UNIVERSITETI I TETOVËS, 29 VJET RITË E DRITË

14
Dec
2023
Shkruan: Akademik Abdulla Mehmeti

P ë r v j e t o r
i dhembjes dhe krenarisë
Edhe pas tri dekadave të punës dhe ritës së Universitetit të Tetovës,
ende politika pretendon se mund ta shkruaj historinë, ndërsa djemtë e lazdruar prej saj vazhdojnë të shohin ëndrra me xixëllonja, kinse historia fillon me ata.
Dhjetë gjeneratat e fundit të studentëve të Universitetit të Tetovës kanë lindur pas themelimit të këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, dhe ata kanë të drejtë ta njohin historinë e vërtetë të tempullit ku kanë fituar dije dhe përgatitje profesionale për një jetë më të mirë, për veten e tyre dhe shoqërinë.
Shumica e mësimdhënësve, profesorëve dhe bashkëpunëtorëve, të angazhuar aktualisht në këtë institucion, si dhe pjesa dërmuese e funksionarëve në institucionet e pushtetit aktual, në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe arteve, i kanë kryer studimet themelore, ose ato të ciklit të dytë e të tretë, në këtë institucion, i pari institucion me mësim në gjuhën shqipe dhe vatër kryesore e arsimit në gjuhën amtare në Republikën e Maqedonisë Veriore.
E gjithë kjo histori suksesi deri më sot, ka kaluar edhe periudha tepër të vështira, mbi shpatullat dhe sakrificën e gjeneratave të mëparshme, sidomos të gjeneratës së parë, të prijësve dhe drejtuesve të këtij Universiteti, të profesorëve dhe gjeneratave të para të studentëve, të gjithë shqiptarëve që e kanë mbrojtur dhe mbështetur ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit të tyre.
Njohja e kësaj historie është detyrim moral dhe kombëtar, është fisnikëri dhe virtyt qytetarie. Duke i nderuar të tjerët, ata që sakrifikuan në ditët e para të themelimit të këtij tempulli të dijet e përparimit, të cilët e vendosën fatin, jetën, gjakun, gjymtyrët e trupit të tyre në themelet e këtij tempulli, ata meritojnë lavdi e respekt të përhershëm, nga brezat e sotëm e të ardhshëm, jo vetëm nga studentët, por nga të gjithë shqiptarët, edhe nga banorët e tjerë të këtij vendi, të cilët kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga ky Universitet.
(14 dhjetor 2023)
* * *
DËSHMI PËR DATËN E THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS
(Për ata që nuk dinë ta bëjnë dallimin mes themelimit dhe fillimit të punës së Universitetit të Tetovës, në përvjetorin e hapjes solemne dhe fillimin e punës së këtij Universiteti, më 17 dhjetor 1994.)
Më 14 dhjetor 1994, me vendim paraprak të Qeverisë së Maqedonisë (më 12 dhjetor), në të cilën kanë marrë pjesë edhe ministra dhe zëvendësministra nga radhët e partisë shqiptare në pushtetin e atëhershëm, fillimisht inskenuan incidente në Shkup, me qëllim të frikësimit të shqiptarëve, ndërsa më vonë policia i bastisi dhe demoloi zyrat e Universitetit të Tetovës, Rektoratin i përkohshëm, kurse me makineri të rëndë e rrënoi objektin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore në Reçicë të Vogël. Gjatë kësaj dite edhe i arrestoi disa nga udhëheqësit e Universitetit.
Universiteti i Tetovës, nga dita e themelimit të tij, më 4 qershor, deri më 17 dhjetor 1994, i kishte formuar organet e veta drejtuese, kishte siguruar një pjesë të objekteve për veprimtarinë mësimore-shkencore dhe për administratën e tij. Cila është logjika të jetë themeluar ky Universitet dy ditë pas rënimit të objektit të njërit nga fakultetet e tij, pas demolimit të zyrave të Rektoratit, dhe cila ishte arsyeja e arrestimit të udhëheqësve të Universitetit, shfryerja e mllefit nga organet represive të pushtetit dhe policia, që ta godasin kaq egërsisht Universitetin e Tetovës, nëse nuk do të kishte ekzistuar ai deri më 17 dhjetor 1994?!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk