Tri dekada kaluan dhe debati për 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të Atdheut, nuk është sosur.

10
Dec
2022

Shkruan: Gjon Bruçi

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Fillimisht, naivët menduan se vërtet mund të ishte ngatërrim datash nga ana e veteranëve të LANÇ, ndaj dhe dikush nga analistët apo historianët e “paanshëm” iu fut hulumtimeve historike. Mirëpo, siç paralajmëruan mjaft historianë e analistë seriozë, midis të cilëve edhe komunistët që sot janë në minorancë, nuk është data 29 nëntor, ajo që i ngatërron ballistët, por vetë Lufta Çlirimtare që i turbullon e i tërbon. Po, a janë ballistët autorët e vërtetë të “Luftës” ndaj LANÇ? Sipas mendimit tim, ish ballistët e kohës së luftës dhe pinjollët e tyre janë thjeshtë “kamikazë” të kësaj lufte donkishoteske. Asnjë ballist apo pinjoll ballisti, nuk do të guxonte të dilte në “frontin” e kësaj lufte, sa sureale e banale, aq dhe fatale për sojin e tyre. Se ballistët e viteve të Luftës së Dytë Botërore, moralisht, politikisht dhe fizikisht patën përfunduar në varrin e përbashkët me ustallarët e tyre nazifashistë. Dhe bashkë me ta në varr pati përfunduar edhe “vepra” e tyre tradhtare. Dikush tjetër i “zhvarrosi” e po i zhvarros ata për t’i përdorur si kamikazë mbi vlerat historike të kombit. Më tepër se pesë shekuj më parë, vendi i vogël me emrin Arbëri, me qëndresën vitale 25 vjeçare kundër perandorisë më të fuqishme të kohës, do të bëhej jo vetëm mburojë e qytetërimit evropian, por edhe një shembull i gjallë për gjithë inkontinent, se si një popull e një vend i vogël, mund t’i bëjë ballë perandorive të stërmëdha dhe të mbrojë lirinë e pavarësinë e tij. 500 VJET më vonë, historia u përsërit në mënyrë të përpiktë, me ndryshime vetëm kohore e zhvillimore. Nga viti 1941 që shënon krijimin e PKSH e deri në ditën e përmbysjes së madhe të vitit 1990, Shqipëria – vijim i Arbërisë së Skënderbeut, jo vetëm do të dilte në dritë, por do të bëhej një shembull i jashtëzakonshëm për kontinentin dhe njëherësh edhe sfiduese për të gjithë lakmitarët e vjetër e të rinj të brigjeve të Adriatikut. Periudha 1941 – 1990 që mban në kalendar plot 49 vjet, mban në “inventar” dy nga epokat më të mëdha të shqiptarëve, Epokën e Lavdishme të LANÇ dhe Epokën e ndritur të Socializmit. Pikërisht, për të eliminuar nga memoria e shqiptarëve këto epoka të lavdishme, veçanërisht dy të fundit të kohës moderne, armiqtë e përhershëm të Shqipërisë e shqiptarëve, zgjodhën për kamikaz sulmi ish ballistët e luftës të mbetur ende në jetë dhe pinjollët e tyre të sotëm. Në përforcim të këtij kontigjenti, ata vunë neoballistët. Ajo që të trondit, në krye të këtyre bastardëve janë politikanët dhe shtetarët më të lartë të vendit, përfshi këtu dhe “Liderin” socialisto-rilindas. Këta myteberë, që aktualisht bëjnë ligjin në politikë e në shtet, kanë marrë përsipër që si LANÇ, dhe Arritjet e Socializmit t’i zhbëjnë me farë e me fis. Ndryshe nuk mund të jenë të sigurt në veprën e tyre të qeverisjes antipopullore e antikombëtare. Po, a do të munden t’ia arrijnë kësaj? Është e pamundur. Epoka e LANÇ dhe ajo e Socializmit janë dy epoka që kanë në themel gjakun dhe djersën e popullit shqiptar. 28 dhe 29 nëntori janë dy data të mëdha historike, që së bashku me 28 Nëntorin e parë të vitit 1444 të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, përbejnë themelet e kombit shqiptar. Që të shemben këto themele, duhet të shembet e zhduket populli shqiptar. Por populli nuk mund të shembet e as të zhduket.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/12/2022

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk