Urime miqve të mi të respektuar, pavarësisht fitores!

10
Feb
2025
Shkruan: Ferat Selimi Oslo


Fillimisht, gjatë fushatës kisha marrë shumë komente, sidomos nga bashkëvendësit e mi, të cilët i respektoj pavarësisht bindjeve tona politike të ndryshme, dua të theksoj se respekti im për ta mbetet i pandryshuar. E kuptoj plotësisht dëshirën e secilit për të mbështetur partinë e tij, por një gjë që nuk e kam kuptuar dhe nuk do ta kuptoj kurrë është se dëshira është një gjë, ndërsa mundësia është diçka krejt tjetër.
Disa nga miqtë e mi më shkruanin komente si: “Do të zhgënjehesh”, “Jeni humbës”, “Ne do të fitojmë”, e shumë të tjera. Dua t’i përshëndes të gjithë ata miq, shokë dhe bashkëvendës të respektuar dhe t’ju bëj me dije se unë as nuk zhgënjehem dhe as nuk e shoh veten si humbës, pavarësisht se kush fiton. Analizat e mia nuk i bëj në ajër si disa prej jush. Ju mund të keni dëshira, e kuptoj, por për sa i përket analizave, ju këshilloj të mos i bëni, sepse jeni larg këtij profesioni. Mjafton të shihni shkrimet e mia një nga një, që nga dita e parë e fushatës, ku kam dhënë analiza të mirëfillta dhe kam qenë shumë i drejtpërdrejtë në çdo parashikim.
Pavarësisht pytjeve pse nuk shkruan për çështje si UÇK-ja, Bedri Hamzën, Lumir Abdigjikun apo figura të tjera, më duhet të them se nuk kanë munguar shkrime të tilla në profilin tim. Madje, edhe në komente kam sqaruar pozicionin tim për kandidatët për kryeministër.
Si shembull, po sjell një rast konkret: kur u pyeta për Bedri Hamzën, edhe pse kemi qenë shokë dhe kemi ndjekur të njëjtën gjeneratë shkollore, dhashë një mendim të sinqertë në një koment ndaj një miku tim të respektuar. I thashë se Bedri Hamza ishte “djegur” politikisht – me apo pa vetëdijen e tij – nga partia e tij. Kjo ishte një lojë dinake nga kryetari i partisë, Memli Krasniqi.
Një mik më shkroi koment në fillim të fushatës dhe ja pëgjigjja ime:
*“Me gjithë respektin që kam për ju, dëshiroj të shpreh mendimin tim në lidhje me këtë çështje. Njerëz si Bedri Hamza është vështirë të gjesh, mos të them që ndoshta nuk ekzistojnë më. Megjithatë, sipas mendimit tim, Bedriu është rreshtuar në partinë e gabuar – besoj që edhe ju e dini këtë, pavarësisht që edhe unë i përkas atij rajoni.
Bedriun e njoh personalisht, jo vetëm për shkak të arritjeve të tij profesionale, por edhe sepse kemi qenë shokë shkolle, të së njëjtës gjeneratë. Për më tepër, prindërit tanë kanë pasur një miqësi të ngushtë mes vete. Për këtë arsye, e kam ndjekur nga afër zhvillimin e tij dhe e vlerësoj si një person me nivel të lartë intelektual dhe profesional.
Sipas mendimit tim, vetë PDK po mundohet ta “djegë” politikisht Bedriun, ndoshta edhe pa qëllim. Kjo duket qartë në faktin që kryetari aktual i partisë, Memli Krasniqi, nuk është kandidati për kryeministër. Kjo nuk ka ndodhur më parë në praktikën politike, ku kryetari i partisë zakonisht mban edhe kandidaturën për kryeministër. Arsyen për këtë e dimë: sipas sondazheve, gjasat për të fituar janë minimale. Për të mos rrezikuar vetë, Memli ka vendosur që Bedriu të marrë barrën e humbjes, ndoshta duke mos menduar për dëmin afatgjatë që mund t’i bëjë atij.
E vërteta është se në PDK nuk ka ndonjë figurë që mund të krahasohet me Bedri Hamzën në nivel profesional, madje një figurë e tillë mungon edhe në shumë parti të tjera. Sikur Bedriu të ishte kandidat i pavarur, ai do të ishte ndoshta i vetmi që mund t’i dilte ballë kryeministrit aktual dhe ta sfidonte seriozisht atë.
Prandaj, them me bindje se vetë PDK, me apo pa qëllim, është duke e djegur politikisht Bedriun. Kjo është thjesht mendimi im, dhe mbaje mend këtë që po them – do të flasim përsëri në të ardhmen për këtë çështje.*”
Duke u bazuar në këtë, më lejoni të shtoj se mendoj që Bedri Hamza është përdorur vetëm për të mbledhur vota, jo për t’u bërë kryeministër. Përveç nëse PDK do të kishte dalë e para, atëherë situata do të ndryshonte. Sidoqoftë, skenarët treguan të kundërtën. Matematikat u bënë me hile.
Shpresoja të isha gabim në atë kohë, por analizat e mia e vërtetuan të kundërtën. Madje, në një shkrim e kam thënë hapur se me këtë qasje nuk do të fitonin dhe se kisha një formulë të gatshme për fitoren e PDK-së. Por, siç duket, askush nuk i mori parasysh parashikimet e mia dhe më injoruan të gjithë.
Sidoqoftë, edhe në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen, do të pësoni të njëjtën gjë nëse nuk merrni parasysh formulën time për fitoren.
Është për të ardhur keq që në PDK dhe LDK, përveç garës për parlamentin, zhvillohet një luftë e brendshme e paparë. Dhe kjo nuk është diçka që ata duan ta shohin, ose thjesht zgjedhin të mos e shohin. Lufta më e madhe është xhelozia ndaj kandidatëve të tyre, të cilët vetë i kanë futur në listë. Kjo çon në një luftë të egër të brendshme dhe vjedhje votash mes veti. Prandaj, kjo parti mbetet e njëjta, pavarësisht reformave të listës.
Në momentin kur mashtrimi fillon nga vetë kryetari i partisë, duke “djegur” kolegun e tij më të merituar – një njeri të pakorruptuar dhe një ekspert të jashtëzakonshëm të ekonomisë – çfarë mund të pritet tjetër? A e shihni këto lojëra apo thjesht pajtoheni me këtë lojë të pistë?
Si përfundim, derisa PDK nuk reformohet plotësisht dhe vazhdon të udhëhiqet nga njerëz që nuk ia duan të mirën as vetes, atëherë nuk keni pse kundërshtoni të tjerët, përfshirë edhe mua. Problemi nuk është tek kundërshtarët tuaj, por brenda vetë partisë suaj.
Unë jam i gatshëm, në çdo kohë dhe kurdo që kërkohet ndihma ime, për t’ju dhënë formulën e fitores. Pavarësisht se gjatë kësaj fushate u rreshtova me atë që unë besoja dhe isha i bindur në parashikimet e mia – dhe ato dolën të sakta. Më vjen keq, por kështu është realiteti!
Ps. Si ka mundësi që kryetari i partisë, Memli Krasniqi, thirret në listën e deputetëve, kur ai nuk është kandidat për kryeministër? Ai ka vendosur që Bedri Hamza, një ekonomist dhe anëtar i partisë, të jetë kandidati për kryeministër. Po ashtu, kryetari thotë se në listën e tij nuk ka kandidat për ndonjë dënim. Kjo është e paqartë, pasi Bedri Hamza është kandidati për kryeministër, jo kryetari i partisë. Çfarë ka ndodhur këtu?

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/02/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk