VËLLEZËR TË KOSOVËS!

03
Jun
2023

VËLLEZËR TË KOSOVËS,
MËNJANONI LUFTËN POLITIKE MES VETIT,
BASHKOHUNI DHE LUFTONI PËR KOSOVËN DHE SHQIPËRINË!
-Një shkrim i botuar në SOT, 4 GUSHT 2022- (marrë me shkurtime)
Pas fitimit të lirisë në vitin 1999, me luftëtarët e UÇK-së në ballë dhe me miqtë euroatlantikas në krah, në muret e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, shënuam me germa të mëdha frazën lapidare: “BAC, U KRYE”!, që ishte amaneti i Komandantit të UÇK-së, legjendarit Adem Jashari, amanet i cili do të plotësohet me Bashkimin Kombëtar, ëndrra dhe përpjekja shekullore e popullit tonë, që nga Rilindja e gjer në ditët e sotme. Por, ja ku kaluan dy dekada e më tepër nga dita e çlirimit, dhe Dardania jonë, akoma përkundet në mjegullnajën e bisedimeve të pafund, që varen nga manovrat e ish pushtuesit, por edhe nga lojërat e Lajçakëve të Evropës plakë, me mantel modern.
Në këtë përkundje të mjegullt, për fat të keq kemi ndihmuar e po ndihmojmë edhe vetë ne shqiptarët. Miku i madh amerikan, në mitingun e fitores së vitit 1999, midis të tjerave tha: “Ne bëmë luftën, ju duhet të bëni paqen”! Pikërisht “paqen” ne nuk po dimë ta bëjmë. Dhe kjo po ndodh, sepse paqja është më e vështirë se lufta. Në luftë, siç ka vërtetuar historia, dominojnë heroizmi, guximi, vetëmohimi, atdhetarizmi, të cilat mënjanojnë edhe shumicën e sëmundjeve fizike. Ndërsa në paqe lulëzojnë më shume veset dhe sëmundjet morale e fizike.
Këto sëmundje, sidomos morale, na kanë prekur të gjithëve, por në “reanimacion” kanë dërguar klasën tonë politike, këtej e matanë kufirit artificial shqiptar- shqiptar. Paqja sociale, por edhe politike, mund të ishte arritur në Kosovë, qysh në dekadën e parë pas çlirimit nga sundimi serb, nëse klasa politike do të kishte zotëruar minimumin e shqiptarizmit e të atdhetarizmit.
Dalja nga lufta çlirimtare e vitit fitimtar 1999, duhej të pasohej nga një organizim total i forcave intelektuale dhe gjithë qytetarëve për ngritjen e shtetit, këtij aseti të domosdoshëm për realizimin e objektivave kombëtarë. Por, për fat të keq, në vend që të kishim një qeveri të unitetit kombëtar, qysh në ditët e para të pasluftës, dolën në skenë disa parti politike, shumica e të cilave, patën një kontribut minimal, për të mos thënë hiç farë, në luftën çlirimtare. Këto parti politike dhe drejtuesit e tyre, në vend që ta përqendronin punën dhe luftën në shërimin e plagëve të sundimit serb dhe të luftës çlirimtare, me luftën e tyre për pushtet bënë të kundërtën, shtuan plagë të reja të “paqes”, shumë më të rënda se ato të pushtimit e të luftës.
Është pikërisht kjo situatë, e ndihur nga vetë shqiptarët në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që i ka dhenë dorë ish pushtuesit të luajë “si macja me miun”, me bisedime pa fund dhe me nenshkrime marrëveshjesh që nuk zbatohen. Në këtë lojë, me dashje apo pa dashje, janë përfshirë edhe miqtë ndërkombëtarë, tek të cilët ne kemi varur gjithë shpresat e zgjidhjes së halleve tona, pa marrë parasysh se ndërkombëtarët kanë edhe interesat e tyre në rajon, të cilat nuk do t’i cenojnë për të zgjidhur hallet tona.
Pyetja shtrohet: Edhe sa kohë do të vazhdojë kjo lojë e marrëveshjeve që nënshkruhen, por shtyhen? Sa do të vazhdojë kjo lojë bisedimesh midis Kosovës dhe Serbisë, nën dirigjimin e Lajçakëve të Brukselit?
Historia na ka treguar dhe na tregon, se kur je i detyruar të marrësh “pleqësi” për zgjidhjen e ngatërresave me të tjerët, “pleqtë e katundit”, në rastin tonë “pleqtë e Evropës”, zgjidhjen ose e kanë vonuar, ose më e shumta e kanë “zgjidhur” duke lënë “gjalma” e “ndërkëmbësa” në të. Këtë “lojë” të pleqve të Evropës, më saktë të Brukselit, ne tashmë e kemi parasysh prej më se një dekade. Kjo, padyshim favorizon Serbinë, e cila, jo në Evropë të hyjë, por edhe në hënë po të shkojë, nuk do ta heqë oreksin dhe synimin për trojet e shqiptarëve të Kosovës.
Pa diskutim, në kushtet e sotme, kur po shkojmë drejt integrimit evropian, është e domosdoshme të kapërcejmë mbi hasmëritë e së kaluarës, duke i kyçur këto të fundit në “arkën” e relikeve të shekujve të kaluar. Por jo ta djegim këtë “arkë”. Përkundrazi ta ruajmë, qoftë edhe si relike, e cila na kujton se duhet të jemi syçelë përkundrejt ringjalljes së lakmisë shekullore serbe, për trojet e shqiptarëve.
Nisur nga situatat aktuale, të cilat mund të definojnë me një rrezik të afërt për fatet e shqiptarëve, liderët politikë të Republikës së Kosovës, duhet të gjejnë një zgjidhje, që i djeg letrat e Vuçiçit. Liderët politikë të Kosovës, duhet të mblidhen në një kuvend të përbashkët, ngjashëm me Kuvendin e famshëm të Prizrenit, dhe duke kapërcyer mbi interesat individuale e ato partiake, me ose pa zgjedhje parlamentare, të realizojnë një Qeveri legjitime të Unitetit Kombëtar, aq shumë të nevojshme për eliminimin e situatave paradoksale, të krijuara gjatë njëzet e tre vite që nga çlirimi i Kosovës.
Ky veprim atdhetar, i mbështetur edhe nga liderët politikë dhe shtetërorë të Shqipërisë londineze, do ta vërë çështjen tonë kombëtare në binarë të saktë dhe të sigurtë, çka do të përballonte si hiletë dhe prapaskenat serbe, ashtu dhe lojërat e mundshme të Evropës dhe ndërkombëtarëve, të cilat nuk u kanë munguar, kur janë marrë me çështjen shqiptare.
Shqiptarët dinë të çmojnë miqësinë, por asnjëherë nuk duhen varur gjithë shpresat tek miqtë ndërkombëtarë, sado të gjindshëm e të fuqishëm të jenë ata. Jemi ne, banorët e këtyre trojeve të lashta me emrin Shqipëri, që duhet të bëhemi interpret të fatit tonë. Pa këtë kusht bazë, as ndërkombëtarët e askush tjetër në rruzullin tokësor, nuk do mund të na e sigurojë Lirinë, Pavarësinë, Sovranitetin dhe Dinjitetin e vërtetë.
Ndaj thirrja me pak fjalë mbetet: Të lëmë mënjanë luftën politike me sho-shoqin, të punojmë e të luftojmë për Kosovën, për Shqipërinë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk