“TUNGJATJETA VASFI DUKA!”

04
Aug
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

Nga GJON BRUÇI
Homazh në 5 vjetorin e ndarjes nga jeta të Inxhinierit
të talentuar, zbuluesit të mineraleve të ngurta, birit të shquar
të Vranishtit të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, VASFI DUKA.
Në “KALENDARIN ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR”, me autorë Aristidh Plaka e Ibrahim Xhamaj, botim i vitit 1998; në librin me titull “Veprimtaria individuale e specialistëve të fushave të gjeologjisë”, me autor Akademik Profesor Teki Biçoku dhe Profesore Marie Koçi – botim i “Shërbimit Gjeologjik Shqiptar”, viti 2004; si dhe në librin “Leksikoni i Lezhës”, të autorit Kujtim Dashi, botim i vitit 2005, shkruhet:
“Inxhinieri gjeolog, Vasfi Duka, u lind në Vranisht të Vlorës më 1935. Pas mbarimit të Politeknikumit “7 nëntori”, dega gjeologji-miniera, nga vitit 1955 deri 1958 punon si teknik gjeolog në Kurbnesh e Spaç të Mirditës. Vijon studimet në Institutin e Studimeve Gjeologjike “Orxhonikidze” të Moskës në ish Bashkimin Sovjetik, vitin e fundit në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Gjeologji-Miniera. Në vitin 1965 emërohet Kryeinxhinier dhe pas tri vitesh Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike Rubik, ku udhëhoqi Shërbimin Gjeologjik në zbulimin e vendburimeve të bakrit në Kaçinar e Rrjollë, si dhe punimet për shtimin e rezervave të bakrit në Spaç e Kurbnesh.
Nga vitit 1977 deri më 1986, si Kryegjeolog dhe më pas si Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike të Shkodrës, udhëhoqi shërbimin gjeologjik në këtë zonë, i cili bëri të mundur zbulimin dhe dorëzimin për shfrytëzim të minierës së bakrit në Palaj – Karmë, Shkodër (për bakër të pastër); të vendburiumit të Turecit në Lezhë (për përpunim); si dhe ju dorëzua Komitetit Shtetëror vendburimi i Titanomagnetiteve të Kashnjetit, i Magneziteve të Gomsiqes, i Kaolinave të Vigut, i Argjileve të Melgushë-Bushatit, i Fluoriteve të Brashtës, i Silicorëve të Vilzës, etj.
Nga viti 1986 deri më 1992, kur del në pension, punon i komanduar në Institutin e Studimeve Ekonomike në Tiranë, ku realizoi studime shkencore për mineralet jometalorë, për të cilat hartoi dhe “Klasifikimin Shkencor” të tyre, të parin inventar të këtij lloji në Shqipëri. Në të njëjtën kohë ai botoi me dhjetra artikuj e studime shkencore për gjeoshkencën. Si specialist me përvojë e imagjinatë, përveç dëshifrimit gjeologjik të Albanideve, ai ka meritë të veçantë në fushën e Trashëgimisë së Gjeomjedisit, të cilat i studjoi të lidhura ngushtë me trashëgiminë arkeologjike e kulturore të vendit
Në vitin 2004 pranohet Anëtar i Shoqatës Europiane të Trashëgimisë Gjeologjike “PROGEO”.
Për shërbime të shquara në miniera e gjeologji, ishte dekoruar me Urdhërat e Klasit të Tretë, të Dytë e të Parë”.
. . .
Por nuk janë vetëm këto kontributet e inxhinier Vasfi Dukës. Dy dekada jetë mbas daljes në pension, ai nuk i kaloi si pensionist, por si një qytetar e intelektual aktiv. Moshën e tretë ai vijoi ta sfidojë me studime, me shkrime dhe me aktivitete praktike në interes të shoqërisë dhe vendit. Për asnjë çast, Vasfi Duka, nuk e pushoi punën studimore e shkencore, por edhe pjesëmarrjen aktive në Shoqata Patriotike, si ajo e Kosovës, në Shoqatën Atdhetare “Dukagjini”, ku ishte dhe Anëtar Nderi, si dhe bashkëpunimin me shkrime në gazetat e ditës apo ato të Shoqatave të ndryshme të Labërisë, me të cilat kishte lidhje jo vetëm shpirtërore.
Në dy vitet e fundit të jetës, me nxitjen e shokëve që e adhuronin për dijet dhe përvojën që zotëronte, nisi të sistemonte materialet e tij shkencore për një botim të posaçëm. Por për arsye të sëmundjes dhe ndarjes nga jeta, nuk arriti t’i botonte. Megjithatë, materiali i tij shkencor në dorëshkrim të plotë, nën kujdesin e familjes dhe të shokëve të tij specialistë, vetëm një vit pas ndarjes nga jeta, u përmblodh e u botua në libër të veçantë me titull: “TË DHËNA MBI GJEOLOGJINË DHE MINERALET E NGURTË”- botim i Shtëpisë Botuese “Maluka”, Tiranë. Në këtë libër me karakter shkencor, nuk janë thjeshtë puna dhe zbulimet e inxhinier Vasfi Dukës, por është “Nëntoka e gjallë e Shqipërisë dhe Kosovës”, thesaret e së cilës inxhinieri i evidenton me saktësi, duke ua lënë brezave të ardhshëm të fushës së Gjeologjisë t’i vënë plotësisht në shërbim të vendit të tyre.
Inxhinier Vasfi Duka, ndonëse ishte ndër zbuluesit më të përmendur në fushën e mineraleve; ndonëse pati një veprimtari e prodhimtari të madhe në fushën e studimeve shkencore e në publiçistike; ndonëse gjer në fund të jetës ishte pjesëmarrës aktiv në tubimet shkencore në rreth, në shkallë vendi dhe në simpoziume ndërkombëtare, nuk arriti të merrte Titullin e Merituar të “Profesorit”. Vetëm me “Klasifikimin e mineraleve jometalorë”, e cila është një “Tabelë Mendelejevi” për mineralet, ai duhej të merrte titulliun e mësipërm. Por kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi se inxhinier Vasfi duka, i zënë me punën e tij praktike e shkencore, nuk pati asnjëherë kohë të shkonte nëpër zyra, ku hartohen “dokumentet” e marrjes së titujve. Ai u mjaftua me rezultatet që pati nga puna; u kënaq me vlerësimet e shokëve që e njihnin nga afër; u krenua me evidentimin e kontributit dhe të jetës së tij në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, në median e shkruar para dhe pas viteve nëntëdhjetë; me dokumentarin “Sfida e jetës”- kushtuar jetës e punës së tij, prodhim i Televizionit TV-1 Chanell të Shkodrës, e gjer tek Televizioni “Pasqyra Shqiptare” e komunitetit shqiptar në Toronto të Kanadasë, ku vitet e fundit jetonte me djalin e vajzën e tij.
Iunxhinier Vasfi Duka, nuk arriti të merrte Titullin e lartë e të merituar të Profesorit, por mori respektin e pa kufi të atyre që e njohën e punuan me të. Veçanërisht ai do të kujtonte gjithnjë me admirim dhuratën që mirditorët i dhanë si kujtim kur u largua nga Mirdita: Një dhuratë simbolike, një valixhe të bukur, mbushur me të gjithë kampionët e mineraleve të zbuluara prej tij në krahinën e tyre, të cilën inxhinieri e ruante me fanatizëm në një nga odat e shtëpisë në Shkodër, ku kishte bibliotekën e tij të pasur jo vetëm me libra shkencorë.
Plot dy dekada punoi inxhinmier Duka në Mirditë. Po aq dhe në Shkodër. Labi nga Vranishti i Vlorës u miqësua kaq shumë me mirditorët dhe shkodranët, sa asnjëri prej tyre, edhe pse ishte Kryeinxhinier e Drejtor Ndërmarrje, nuk i drejtohej me titullin e funksionit, por me shprehjen: TUNGJATJETA VASFI DUKA! Dhe kjo vijoi edhe mbas daljes në pension
Dhe përshëndetja “Tungjatjeta” i ka të gjitha vlerësimet, të gjithë titujt që mund të fitojë një njeri në shoqëri. Ndaj dhe në këtë shkrim homazh, në pesë vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, dëshirojmë të përsërisim përshëndetjen e mirditorëve dhe shkodranëve “TUNGJATJETA VASFI DUKA”!
Sepse Vasfi Dukën e kemi e do ta kemi midis nesh, se mes nesh kemi punën e tij, vlerat e tij, kontributin e tij për popullin e vendin.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk