Titullin e shkrimit të mëposhtëm, ma “dhuroi” moderatori i emisionit “Të paekspozuarit”, zoti Ylli Rakipi, tek stacioni televiziv MCN, në mbrëmjen e datës 3 mars 2025. Emisioni në fjalë kishte për subjekt “spektaklin” politik e diplomatik që na dhuroi për të parën herë në diplomacinë ndërkombëtare, presidenti amerikan,Trump, dhe bashkëbiseduesi i tij i vështirë, Zhelinski i Ukrainës. Përpara katër analistëve të studios, Paskal Milo, Preç Zogaj, Baton Haxhiu dhe Arlind Qori, moderatori Rakipi, kishte afishuar me titra, dy fraza të shkurtëra, që kishin brënda “shqetësimin” e madh dhe “dilemën” që rridhte prej të parës, ku lexohej: “Trumpi tmerron Botën!”, dhe poshtë saj: “Po ne të shkretët?!”, të cilat unë i vura në krye të shkrimit që po paraqes.
Për mua, që ndjek me shqetësim situatat rreth nesh e në shkallë botërore, “spektakli Trump”, nuk ishte i papritur. Me datën 30 Janar 2025, në ditën e përurimit si President i SHBA, Donald Trump, në fjalën e tij pas betimit, disa herë përsëriti: “AMERIKA FIRST“, që në shqip do të thotë: “Amerika e para”! Kjo thirrje, mua më ngjau “tëpkë”, si ajo e Hitlerit, i cili në vitin 1933 kur erdhi në pushtet, thirri: “DEUTSCHLAND UBER ALLES”, e cila shqipërohet: “Gjermania mbi të gjitha”!
Për fat të keq, shumica e intelektualëve dhe analistëve, zgjodhën që në opinionet e tyre të përnatshme, të përdridhnin gjuhën, duke u ruajtur nga ndonjë “tepri” në adresë të aleatit tonë të madh strategjik. Por heshtja nuk vijoi gjatë. Më në fund edhe “korpusi” i analistëve dhe oipinionistëve, morën frymë thellë, dhe nisën të artikulonin rrezikun e ri, që po çfaqej me ardhjen e Trumpit për të dytën herë në Shtëpinë e Bardhë, e cila duhet thënë se nga brënda nuk është fort e bardhë.
Takimi “spektakël” midis Trump dhe Zelinskit, në zyrën Ovale të Presidentit amerikan, na tha shqip, se thirrja e Trumpit për “Amerikën të parën”, apo për “Amerikën e madhe dhe të fuqishme”, të recituar ditën e betimit si president, nuk ishin lapsuse, e as emocione patriotike, por vijë e qartë e instalimit të fazhizmit në vendin më të fuqishëm të globit. Fill pas thirrjes në fjalë, Trumpi, nisi të skiconte edhe hartën e re të shtetit të tij, duke filluar me Kanadanë, Groenlandën, Kanalin e Panamasë, e deri tek mineralet e rralla të Ukrainës. E mbi të gjitha, duke akuzuar viktimën Ukrainë si agresore, dhe agresorin e vërtetë Rusinë, si viktimë e luftës që vijon prej tri vitesh, realisht na përsëriti skemën e Hitlerit, i cili, pasi dogji me qindshet e tij të zeza Rajshtagun, akuzoi dhe burgosi për këtë komunistët, ndërsa kryetarin e PK Gjermane, Ernest Telman, do ta pushkatonin me urdhër të Hitlerit në vitin 1944.
Katër opinionistët që përmendëm më lart, tendosur prej “okelios” që kishte titruar moderatori në sfond të studios, folën me shqetësim të dukshëm për situatën e krijuar. Shqetësimi i tyre ishte i vërtetë, sepse situata lidhet edhe me vendin tonë, e sidomos me Republikën e re të Kosovës, e cila nën çadrën e Europës, nuk mund të jetë e qetë dhe e sigurtë nga breshëri serbo-sllav. Më i revoltuari së brendshmi ishte Baton Haxhiu, i cili ishte befasuar nga kjo kthesë e “demokracisë” amerikane. Por edhe Preç Zogaj, fliste me shqetësim të thellë, për këtë ndryshim të sjelljes së mikut tonë të madh dhe strategjik. Më i qetë dhe më i vërtetë tregohej drejtuesi i Lëvizjes “Bashkë”, pedagogu Arlind Qori, i cili, ndonëse me ligjërata paksa të moderuara, i tha gjërat të drejtpërdrejta. Jashtë studios, nga Amerika, dha mendimet e tij për këtë çështje edhe shqiptari i diasporës, Denion Drenikaj. Ky i fundit u mundua t’i qetësonte opinionistët tanë, duke u thënë, se jo të gjitha fjalët dhe veprimet e Trumpit, mund të realizohen, sepse në SHBA ka Senat, Kongres, dhe leva të tjera që e frenojnë presidentin të mos shkasë në aventura. Por opinionistët tanë nuk u qetësuan. Trumpi, tashmë është evidentuar si njëri i paparashikueshëm, dhe për më tepër, duke qenë në “profesion” biznesmen, do të dëgjojë më shumë ortakët e tij të dollarit, se sa ata të politikës e të qytetarëve amerikanë.
Mendimin më realist në studion televizive e dha ish ministri ynë i jashtëm, zoti Paskal Milo. Dyshimit të çfaqur tek opinionistët në studio, dhe pyetjes gjithë shqetësim, se çdo të bëhet “me ne të shkretët”, Paskal Milo, me përvojën e tij disa vjeçare në politikë e diplomaci, iu përgjigj: “Nëse SHBA “lëvizin busullën e demokracisë”, atëherë Shqipëria duhet të riorientohet diku tjetër. . . !” Çka do të thotë se duhet gjetur një mik dhe aleat tjetër strategjik.
Po, cili mund të jetë miku ynë i ri, që të jetë “kampion i demokracisë”, dhe njëherësh edhe i fuqishëm si Amerika, që të na dalë zot në këtë botë të trazuar?!
Plot dyzet vite më parë, pas ndarjes nga jeta të Zotit të Konakut tonë, ne e hapëm derën e Kullës, dhe lejuam turli demokrati, harrakati e surrati, të hynte në odat tona të thjeshta por me mure të forta, që përballonin çdo rrebesh e çdo furtunë. I hapëm se kujtuam se u bë “deti kos e rëra përshësh”. Por nuk rezultoi e tillë. Amerika me inicialet SHBA, paskësh qenë jo vetëm kreu i imperializmit grabitqar botëror, por edhe kaubojs, sherif dhe xhandar ndërkombëtar, ashtu siç e pati emërtuar Udhëheqësi ynë legjendar, Enver Hoxha. Miku dhe aleati strategjik, në krye të herës vërtet na “ndihmoi” në shkatërrimin e ekonomisë, mbrojtjes, arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe gjithçka patëm ngritur në gjysëm shekulli të socializmit, por pas kësaj, nuk na dha as çifte për të mbrojtur bashtinat tona, qoftë edhe nga shpendët dhe laraskat e pyllit. Miku ynë i madh strategjik, na përdori e do të na përdori si mish për top në kolonitë e vjetra e të reja të saj, por dhe si kavie eksperimentale të laboratorëve të tij në vendet ku ka tranportuar me topa e mitraloza, “demokracinë” made – in Janki!
Shqiptarët, në pjesën dërmuese të tyre, nuk i besuan e nuk i besojnë plotësisht “besës amerikane”, se ajo nuk është besë e qytetarëve të këtij vendi të mëdh, por “besë” e kapitalistëve të mëdhenj, e cila zgjat, aqsa zgjat një thithje cigareje. Por ishin politikanët tanë me pasaporta shqiptare, por jo me përbërje anatomike e mendore të tillë, që pasi mashtruan popullin, për hir të pushtetit, u bënë mashë e ndryshkur e të pabesëve. Edhe këto ditë që rreziku duket sheshit në horizont, këta politikanë vijojnë luftën brënda llojit, se kush do të marrë pushtetin në zgjedhjet e pritshme të 11 majit, paçka se ai pushtet do të kthehet siç është kthyer prej 34 vitesh, në një lodër në duart e kapitalit, por edhe në një magazinë miradinash për mercenarët tanë në shërbim të të huajve.
Nëse analistët dhe opinionistët e emisionit të zotit Rakipi, u sëkëlldisën disi për situatën ku vendi ka rënë, në pjesën tjetër të inteligjencës sonë të rekrutuar, e sidomos në radhët e politikanëve dhe pushtetarëve, vijon puna sikur nuk do të ndodhë asgjë. Por edhe në ndodhtë, skota e politikanëve dhe shtetarëve e ka llogaritur daljen jashtë rrezikut. Mjafton një flamur i bardhë, si ai që të parët e tyre përdorën në 7 prill 1939, kur erdhën pushtuesit italianë e më vonë ata gjermanë. I humbur në këtë mes është populli i thjeshtë e i mashtruar nga liderët hipokritë e të shitur, që vitet e fundit janë shtuar e shumuar.
Shtrohet pyetja: A do të vijojnë qytetarët shqiptarë të mashtrohen akoma nga “demokracia” e gënjeshtërt e këtyre tridhjetë e katër viteve të humbura të jetës së tyre?!
11 Maji, që po afrohet rrufeshëm, duhet të na zgjojë nga gjumi, që mashtruesit të mos vijojnë të na mashtrojnë. Përballë kemi dy hienat kryesore, “Shillën” dhe “Karibdën”, dy përbindshat e Mesinës së lashtë, me emërtimin e sotëm modern, PD e PS, të cilat shkatërruan e përdhosën keqas trojet tona, që Enver Hoxha dhe shokët e tij të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Ndërtimit Socialist na i patën lënë amanet. Pa nxjerrjen jashtë loje, e jashtë skenës këta dy përbindsha politikë antipopullorë e antikombëtarë, as mund të mendohet Liria, Pavarësia dhe Begatia e vërtetë e Kombit tonë të vogël në gjeografi, por të madh e të lavdishëm në histori.
-Botuar në gazetën SOT, datë 5 Mars 2025-
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!