet e rrugëve Lindje-Perëndim dhe anasjelltas, lëreni diplomacinë mënjanë dhe flisni shqiptarisht me ne shqiptarët, flisni drejtpërsëdrejti dhe jo nëpërmjet të korruptuarve, që çdo vendi e çdo populli nuk i mungojnë. Në këtë mënyrë do të farkëtosh një miqësi, të cilën vendi juaj nuk e ka hasur në asnjë vend tjetër të globit. Ndryshe, ju siguroj se vendi që keni zgjedhur për të mbajtur Europën në këmbë, e për të frenuar ariun siberian, apo tigrin aziatik, do t’ju dalë prej duarsh.
Unë e di se ju keni logon që thotë se “Nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përkohshme”. Të dyja mund të dështojnë nëse nuk do të dini ta menaxhoni vendin tim, që situata dhe rrethanat e sollën ta keni nën hyqëm. Njihini më mirë shqiptarët dhe mos e ndërtoni strategjinë tuaj duke u mbështetur në bërllokun e racës sonë, por në palcën e saj”.
HAPNI PLOTËSISHT DOSJET E KORRUPSIONIT TË POLITIKANËVE E SHTETARËVE, TË KËTYRE TRI DEKADAVE, NËSE DONI TA DYFISHONI, NËJQIND VJETËSHIN E MIQËSISË ME SHQIPTARËT!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/12/2022

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk