Thirrje për deputetët e pakorruptuar të opozitës: pash shtatë palë tokë e qiell, zgjidhni Kosovën, jo shefin, jo Klanin

03
May
2025
Shkruan: Gëzim Mekuli

Thirrje për deputetët e pakorruptuar të opozitës: pash shtatë palë tokë e qiell, zgjidhni Kosovën, jo shefin, jo Klanin

Të nderuar deputetë,
Sot, në këtë tokë t’lame n’gjak, ku shumë fëmijë mbetën jetim, ku shumë nëna s’e panë më djalin e çikën, dhe shumë varre ende nuk kanë një emër… ju mbani në dorë diçka më të madhe se një votë; mbani në dorë shpresën e një populli që ka derdhur shumë djersë e shumë gjak për ta pasur këtë shtet.
Të nderuar deputetë,
Mos u frikësoni nga kapot milionerë të partive t’uaja! Ata që sot ju kërcënojnë me karrierë, janë po ata që për 20 vite e kanë shfrytëzuar Kosovën për pasurim personal.
Ata që ju shantazhojnë sot, janë ata që kanë kulla, shtëpi, banesa e villa nëpër Dubai, Shqipëri e më larg, ndërsa qytetarët nuk kanë as ndihmë, as siguri e as shëndetësi; mos lejoni të përdoreni si “kondomë”.
Deputetë e deputete të pakorruptuar,
Ju nuk jeni si ata. Ju jeni deputetët që ecni pa truproja, me kredi deri në fyt e që i shihni qytetarët në sy, që e dini çfarë do populli.
Mos u bëni thjesht një “numër” në listën e një shefi partie; bëhuni ZË, bëhuni ndërgjegjja që ndryshon rrjedhën historike!
Në Francë, De Gaulle la partinë dhe iu kthye popullit për ta shpëtuar shtetin. Në Gjermani, rivalët ndërtuan së bashku. E ne, këtu në Kosovë, çfarë kemi? Fyerje e fjalë të rënda në Kuvend, marrëveshje nën tryezë me Listën Serbe, dhe një bllokadë që po e shkatërron të ardhmen e Kosovës tonë.
Dhe Lista Serbe, Beogradi… vetëm sa po i fërkon duart, duke parë shqiptarët që e bllokojnë shtetin. Që për interesa personale dojnë me e shkatërru shtetin.
Deputetë të pakorruptuar të opozitës?
A mund t’i shikoni në sy familjet e dëshmorëve e t’u thoni se refuzuat të ndërtoni institucione sepse ua kërkoi një milioner partiak.
A do t’u thoni qytetarëve se s’mundët të veproni nga frika apo nga pazari?
Deputetë të pakorruptuar, nëse e ngritni zërin dhe votoni për të zhbllokuar institucionet, nuk po ndihmoni një parti, nuk po e ndihmon një parti por po e shpëtoni Kosovën. Po i jepni Kosovës shpresë dhe dritë në vend të përçarjes dhe bllokimit.
Le të mos vijë dita kur fëmijët tuaj t’ju pyesin:
“Babi, mami… ku ishit kur Kosovës po i vihej ky gur i rëndë mbi shpinë?”
Le të vijë dita kur ata të krenohen me ju:
“Prindërit tanë nuk heshtën. Ata guxuan dhe e zgjuan Kosovën nga gjumi.”
Mbaje mend: Kush voton për shtetin, mbetet në histori. Kush heshtë për shefin, tretet me turpin e tij.
Pash shtatë palë tokë e qiell, zgjidhni Kosovën. Zgjidhni popullin. Zgjidhni të drejtën, interesin e klaneve dhe të shefave.
E ne, populli, do t’ju kujtojmë, do t’ju nderojmë për jetë e mot…
Me respekt të thellë,
qytetari që të don e në ty beson!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk