Shkruan: Dr.Abdulla Mehmeti
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!(Gjurmë historie)
(Me emrin e fisit të lashtë pellazg-ilir, Medë – Medianë, lidhen edhe emrat: Mbretërisa e lashtë e Medëve (në një shkrim të radhës do ta shpjegojmë se kjo mbretëri nuk ka qenë persiane siç mendohet), Deti i Medëve (Mediterani – Mesdheu), qyteti Mediana i Dardanisë, selia strategjike e perandorëve të Ramës Lindore, emri i qytetit të shenjtë të besimit Islam – Medina etj. Në kuptimin më të gjerë, emri Medë-Medianë nënkupton: banor i Lindjes, Lindor, banor i viseve lindore, andej nga lind Dielli.)
Mediana njihet sot si një lokalitet i rëndësishëm arkeologjik nga periudha romake e antikës së vonshme, i vendosur në periferinë lindore të qytetit të Nishit, që përfaqëson një rezidencë luksoze, qendër ushtarake dhe vendbanim me një ekonomi shumë të organizuar në atë kohë. Gërmimet kanë zbuluar një vilë me peristil, terma, hambar dhe kullë uji.
Rezidenca daton nga periudha e mbretërimit të Kostandinit të Madh, 306 – 337 të e.s., edhe pse artefakte romake mund të gjenden të shpërndara në të gjithë zonën e Nishit të sotëm, ku Mediana përfaqëson pjesën më të ruajtur të Nishit nga periudha romake e Antikës së vonshme.
Konstandini i Madh (280–337) lindi dhe u rrit në Nish. Ai ngriti një rezidencë madhështore në një nga periferitë e bukura në qytetin e lashtë të Nishit, ku shpesh banonte dhe merrte pjesë në punët e shtetit. Të dhënat historike dëshmojnë se Konstandini i Madh ishte në Nish kur ai miratoi disa ligje, në vitet 315, 319, 324 dhe 334.
Pas vdekjes së Konstandinit të Madh, në vitin 337, rezidenca perandorake në Medianë u përdor nga disa perandorë të tjerë pasardhës, qoftë si një vend pushimi në udhëtimet e tyre të gjata ose gjatë përgatitjeve për luftë. Kështu, djemtë e Konstandinit, Konstanci II dhe Konstansi, qëndruan në Nish gjatë dimrit në vitin 340, ku nënshkruan edhe një dekret aty. Më vonë, Konstanci e përdori atë si një vendbanim të përkohshëm.
Sipas “Kronikave të Hieronimit”, pasi Vetrani, komandanti i ushtrisë danubiane, ishte shpallur perandor në Sirmium, ai ia dorëzoi simbolet e pushtetit perandorak Konstancit II në Nish, pa dyshim në vilën perandorake, në vitin 350.
Julian Apostati papritur kaloi disa kohë në Nish, në ekspeditën e tij kundër Konstancit II, në fund të vitit 361. Gjatë qëndrimit të tij dy mujor, Juliani shkroi nga Nishi letra të gjata drejtuar Senatit, Athinës, Korinthit dhe qyteteve të tjera greke, duke shpjeguar politika dhe kërkim të mbështetjes. Qëndrimi i Valentinianit në Nish në vitin 364 dëshmohet nga disa dekrete perandorake.
Sipas Olimpiodorit të Tebës, Nishi ishte qyteti i lindjes së një perandori tjetër romak – Konstanci III, burri i Galla Placidias, babai i Valentinit III.
Në vitin 364 e.s., vila perandorake Mediana ishte vendi ku perandorët Valentini dhe Valensi u takuan dhe ndanë Perandorinë Romake Lindore, të cilën e sunduan si bashkëperandorë.
Rezidenca u braktis pasi qyteti i Nishit u shkatërrua nga hordhitë e Atilës në vitin 442. Disa nga muret e Medianës në Nish janë restauruar më vonë.
Rezidenca u ngrit në një terren të rrafshët, në një sipërfaqe që mbulon mbi 400,000 metra katrorë, në një breg të lartë, pak larg nga lumi, rrëzë kodrave që e rrethojnë Luginën e Nishavës, pranë një burimi të ujit termal. Kishte një rrugë në drejtimin lindje-perëndim e cila kalonte në anën jugore të vilës me peristil dhe hambarin që ndodhej 150 metra larg saj. Nga kjo rrugë bëhej e mundur afrimi i këtyre ndërtesave. Zonën qendrore e zinte vila me peristilin e hapur, nimfeun dhe termat; në perëndim të vilës ishte hambari dhe disi në veri një ndërtesë e gjerë me dhoma tetëkëndëshe dhe rrethore. Në jug të vilës gjenden mbetjet e disa vilave dhe strukturave funksionale të shërbimit.
Ajo që bie në sy është se ndërtesat luksoze prej materiali të fortë me kolona, të zbukuruara me faqe mermeri, mozaikë dhe afreske, janë të përqendruara kryesisht rreth vilës qendrore dhe peristilit të saj, ndërsa ndërtesat ekonomike ndodhen në perëndim të hambarit drejt Nishit.
Me romanizimin gradual, përkatësisht vendosjen e planifikuar të qytetarëve romakë në zona të caktuara të zonave të reja të pushtuara të Dardanisë në shekullin I pas Krishtit. e., formohen qendrat e qyteteve me vetëqeverisje të kufizuar.
Romanizimi shumë i hershëm i zonave dardane erdhi, para së gjithash, nga rritja e nevojave të Perandorisë Romake për xehe dhe burime të tjera natyrore si: luginat pjellore të lumenjve Nishavë dhe Morava, dhe bollëku i burimeve termale të përshtatshme për banjë, vendpushimet (Banja e Nishit, Mediana, Banja e Kurshumlisë).
Megjithatë, numri më i madh i vendbanimeve u krijuan përgjatë rrugëve kryesore dhe lokale.
Kështu, në periudhën antike, në pellgun e sotëm të Nishit, në bregun e djathtë të lumit Nishavë, në kryqëzimin e rrugëve kryesore transballkanike që kalonin nëpër Dardani, ka ekzistuar një qytet pararomak, Nishi i sotëm, i cili është rindërtuar nga romakët pas luftës së tyre ndaj dardanëve.
Me shumë mundësi që nga fillimi i shekullit I, romakët ndërtuan një fortifikim ushtarak në zonën e qytetit antik, i cili në burimet antike përmendet si Nais (lat. Naissus), “Qyteti i zanave”. Kohorta e Nishit, Dardanorum u formua në Nish në vitin 169 e.s., me rreth 1000 njerëz. Emri i qytetit të Nishit vjen nga koha pararomake, nga popullsia autoktone që jetonte në këtë zonë para ardhjes së romakëve: dardanët, trakët apo keltët. Ka disa mendime dhe teori për origjinën e emrit Nish, por shumica e tyre lidhen me lumin Nishavë. Sipas disave, emrin Nais ia kanë dhënë keltët, sipas lumit Nishava (“Lumi i Zanave”), në të cilin, sipas besimit popullor, shfaqeshin zanat.
Qyteti njihet nga burimet historike si vendlindja e perandorit të parë të krishterë Kostandini i Madh dhe Konstanci III, ku qëndruan Konstanci Klorus, në kulmin e karrierës së tij ushtarake dhe Licini, gjatë konfliktit me Kostandinin në vitin 316-317, dhe në të cilin Kostandini i Madh dhe pasardhësit e tij, Konstanci dhe Konstanci II, Juliani Apostati, Valensi dhe Valentiniani I qëndruan për një kohë më të shkurtër ose më të gjatë. Në pushtimet e romakëve, si bazë logjistike, Nishi luajti një rol të rëndësishëm, për grumbullimin e trupave ushtarake nga rajonet jugore, akomodimin e tyre dhe furnizimet e ndryshme të luftës.
Në shekullin III e.s., Mediana ishte pjesë e Dardanisë, e cila nuk përbënte një krahinë të veçantë, por ishte pjesë e provincës së Mezisë (pas Mezisë së Epërme). Në fund të shekullit III ishte pjesë e një krahine më vete, Dakia, së cilës i përkiste edhe Nishi.
“Sipas disa opinioneve, të cilat bazohen në argumente mjaft të dobëta, legjionet qëndruan në Nish qysh në kohën e Augustit, para transferimit të tyre në Danub. Dihet se legjionet, i IV Skythian dhe V Maqedonas (legio IV Scythica dhe legio V Macedonica) u zhvendosën në Danub në vitin 15 të e.s. dhe se para kësaj date ata ishin vendosur diku në brendi të Ballkanit, në veri të Maqedonisë, në një terren të përshtatshëm për mbrojtjen e krahinave jugore. Për shkak të pozicionit qendror dhe komunikimit të përshtatshëm, mendohej se Nishi mund të ishte kampi ku qëndronin këto njësi dhe një lloj konfirmimi për një supozim të tillë bazohej në drejtimin e rrugëve që lidhin Danubin, nëpërmjet Nishit, me Lisus (Lezhën), një port në detin Adriatik. Ato rrugë anashkalonin disa qendra të rëndësishme në Dardani, Shkup dhe Ulpianë, të cilat ekzistonin në gjysmën e dytë të shekullit I, nga ku del se Nishi mund të ishte organizuar si bazë ushtarake para themelimit të qyteteve të përmendur.”
Me shumë gjasa nën Mark Aurelin, në kohën e luftërave Markoniane, kur u rrit në rëndësi ushtarake dhe kur u bë një bazë dhe qendër e rëndësishme për organizimin e mbrojtjes së rajonit më të gjerë, Nishi mori statusin e një Municipiumi (komune, rrethi). Nuk mund të thuhet me siguri se kur u bë kështu, por e sigurt është se Nishi ishte nga fundi i shekullit II e.s., kur filloi të romanizohet. Si qytet dhe komunë romake, me të drejta të caktuara vetëqeverisëse, Nishi përmendet në një mbishkrim të shekullit II të e.s.
Në dekadat në vijim, deri në mesin e shekullit III, falë pozitës së favorshme gjeografike, në udhëkryqin (Viminacium – Naissus – Serdica – Constantinopolis, Naissus – Ratiaria, Naissus – Lissus, Naissus – Scupi, Nishi u bë vendbanimi i veteranëve dhe familjeve të tyre, i ushtarëve, tregtarëve dhe kolonëve të tjerë dhe atje u vendos një siguri e konsiderueshme ushtarake.
Në gjysmën e dytë të shekullit II, e veçanërisht në dekadat e para të shekullit III, Nishi arriti një zhvillim të lartë dhe u bë një nga katër qytetet më të mëdha të krahinës së Dardanisë. Nga një municipium (komunë) – u bë një qytet i lirë dhe vetëqeverisës, kur Nishi u rrit në një castrum romak – qendër e rëndësishme ekonomike, politike dhe kulturore e provincës romake Moesia (Mezia). “Në atë periudhë të historisë së qytetit u hodhën themelet për zhvillimin e Nishit në periudhën antike të vonë dhe Buzaniane (Bizantine)”.
Një nga ngjarjet e rëndësishme që ndodhi gjatë mbretërimit të Klaudit II, i cili i mundi gotët në afërsi të Nishit, në vitin 269 e.s., fitorja e tij bëri jehonë të fortë në qytet dhe ndikoi në fatin e tij të mëvonshëm.
Falë ngjarjeve të përmendura dhe një pozicioni të favorshëm gjeografik, me një popullsi gjithnjë e më të madhe, një ekonomi dhe bujqësi të fortë, Nishi përfaqësonte një qendër të rëndësishme ushtarake, ekonomike dhe politike të rajonit të gjerë që gravitonte përreth tij.
(6 janar 2023)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!